Alsu Kurmasheva, Evan Gershkovich, dhe Paul Whelan – tre qytetarët amerikanë të liruar në këmbimin më të madh të të burgosurve prej Luftës së Ftohtë – janë kthyer në Shtetet e Bashkuara më 1 gusht, ku u mirëpritën nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe familjet e tyre në Joint Base Andrews, pranë Uashington DC.
Ata ishin pjesë e një grupi prej 16 të burgosurve që Rusia dhe aleatja e saj e ngushtë, Bjellorusia, i liruan në këmbim për tetë rusët që po mbaheshin nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera.
Biden, i cili më herët gjatë ditës e cilësoi si historik këmbimin gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë, i mirëpriti ata së bashku me nënpresidenten Kamala Harris, teksa anëtarët e familjeve, kolegët dhe mediat vështronin.
Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë, Gershkovich, gazetar i Wall Street Journal dhe Whelan, ish-marins amerikan, janë që të gjithë qytetarë amerikanë.
Whelan ishte i pari që doli nga avioni dhe u përqafua menjëherë nga Biden, ndërsa pas tij doli Gershkovich, i cili u mirëprit me duartrokitje teksa e përqafoi presidentin.
Kurmashova ishte e fundit nga kjo treshe që doli nga avioni dhe, edhe ajo, u përqafua nga Biden dhe u mirëprit me duartrokitje nga turma e mbledhur atje.
Gershkovich, 32 vjeç, u arrestua në Rusi në mars 2023 derisa po raportonte gjatë një udhëtimi në Jekaterinburg. Ai u dënua në korrik me 16 vjet burgim për akuzat për spiunazh, të cilat u mohuan nga Shtetet e Bashkuara dhe punëdhënësi i tij, Wall Street Journal.
"Nuk është keq", tha ai kur u pyet nga gazetarët se si ndihej që më në fund u kthye në shtëpi, pasi i kaloi 491 ditë në burg.
Kurmasheva, 47-vjeçarja nënë e dy fëmijëve, u arrestua në Kazan në tetor 2022 dhe fillimisht u akuzua se dështoi të regjistrohej si "agjente e huaj" në bazë të ligjit ndëshkues rus, i cili i ka në shënjestër gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerët.
Ajo u akuzua më vonë për shpërndarjen e informatave të rrejshme për ushtrinë ruse dhe u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim.
I pyetur se çfarë do t’i thoshte Putinit pas këmbimit, presidenti u përgjigj: “Mjaft”, duke iu referuar futjes së amerikanëve në paraburgim për akuza të dyshimta.
“Nuk pajtohem me këtë idenë... lini këta njerëz të kalben në burg, sepse njerëz të tjerë mund të kapen”, shtoi presidenti, duke i hedhur poshtë kritikat se këmbime të tilla mund të ndikojnë që amerikanë të tjerë të burgosen.
Kur njoftoi për këmbimin e të burgosurve, Biden e kritikoi Rusinë për mbajtjen e "gjyqeve të kurdisura" që çuan në burgosjen e Gershkovichut, Whelanit dhe Kurmashevës, duke thënë se "që të tre u akuzuan rrejshëm se ishin spiunë".
Më herët, Biden tha se u nevojitën “koncesione të rëndësishme” nga Gjermania për këmbimin e të burgosurve, pasi ajo e liroi kolonelin e FSB-së, Vadim Krasikov, që ishte dënuar për vrasjen e një ish-militanti çeçen në Berlin më 2019.
Në këmbim u përfshi edhe Vladimir Kara-Murza, me shtetësi ruse dhe britanike, i cili ishte burgosur për shkak të komenteve kritike për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia.
"Alsu, Evan, Paul, Vladimir dhe të tjerë, ju e keni vendin në shtëpitë e juaja me familjet dhe me më të dashurit tuaj", shkroi në X presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.
LEXONI EDHE KËTO:
Kush u lirua në këmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit?Kurmasheva e Gershkovich në mesin e të liruarve gjatë këmbimit të të burgosurve mes Rusisë dhe SHBA-sëPasi të kenë kaluar kohë me familjet dhe miqtë e tyre, Kurmasheva, Gershkovich dhe Whelan do të udhëtojnë për San Antonio, Teksas, për tretman mjekësor dhe për t'u marrë në pyetje nga zyrtarët amerikanë.
Lirimi i 16 personave nga Rusia dhe Bjellorusia përfshiu pesë qytetarë gjermanë dhe shtatë rusë, të cilët ishin të burgosur politikë në vendet e tyre.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, prindërit e Ksenia Fadeyeva, njërës prej aktivisteve ruse të liruara nga Moska në këtë këmbim, thanë se hera e parë që dyshuan se diçka po punohej në këtë drejtim ishte kur filluan të dëgjojnë çdo herë e më shumë për temën e këmbimit të të burgosurve në media.
"Ajo, natyrisht, nuk mendonte se do të lirohej kështu. As ne nuk menduam. Është njëfarë mrekullie", tha nëna e saj, Iryna Fadeyeva.
Fadeyeva, 32-vjeçare, është ish-ligjvënëse vendëse dhe ish-shefe e zyrës rajonale të Navalnyt në qytetin Tomsk të Siberisë. Në dhjetor 2023, ajo u dënua për akuza si, organizimin e aktiviteteve të një grupi ekstremist dhe u dënua me nëntë vjet burgim. Ajo ndodhet në Gjermani tani, pasi u lirua.
"Nuk dimë asgjë me siguri, por ne jemi qytetarë të thjeshtë, nuk jemi personel ushtarak, pa kufizime për të hyrë dhe për t'u larguar nga vendi. Mendoj se do të na lejojmë të takohemi", tha babai i saj, Vladislav Fadeyev.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se vendimi për lirimin e Krasikov ishte i vështirë. Por, ai tha se u desh të vlerësohej nëse interesi i shtetit për ta ndëshkuar atë ishte më i madh se "rreziku me të cilin përballen njerëzit e pafajshëm në burgjet ruse dhe të burgosurit politik".
Biden tha se Gjermania nuk ka kërkuar asgjë në këmbim të këtij vendimi.
Derisa të liruarit festuan, ata thanë gjithashtu se mbesin të shqetësuar për të tjerët që nuk u përfshinë në këmbim.
Marc Fogel, një mësues i anglishtes 62-vjeçar, është njëri ndër ta.
Ai u arrestua në aeroportin e Moskës më 2021 për shkak se po barte rreth 14 gram marijuanë mjekësore, për të cilën tha se i ishte përshkruar për ta luftuar dhimbjen e madhe pas operimit në shpinë, krah dhe gju. Ai u dënua me 14 vjet burgim, pasi prokurorët pretenduan se qëllimi i tij ishte t'ua shiste studentëve të tij drogën.
Polonia, Sllovenia dhe Norvegjia luajtën role gjithashtu në këmbim, duke ia liruar Moskës rusët që po i mbanin.
Turqia, aleate e NATO-s, e cila gjithashtu ka marrëdhënie të mira me Moskën, u përfshi dukshëm në lehtësimin e bisedimeve për këmbimin e të burgosurve, pasi këmbimi ndodhi në Ankara.