Sunduesit talibanë të Afganistanit menjëherë uruan islamistët e tjerë nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) për rrëzimin e Qeverisë të presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Teksa luftëtarët e HTS-së morën nën kontroll kryeqytetin sirian, Damask, më 8 dhjetor, talibanët thanë se shpresojnë që grupi “do të vendosë themelet e një qeverie islamike sovrane dhe të orientuar drejt shërbimeve”.
Por, më shumë se dy javë më vonë HTS-ja – e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – duket se dëshiron ta distancojë veten nga mënyra se si talibanët kanë qeverisur me Afganistanin.
Lideri i grupit, Ahmad al-Sharaa, që më herët njihej me nofkën e luftës Abu Muhammad al-Jolani, publikisht është zotuar se do të miratohen politika të moderuara në krahasim me qasjen ekstremiste të talibanëve sa u përket të drejtave të grave, pajtimit kombëtar dhe raporteve me komunitetin ndërkombëtar.
“Ka shumë dallime mes Sirisë dhe talibanëve”, tha Sharaa për BBC javën e kaluar. “Mënyra se si ne qeverisim është ndryshe”.
Gratë
Sharaa tha se Qeveria e tij do të lejojë gratë që të arsimohen. Ai tha se në qytetin veriperëndimor sirian të Idlibit, që është udhëhequr nga HTS-ja në tetë vjetët e fundit, mbi 60 për qind e studentëve universitarë janë gra. Sharaa tha se gratë e krishtera nuk do të detyrohen të bartin shami.
Një muaj pasi u kthyen në pushtet në Kabul gushtin e vitit 2021,talibanët ua ndaluan adoleshenteve që të shkolloheshin përtej klasës së shtatë. Ndërkaq, dhjetorin e po atij viti ata ua ndaluan grave që të vijonin arsimin universitar dhe shkollimin profesional.
Më 1996, talibanët morën Afganistanin dhe krijuan një Qeveri që i përmbahej rreptësisht ligjit islamik. Një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja i rrëzoi ata nga pushteti më 2001, por ata u riorganizuan në një forcë kryengritëse dhe më pas më 2021 rimorën pushtetin, pasi nga shteti u larguan forcat amerikane dhe të NATO-s.
Udhëheqësit e lartë talibanë kanë aplikuar një “mendim të skajshëm” të ligjit islamik, Sheriatit, të cilin e përdorin për të zbatuar ndalimin, që kundërshtohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe shumë brenda Afganistanit.
Megjithatë, HTS-ja nuk është në favor të lirive të plota për gratë dhe po shqyrtojnë disa kufizime. “Lidhur me çështjen që gratë të marrin autoritet juridik, ky është subjekt i hulumtimeve dhe studimeve nga ekspertët”, tha Obaida Arnaout, zëdhënës i administratës së përkohshme të udhëhequr nga HTS-ja.
Arnaout kishte qëndrime të ngjashme sa i përket punës së grave në Parlament dhe Qeveri.
Deklaratat e tij nxitën protesta të aktivistëve për të drejtat e grave, të cilët paralajmëruan grupin islamist kundër vendosjes së rregullave fetare.
“Unitet dhe pajtim”
Mesazhi kryesor politik i HTS-së është uniteti dhe pajtimi mes grupeve etnike, fetare dhe sektariane të Sirisë, disa nga të cilat kanë luftuar në luftën civile që nga viti 2011.
Islamistët e HTS-së kanë emëruar një qeveri transitore që përbëhet nga figura nga radhët e udhëheqësve të grupit. Grupi gjerësisht ka zhvendosur administratën e tij nga bastioni në Idlib, për t’i shërbyer ekzekutivit të përkohshëm deri në mars.
Por, Sharaa është zotuar për pajtim kombëtar dhe institucione qeveritare gjithëpërfshirëse.
“Siria është shtet për të gjithë dhe ne mund të jetojmë së bashku”, u tha ai gazetarëve më 22 dhjetor.
Udhëheqësi i HTS-së madje ftoi ish-udhëheqësin e lartë të partisë Ba’ath dhe ish-zëvendëspresidentin, Farouk al-Sharaa, për të marrë pjesë në Konferencën për Dialogun Kombëtar që do të mbahet në të ardhmen në Damask. Ai vazhdimisht ka përsëritur zotimin se do të punojë për një Kushtetutë që do të ishte e pranueshme për të gjithë.
Kjo përbën dallim me talibanët, të cilët që nga viti 2021 kanë monopolizuar pushtetin. Qeveria e tyre teokratike, e udhëhequr nga klerikët talibanë ka përjashtuar afganët që nuk janë talibanë dhe nuk ka hartuar një kushtetutë.
Pavarësisht se ka emëruar një qeveri në detyrë në shtator të vitit 2021, nuk ka shenja se talibanët do të lejojnë që ndonjëherë të themelohet një qeveri me gjithëpërfshirje kombëtare e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë afganët.
Raportet me jashtë
Komuniteti ndërkombëtar po vëzhgon nga afër tranzicionin në Siri dhe se si HTS-ja do të përgjigjet ndaj aspiratave të sirianëve.
Sharaa thuhet se u ka bërë përshtypje diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë të cilët u takuan me të në Damask për të diskutuar për qeverisjen në të ardhmen, luftën kundër terrorizmit dhe politikat e jashtme.
Kjo nismë duket se po jep rezultate. Më 20 dhjetor, Uashingtoni hoqi shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për Sharaan. Udhëheqësi sirian po ashtu po kërkon largimin e shpejt të sanksioneve ndërkombëtare që janë vendosur ndaj shtetit të tij.
“Sanksionet duhet të hiqen shpejt në mënyrë që ne të mund ta çojmë përpara shtetin tonë”, tha ai për gazetarët, teksa qëndronte përkrah ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, më 22 dhjetor.
Në Afganistan, shumica e udhëheqësve talibanë vazhdojnë të jenë nën sanksione të SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara. Disa udhëheqës janë përballur me ndalesa të reja të udhëtimeve dhe sanksioneve për shkak të vendosjes së kufizimeve për edukimin e grave dhe për shkelje të tjera të të drejtave të njeriut.
Teksa HTS-ja vazhdon të forcojë pushtetin në Siri, zyrtarët perëndimorë dhe diplomatët janë të kujdesshëm sa i përket besimit të fjalëve që japin nga grupi militant.
“Talibanët projektuan një fytyrë më të moderuar, ose të paktën tentuan, pasi morën Afganistanin dhe më pas u kthyen në origjinën e tyre të vërtetë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në Institutin për Marrëdhënie me Jashtë më 18 dhjetor. “Rezultati është se talibanët mbeten tmerrësisht të izoluar në mbarë botën”.
Blinken këshilloi se “grupi në Siri” të përqendrohet “në çuarjen përpara të shtetit” dhe të shmangin izolimin ndërkombëtar.