Të raportosh nën zhurmët e eksplozivëve e tankeve nuk është diçka e panjohur për Marian Kushnir, korrespodent i Radios Evropa e Lirë në Ukrainë.
Nga viti 2015 ai kishte raportuar nga frontet e konfliktit mes ushtrisë ukrainase dhe forcave separatiste të mbështetura nga Rusia në dy rajonet lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck – që njihen me termin Donbas.
Kushnir rastisi pikërisht në këtë zonë më 24 shkurt kur Federata Ruse nisi sulmin ndaj Ukrainës.
Ai thotë se nuk e dinte shkallën e vërtetë të sulmit derisa arriti në qytetin Harkiv, një ndër zonat e para të sulmuara nga Rusia.
“Pashë njerëz shumë të frikësuar”, tregon ai.
Që nga ajo kohë, Kushnir po qëndron në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ku raporton çdo ditë për avancimin e forcave ruse drejt qytetit.
Edhe pse gazetar me përvojë nga zonat e konfliktit, lufta që nisi para 12 ditësh, sipas Kushnirit është me shumë të papritura.
“Në Donbas ka qenë një luftë me pozicione [të ditura]. Por, sot ne nuk e dimë çfarë po ndodh në terren. Çdo ditë është një informacion i ri”, tregon ai.
Puna si gazetar në Ukrainë në këtë kohë, sipas tij, është e rrezikshme dhe e lodhshme, por e domosdoshme për ta nxjerrë të vërtetën nga zona e krizës.
“Çdo ditë është ndryshe. Çdo ditë provoj të shkoj në vendet me rrezik. Në disa vende gjatë natës nuk mund të lëvizim. Ne provojmë të flemë, ndonjëherë flemë në veturë”, tha ai.
Përveç frikës nga sulmet e mundshme ajrore apo tokësore, sipas gazetarit, shpesh ka ndalesa nga forcat ushtarake - të të dyja palëve - që kërkojnë informacione mbi identitetin e gazetarëve.
“Është shumë e rrezikshme të bësh video sepse të gjithë të pyesin kush je, kërkojnë t’ua tregosh fotografitë”, tregon ai.
*Video e realizuar nga Kushnir, pas një sulmi më 2 mars në Borodjanka, në afërsi të Kievit.
Your browser doesn’t support HTML5
Një motiv për punën e Kushnirit, sipas tij, është raportimi mbi dëmet që iu bëhen civilëve.
Sipas të dhënave nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, më 7 mars, 406 civilë në Ukrainë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus, 12 ditë më parë.
Megjithatë, sipas OKB-së, shifra e vërtetë ka gjasa të jetë shumë më e lartë.
“Mangësi të mëdha në furnizime”
Për luftën në Ukrainë raporton edhe gazetari i televizionit ABC në Shqipëri, Taulant Koplikaj. Ai, së bashku me ekipin e tij, ishte nisur për në Ukrainë më 3 mars.
“Kemi mbërritur në një qytet të vogël, në Lviv, dhe kemi marrë një rrugëtim për në Kiev, i cili normalisht do të duhej të bëhej për 9 orë”, tregon Koplikaj, duke shtuar se udhëtimi i tyre zgjati 22 orë për shkak se nuk guxuan të kalonin në rrugët kryesore.
Ai thotë se kishin frikë të ndesheshin me ndonjë pikë kontrolli të ushtrisë ruse apo separatistëve rus, sepse thotë se kishin dëgjuar që ka pasur të shtëna drejt veturave të gazetarëve më parë.
“Kemi pasur edhe frikën se mos drejtuesi i veturës po pëson aksident sepse ka ecur deri në 120 kilometra në orë vetëm për t’iu shmangur atyre (post-blloqeve)”, tregon Koplikaj.
Me të mbërritur në Kiev, ai thotë se panë një qytet të blinduar gjithandej nga ushtria ukrainase në përpjekje për të mbajtur jashtë forcat ruse.
“Qyteti është thuajse i shkretë, ka ndonjë lëvizje tek-tuk. Po vërejmë që çdo ditë e më shumë, edhe ato makina që lëviznin janë zhdukur nga rrugët”.
Koplikaj tregon se janë përgatitur me rezerva të karburantit pasi brenda Kievit funksionojnë vetëm tri pikë të mbushjes dhe në to radha është kilometrike.
Edhe reporteri Kushnir thotë se i është dashur të përgatitet me rezerva ushqimore e furnizime paraprakisht.
“Në Kiev duhet të presim me orë për të blerë karburant. Në shitore nuk ka mish, ka pak bukë apo qumësht, por në markete nuk janë shumë gjëra që kanë qenë më parë”, tregoi ai.
Solidarizim i nevojshëm me gazetarët në front
Që nga nisja e luftës në Ukrainë, sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 1.7 milion persona janë larguar nga Ukraina.
Megjithatë, organizatat e gazetarëve në Ukrainë thonë se brenda komunitetit të gazetarëve nuk janë regjistruar shumë shpërngulje nga Ukraina.
“Gazetarët ukrainas janë shumë të guximshëm dhe patriotë. Shumica mbetën në rajonet e tyre”, kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Sergiy Tomilenko, kryetar i Unionit të Gazetarëve në Ukrainë (NUJU).
Gazetarët e Ukrainës, sipas këtij unioni, nuk kanë shfrytëzuar mundësinë e evakuuimit nga Ukraina megjithëse janë falënderues ndaj shteteve që ofrojnë këtë mundësi.
Qeveria e Kosovës më 1 mars është zotuar se do të jetë nikoqire e 20 gazetarëve nga Ukraina, nëse shprehin dëshirën të largohen nga vendi i tyre.
SHIKONI EDHE: Gazetarët ukrainas falënderues ndaj KosovësDeri më tani, sipas shoqatave të gazetarëve në Ukrainë, nuk është krijuar ndonjë listë e gazetarëve që potencialisht do të mund të shfrytëzonin këtë mundësi.
“Gazetarët janë të vetëdijshëm për mundësinë e evakuimit në vendet evropiane. Por, shumica e kolegëve tanë preferojnë të qëndrojnë në Ukrainë në mënyrë që të mos humbasin kontaktin me audiencën dhe të ndihmojnë vendin në luftën kundër agresorit”, tha Lina Kushch, sekretare e NUJU-së.
Kushch thotë se në të njëjtën kohë, janë të vetëdijshëm se kushtet e punës për gazetarët po bëhen gjithnjë e më të vështira.
“Nuk ka banesa të mjaftueshme, një ngarkesë e madhe në infrastrukturë, nuk ka kushte për punën e plotë të gazetarëve. Prandaj, ndihma e ofruar nga partnerët tanë është shumë në kohë”, tha ajo.
Derisa nuk ka një shifër për numrin e gazetarëve ukrainas, Unioni i Gazetarëve të Ukrainës thotë se 18,000 anëtarë dhe është unioni më i madh i gazetarëve në vend.
Një tjetër shoqatë e gazetarëve atje është Sindikata e Pavarur e Mediave të Ukrainës (IMTUU).
Në një koment për Radion Evropa e Lirë, kjo sindikatë ka thënë se kushtet e punës së redaksive në Ukrainë “janë të tmerrshme”, veçanërisht në zonat e kontrolluara nga forcat ruse.
Your browser doesn’t support HTML5
Sindikata ka bërë të ditur se një raketë që goditi një kullë të transmetimit në Kiev, më 1 mars, vrau edhe një kameraman në mesin e civilëve tjerë që ishin viktima të sulmit.