Pandemia thelloi pabarazinë te komunitetet joshumicë

Një grua rome ecën para strehës së saj në një kamp të romëve në fshatin Plemetinë, afër Prishtinës - Fotografi nga arkivi.

Selatin Emini, një pjesëtar i komunitetit rom në fshatin Prilluzhë afër Obiliqit, mbështet familjen e tij prej katër anëtarësh me asistencë sociale.

Emini tregon se ata u përballën me probleme edhe më të mëdha ekzistenciale gjatë pandemisë së koronavirusit që në Kosovë nisi të shpërndahet në mars të vitit 2020.

“Familja pesëanëtarëshe nuk mund të jetojë me ndihmën sociale prej 137 eurosh, t’ua them të vërtetën”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se ata u përballën me probleme shtesë gjatë pandemisë për shkak të kushteve të këqija të jetesës.

“Jetojmë në një shtëpi prej 50 metrash katrorë me infrastrukturë të keqe, pa ujëra të zeza, pa rrugë”, tregon Emini.

SHIKONI EDHE: Pandemia ua mori 10 eurot e fundit

Megjithatë, ai thekson se ditët e vështira gjatë pandemisë u lehtësuan disi nga organizatat humanitare dhe autoritetet lokale dhe se ata rregullisht merrnin pako ndihme në formën e produkteve ushqimore dhe higjienike.

Përhapja e pandemisë së COVID-19 ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes financiare dhe rritjen e papunësisë te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë.

Këto janë gjetjet e një raporti hulumtues të përgatitur nga organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve" që u publikua më 1 prill.

Hulumtimi u zhvillua në bazë të një ankete me 600 persona të të tria komuniteteve nëpër 14 komuna të Kosovës.

Afër gjysma e të anketuarve kishin deklaruar se financat e tyre janë përkeqësuar që nga fillimi i përhapjes së pandemisë me COVID-19 në Kosovë.

Në anën tjetër, mbi gjysma e këtyre të anketuarve kishin thënë se papunësia është rritur në mesin e këtyre komuniteteve që nga fillimi i pandemisë.

SHIKONI EDHE: Përballja me varfërinë në pandemi   

Zëvendësministrja e Shëndetësisë e Kosovës, Dafina Gexha- Bunjaku, duke komentuar këtë raport, thotë se problemet financiare të shkaktuara nga pandemia kanë prekur më shumë pjesëmarrësit e ekonomisë joformale.

“Sigurisht se gjatë pandemisë është goditur posaçërisht pjesa informale pasi nuk kanë qenë të regjistruar dhe ka qenë më e lehtë për punëdhënësit (që t’i largojnë nga puna punëtorët)”, thotë ajo.

Ndërkaq, deputetja nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, thekson se pandemia COVID-19 mund të ketë ndikuar në thellimin e pabarazisë për këto komunitete.

“Është e qartë që duhet të orientohen (fondet) sidomos në kohë të krizave te qytetarët që janë më të cenueshëm, pjesa më e varfër”, thotë ajo.

Për deputetin opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, Qeveria ka dështuar në ndihmë adekuate ekonomike lidhur me pandeminë për të gjithë qytetarët.

“Qeveria ka dështuar në pjesën shumicë sa i përket mbështetjes, e lëre më te minoritetet”, thotë Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.

Your browser doesn’t support HTML5

Mbijetesa me kanaçe

Sipas Haxhiut, Qeveria duhet të përgjigjet edhe për mungesën e të dhënave statistikore shëndetësore për komunitetet joshumicë dhe në veçanti edhe për të dhënat për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Të dhënat e fundit zyrtare mbi përfaqësimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë janë marrë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, i cili thekson se në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkali dhe 11.524 egjiptianë.

Megjithatë, këto shifra nuk paraqesin imazhin e saktë demografik të këtyre tri komuniteteve, meqë në regjistrim nuk morën pjesë të gjithë pjesëtarët e tyre dhe regjistrimi nuk është kryer në katër komunat veriore me shumicë serbe, për shkak të bojkotimit të regjistrimit.

Përderisa nuk ka të dhëna zyrtare sa i përket papunësisë te këto komunitete, sipas një raporti të vitit 2021 të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në mars të vitit 2019, rreth 2,000 romë 3,581 ashkali dhe 947 egjiptianë kanë pranuar ndihmë sociale nga institucionet e Kosovës.

Problemet me qasje në informacion

Ndikimin në keqësimin e situatës ekonomike për komunitetet joshumicë në Kosovë e ka konstatuar edhe Avokati i Popullit në Kosovë në një raport të vitit 2021.

Sipas këtij raporti, “mosarritja e herëpashershme e autoriteteve për respektimin e të drejtave gjuhësore dhe për t’i përshtatur procedurat e aplikimit për ndihma, në përputhje me nevojat dhe me aftësitë e anëtarëve të komuniteteve, ndikoi në pozicionin socio-ekonomik të qytetarëve të ndjeshëm, përfshirë komunitetet joshumicë”.

Më 3 prill 2020, duke synuar zbutjen e pasojave ekonomike nga COVID-19, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Planin Operacional për Paketën Fiskale të Emergjencës.

Sipas Avokatit të Popullit, pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, që nuk flasin dhe/ose nuk i kuptojnë gjuhët zyrtare, e pranuan me vonesë informacionin.

Raporti theksoi se vështirësitë në ndjekjen e procedurave të aplikimit të asistencës së paketës ndihmëse prekën kryesisht pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Kjo për shkak të niveleve të ulëta të edukimit, mungesës së pajisjeve elektronike (telefonave të mençur, kompjuterëve etj.), mungesës së dokumentacionit të identifikimit, si dhe qasja e dobët në informacion dhe në shërbime për personat dhe familjet e pafavorizuara në shoqëri”, thuhet në raport.

Your browser doesn’t support HTML5

Teoritë konspirative i lënë komunitetet pa vaksinim

Deputeti egjiptian Fridon Lala nga partia Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), për Radion Evropa e Lirë thotë se kriza politike, përkatësisht ndërrimi i qeverive gjatë vitit 2020 ndikoi drejtpërdrejt në ndihmën ekonomike ndaj tri komuniteteve joshumicë.

“Kemi shtyrë asokohe (në fillim të pandemisë) një pikë të veçantë në pakon për rimëkëmbjen ekonomike që ka targetuar ekskluzivisht komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë, me 2 milionë euro të ndara”, thotë Lala.

Ai shton se “fatkeqësisht, me ndërrimin e qeverisë, ndër masat e para të anuluara ka qenë edhe kjo masë".

Qeveria e Kosovës ishte udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nga 3 shkurti i vitit 2020 deri më 3 qershor të po atij viti dhe me ndërrimin e pushteteve udhëheqjen e Qeverisë e pati marrë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Që nga 22 marsi i vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje është rikthyer në pushtet.

Raporti i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” ka përmendur edhe problematikën në vaksinim kundër COVID-19 për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se zyrtarisht nuk ka të dhëna të ndara që tregojnë se sa janë vaksinuar këto komunitete.