Një objekt shkollor me “dy fytyra”
Kështu duket muri i jashtëm i gjimnazit "Dr. Shaban Hashani" në Ferizaj dhe gjendja brenda këtij objekti shkollor nuk është aspak më e mirë.
Më 2019, gjimnazi “Dr. Shaban Hashani” dhe shkolla e mjekësisë “Elena Gjika” u vendosën në objektin që dikur ishte shkollë fillore.
Sipas drejtoreshës së këtij gjimnazi, Hajrije Nebihu, në institucionin që ajo udhëheq ka dyer e dritare të dëmtuara, sistem të kanalizimit të vjetruar, mure të dëmtuara, mungesë të kabineteve e sallave dhe papastërti.
Për problemet në këtë shkollë vitin e kaluar është informuar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, si dhe drejtuesi i Ferizjat, Agim Aliu.
Ministrja, sipas drejtoreshës së gjimnazit, nuk ka kthyer përgjigje, ndërkaq Aliu ka thënë se punimet për shkollën e re nuk janë në kompetencë të komunës, por të Qeverisë, e cila sipas tij, ka ndalur punimet.
Pavarësisht kushteve të rënda, në këtë objekt vijojnë mësimin 1.300 nxënës.
Kështu është gjendja e gypave në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj.
Edhe brenda klasave, gjendja nuk është e mirë.
Shumica e bankave shkollore janë të dëmtuara në këtë gjimnaz në Ferizaj.
Një klasë nuk ka fare derë, teksa muret janë të dëmtuara.
Dëmtime në tavanin e një prej tualeteve që përdoren nga gjimnazistët në Ferizaj.
Drejtuesit e shkollës kanë thënë se për shkak të problemeve me sistemin e kanalizimit, në tualetet e shkollës vije erë e rëndë.
Nxënësit brenda një klase, dera e së cilës është e dëmtuar.
Në objektin ku tani gjendet gjimnazi dhe shkolla e mjekësisë, paraprakisht kishte qenë shkolla fillore “Gjon Sereçi”. Arsyeja e zhvendosjes së gjimnazistëve në këtë objekt, sipas drejtuesve, ishte pasi kushtet ishin aspak të përshtatshme për vijimin e mësimit të filloristëve në këtë objekt. Kushtet, të paktën në pjesën ku gjendet gjimnazi, vazhdojnë të jenë të rënda.
Një nxënës duke lozuar në oborrin e shkollës, ku gjendet një kosh basketbolli.
Por, gjendja është dukshëm më e mirë në shkollën e mjekësisë "Elena Gjika", që gjendet në po të njëjtin objekt me gjimnazin. Në shkollën e mjekësisë vijojnë mësimin 758 nxënës.
Drejtoresha e shkollës së mjekësisë, Bahrije Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se fillimisht kushtet kanë qenë të rënda, dhe vazhdojnë të mos jenë ideale. Por, në bashkëpunim me prindërit, donatorët dhe komunën, në pjesën e shkollës së mjekësisë janë rregulluar tualetet, muret dhe dritaret dhe gjendja e pastërtisë është e mirë.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, tha se gati 70 për qind e punimeve kanë përfunduar në objektin e ri shkollor, ku duhet të vendosen nxënësit. Por, ai tha se punimet janë ndërprerë për shkak se toka ku gjendet objekti, kishte qenë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, dhe më 2019, nga Qeveria e atëhershme pronësia e tokës i ishte transferuar komunës. Por, ekzekutivi i tanishëm, të gjitha këto prona tashmë po i kthen tek AKP-ja.