Jeta është kthyer në makth për 22-vjeçaren Maryam Rezaei, qëkur talibanët kanë marrë pushtetin në Afganistan, në muajin gusht.
Në fillim të atij muaji, përpara se talibanët të sulmonin lagjen e saj në qytetin perëndimor të Heratit, Rezaei ishte në mesin e mbi 10,000 grave që studionin në Universitetin e Heratit.
Ajo gjithashtu fitonte para si gazetare në një radio lokale.
Por, tani, pavarësisht premtimeve të talibanëve se do t’i lejojnë vajzat të shkollohen, Maryami nuk e di se kur do të mund t’iu kthehet studimeve të saj universitare.
E mbyllur në shtëpinë e saj, sipas rregullave strikte të talibanëve për gratë, ajo nuk shpreson më se do t’i kthehet punës.
Ajo thotë se ndjen se po futet në depresion ekstrem dhe se shpesh mendon të bëjë vetëvrasje, për t’i shpëtuar gjendjes së rëndë.
“Është vërtet vështirë për mua kur mendoj për faktin se nuk kam liri, as siguri dhe as të drejta elementare”.
“Kam humbur gjithçka për të cilën kam punuar dhe të gjitha synimet e mia. Më bën të humbas durimin. Ndihem si një guaskë e zbrazët. Jam në robëri dhe vetëm pres vdekjen”, shprehet ajo.
SHIKONI EDHE: Talibanët imponojnë kod të ri të veshjes dhe ndarje në universitetePasi kanë rrëzuar Qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Kabul, talibanët kanë premtuar se do të jenë më të moderuar se gjatë sundimit të tyre brutal, nga viti 1996 deri më 2001, kur vajzave u është ndaluar të shkollohen dhe grave u është ndaluar të punojnë jashtë shtëpive të tyre.
Por, gratë afgane e akuzojnë Qeverinë e re, të udhëhequr nga talibanët dhe të përbërë krejtësisht nga meshkujt, për shkelje të premtimeve.
Militantët kanë ndaluar shumë vajza të ndjekin shkollën e mesme. Shumica dërrmuese e grave janë urdhëruar të mos kthehen në punë. Dhe, gratë afgane që protestojnë për gjendjen e tyre, janë sulmuar ose arrestuar nga luftëtarët talibanë.
Shumë gra afgane thonë se rikthimi i sundimit taliban duket si dënim i përjetshëm.
Shayestah, ish-punonjëse e një agjencie qeveritare afgane në Kabul, thotë se vuan nga depresioni ekstrem.
SHIKONI EDHE: Talibanët zgjerojnë kabinetin afgan - pa graRregullat represive të talibanëve kanë lënë shumë gra afgane pa punë. Për Shayestahin, humbja e punës ka vështirësuar gjendjen ekonomike të familjes së saj.
Më dëshpëruese, sipas saj, është ndjenja se ajo ka humbur të gjitha ëndrrat për të ardhmen.
“Mendimet tona janë shkatërruar. Kam humbur punën time dhe jam e shqetësuar për të ardhmen”, thotë Shayesteh për Radion Evropa e Lirë.
“Shumica e grave afgane janë pushuar nga puna dhe detyrat e tyre nuk dihen për momentin. Meqenëse e ardhmja jonë mbetet e paqartë, ajo ka ndikuar negativisht në mendimet dhe emocionet tona”, thotë ajo.
Ditë të mira dikur?!
Maryam thotë se i kujton vitet para kthimit të talibanëve në pushtet si “ditë të mira dikur”.
Studimet e shëndetit mendor në Afganistan, gjatë dy dekadave të fundit, sugjerojnë se ndjenjat e tilla kanë të bëjnë vetëm me gjendjen aktuale të grave afgane.
Studiuesit thonë se përmirësimet në liritë, të drejtat dhe cilësinë e jetës për gratë afgane, kanë qenë graduale nën qeveritë e mëparshme.
Ata arrijnë në përfundimin se, edhe pse ka pasur zhvillime pozitive për të drejtat dhe fuqizimin e grave, përparimi shpesh është kufizuar nga pengesat socio-kulturore dhe pikëpamjet konservatore islame për rolin e grave në shoqëri.
SHIKONI EDHE: Rrëfimi i afganes që la punën pas presionit nga militantët talibanëLufta e vazhdueshme dhe varfëria kanë intensifikuar depresionin dhe çrregullimet e ankthit te popullata e traumatizuar.
Një studim i publikuar qershorin e kaluar - në kuadër të një nisme për shëndetin mendor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë - ka zbuluar se gati gjysma e të gjithë afganëve vuajnë nga stresi psikologjik dhe janë të dëmtuar nga problemet e shëndetit mendor.
Sondazhi kombëtar, i udhëhequr nga profesoresha e psikiatrisë në Universitetin McGill, Viviane Kovess-Masfety, ka zbuluar se Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik (PTSD) është problemi më i përhapur i shëndetit mendor në Afganistan.
Studimi po ashtu ka gjetur se rreziku nga PTSD është më i lartë për gratë afgane sesa për burrat dhe se gratë afgane që vuajnë nga PTSD janë “nëntë herë më shumë në rrezik të vuajnë nga depresioni”.
“Çuditërisht, diagnoza PTSD nuk ishte e njohur për psikiatërit në Afganistan”, ka thënë Kovess-Masfety.
“Psikiatërit [afganë] nuk kanë gjetur asnjë rast PTSD në klientelën e tyre ambulatore, qofshin ato raste me depresion, ankth ose çrregullime të përdorimit të substancave”, ka thënë ajo.
Your browser doesn’t support HTML5
Kovess-Masfety ka arritur në përfundimin se trauma ka qenë aq e zakonshme në mesin e afganëve për aq shumë kohë, saqë simptomat e PTSD “nuk kanë nxitur konsultime për shëndetin mendor, ndërsa trishtimi, humbja e kënaqësisë dhe simptomat e tjera depresive janë konsideruar si jonormale”.
Tani, që nga kthimi i talibanëve në pushtet, psikiatërit afganë thonë se kanë parë rritje të numrit të grave që kërkojnë ndihmë për depresion.
“Shumica e pacientëve tanë së voni janë gra, aktiviste për të drejtat e grave, ish-punonjëse qeveritare, gazetare dhe gra që kanë qenë të punësuara në mënyrë aktive në Qeverinë e mëparshme afgane, por që tani kanë humbur punën”, thotë Wahid Nourzad, udhëheqës i Departamentit të Shëndetit Mendor në Spitalin e Qarkut të Heratit.
“Këto ditë, vërtet kemi shumë pacientë. Disa prej tyre vuajnë nga varfëria dhe papunësia. Gjithashtu ka rritje të dhunës në familje, ndaj grave dhe fëmijëve”, thotë Nourzad për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Ëndrrat e varrosura të vrapueses afganePsikiatri nga Kabuli, Walid Hussainkheil, thotë se shkaqet kryesore të rritjes së depresionit te gratë afgane janë: varfëria, papunësia dhe izolimi sipas rregullave të reja të talibanëve.
“Lidhjet e tyre sociale janë prishur. Ato largohen nga tubimet shoqërore dhe mendojnë për vetëvrasje, gjë që është shumë e rrezikshme”, thotë Hussainkheil.
Tendencat vetëvrasëse
Edhe para kthimit të talibanëve në pushtet, rreth 2 milionë gra afgane janë diagnostikuar me depresion të rëndë.
Studimet e bazuara në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë të Qeverisë së mëparshme konfirmojnë se Çrregullimi i Madh Depresiv (MDD) dhe dhuna në familje kanë qenë shkaqet kryesore të tentimit të grave afgane për vetëvrasje.
Ayesha Ahmad, eksperte për shëndetin mendor global në Universitetin St. George në Londër, thotë se Afganistani është prej kohësh i vetmi vend në botë, ku shkalla e vetëvrasjeve te gratë është më e lartë se te burrat.
Në një ese të vitit 2017, të bazuar në hulumtimet e saj, Ahmad ka shkruar se 80 për qind e rreth 3,000 vetëvrasjeve në vit ishin gra.
Sipas saj, shkalla e dhunës në familje kundër grave dhe vajzave në Afganistan ka qenë ndër më të lartat në botë.
“Tetëdhjetë për qind e martesave bëhen pa pëlqimin e nuses, e cila shpesh është fëmijë”, thotë Ahmad.
Sipas saj, gratë afgane që kanë tentuar të vetëvriten dhe kanë mbijetuar, shpesh janë braktisur nga familjet e tyre, për shkak të tabusë që bart vetëvrasja.
SHIKONI EDHE: Versioni i talibanëve i Ligjit të SheriatitPsikiatërit thonë se pacientët që vuajnë nga depresioni ekstrem shpesh reagojnë pozitivisht ndaj ndryshimeve në mjedisin e tyre, rekreacionit dhe udhëtimit.
Studimi i Kovess-Masfetyt ka arritur në përfundimin se edukimi është gjithashtu një zgjedhje efektive për gratë afgane me depresion klinik.
Por, këto mundësi trajtimi janë zhdukur me kufizimet e vendosura nga Qeveria e re, e udhëhequr nga talibanët e Afganistanit.