Ndërlidhjet

Ëndrrat e varrosura të vrapueses afgane


Fotografi arkivi: Një ekip i vajzave çikliste nga provinca Bamijan e Afganistanit.
Fotografi arkivi: Një ekip i vajzave çikliste nga provinca Bamijan e Afganistanit.

Një vrapuese në Afganistan thotë se uniformat që ajo dhe gratë e tjera sportiste kanë veshur në garat vendore dhe ndërkombëtare, kanë mbuluar plotësisht trupin e tyre dhe nuk kanë shkelur normat islamike të hixhabit, siç pretendojnë talibanët.

Me këto komente, atletja profesioniste, 24 vjeçe - emri i së cilës nuk do të publikohet për shkak të sigurisë së saj - i përgjigjet një zyrtari të lartë taliban, i cili, javën e kaluar, ka thënë se gratë afgane nuk do të lejohen të luajnë “sporte ku ekspozohen”.

Grupi islamik taliban kontrollon pjesën më të madhe të Afganistanit qysh më 15 gusht.

“Gjatë stërvitjeve dhe garave, kemi vënë shalle koke, kemi veshur bluza me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata. Mbi pantallona kemi veshur funde”, thotë vrapuesja nga Kabuli.

Sipas saj, ajo dhe shoqet e saj të skuadrës gjithmonë janë siguruar që trupat e tyre të mos ekspozohen gjatë stërvitjeve dhe garave.

“Unë kurrë nuk e kam hequr shallin tim në asnjë garë, kudo në botë, dhe organizatorët e ngjarjeve të huaja kurrë nuk kanë kundërshtuar. Ata e kanë respektuar atë si zgjedhjen tonë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

"Islami nuk është dhunë, as ndarje"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:11:57 0:00

Qeveria talibane, që është formuar në fillim të këtij muaji, nuk e ka shpallur publikisht politikën e saj ndaj sportit të grave.

Më 14 shtator, Bashir Ahmad Rustamzai, drejtor i ri i përgjithshëm për sportin, ka thënë se udhëheqësit e lartë talibanë janë ende duke vendosur për këtë çështje.

Por, nënkryetari i Komisionit kulturor të talibanëve, Ahmadullah Wasiq, ka thënë së voni se gratë afgane mund të mos lejohen të luajnë sporte, sepse trupat e tyre do të ekspozohen gjatë garave.

“Në kriket dhe sporte të tjera, gratë nuk mund ta respektojnë kodin islamik të veshjes. Është e qartë se ato do të ekspozohen dhe nuk do ta ndjekin kodin e veshjes. Islami nuk e lejon këtë”, ka thënë Wasiq.

Këto komente sugjerojnë se talibanët do të ndjekin një interpretim të ashpër të ligjit islamik, duke kufizuar shumë të drejta.

“Burka nuk është kulturë afgane”
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Vrapuesja nga Kabuli, e cila ka filluar të merret me sport kur babai i saj e ka çuar në një qendër sportive në moshën 10-vjeçare, thotë se i ka “varrosur” ëndrrat e saj dhe se nuk ka shpresë se do të lejohet të kthehet përsëri në sport.

“Ajo çfarë shoh përpara, është errësirë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Kam frikë për sigurinë time dhe të familjes sime. Nuk dua t'i vë në rrezik duke u përpjekur të vazhdoj karrierën time”, shton ajo.

Komentet e Wasiqit gjithashtu rrisin shqetësimet për qëndrimin e përgjithshëm të talibanëve ndaj të drejtave dhe lirive të grave në Afganistan, shumica e të cilave janë kufizuar shumë gjatë sundimit të ashpër të grupit në vitet 1996-2001.

“Talibanët po i pengojnë gratë që punojnë të kthehen në punët e tyre të rregullta në zyra, kështu që unë nuk mendoj se ata do t'i lejojnë gratë të marrin pjesë në gara në stadiume, para turmave”, thotë vrapuesja.

Përkundër mungesës së objekteve moderne sportive dhe shikimeve mosmiratuese nga fqinjët e saj konservatorë, vrapuesja thotë se ishte e lumtur të bënte atë që i pëlqente asaj dhe familjes së saj.

Por, ajo thotë se nuk ka dalë nga shtëpia e saj qëkur talibanët janë rikthyer në pushtet, më 15 gusht.

Ajo gjithashtu ka punuar si trajnere - një profesion që e kishte planifikuar për të ardhmen e saj pas tërheqjes nga konkurrenca.

Në karrierën e saj, ajo ka fituar shumë medalje ari, argjendi dhe bronzi në garat vendase.

Ajo po ashtu ka përfaqësuar Afganistanin në garat në Iran, Kazakistan dhe vende të tjera.

Ajo dhe shoqet e saj të skuadrës janë kthyer në Kabul nga një udhëtim jashtë vendit vetëm disa ditë para se të binte Qeveria e mbështetur nga Perëndimi dhe talibanët të merrnin kontrollin e Kabulit.

E pyetur nëse ka marrë ndonjë kërcënim specifik nga talibanët, ajo thotë se ndjen se ekziston një klimë frike në përgjithësi për të gjitha gratë e karrierës në Afganistan.

“Fotografitë e mia me emrin tim janë të varura në Komitetin Sportiv dhe Olimpik, ku zyrtarët e rinj talibanë janë ulur tani. Kam frikë se ata do të vijnë pas meje”, thotë vrapuesja.

Dhjetëra atletë profesionistë janë larguar nga Afganistani që nga rikthimi i talibanëve në pushtet.

Këtë javë, disa vajza që kanë luajtur për ekipin kombëtar të futbollit të Afganistanit, kanë kaluar kufirin në Pakistan, së bashku me trajnerët dhe familjarët e tyre.

Atletet thuhet se i kanë dërguar letër kryeministrit pakistanez, Imran Khan, duke i kërkuar leje për të hyrë në atë vend. Lojtaret kanë thënë se kanë qenë nën “kërcënime të mëdha” nga talibanët.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG