G7 kërkon pauzë humanitare në Gazë dhe lirim të pengjeve

Ndërtesa të shkatërruara në Rripin e Gazës. 8 nëntor 2023.

Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) bënë thirrje për pauzë humanitare në luftën Izrael-Hamas në mënyrë që të lejohet dërgimi i ndihmës dhe të ndihmohet procesi i lirimit të pengjeve.

Pas takimit dyditor në Tokio, përderisa forcat izraelite vazhduan të sulmonin Rripin e Gazës, G7 përmes një deklarate të përbashkët tha se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten. Por, ministrat po ashtu theksuan nevojën për mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar.

Anëtarët e G7-s janë të përgatitur për një zgjidhje afatgjatë në Gazë dhe kthimin në një proces më të gjerë të paqes për konfliktin izraelito-palestinez “në linjë me parametrat e dakorduara ndërkombëtarisht”, u tha në deklaratë.

Ministrat thanë se ndajnë mendimin se “zgjidhja me dy shteteve vazhdon të jetë mënyra e vetme për një paqe të drejtë, afatgjatë dhe të sigurt”.

SHIKONI EDHE: SHBA shtyn përpara zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez

Kjo është deklarata e dytë që G7 ka lëshuar që kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.400 persona dhe duke rrëmbyer afër 240 të tjerë, sulm që nxiti luftën.

Që atëherë, Izraeli ka bombarduar Gazën duke vrarë mbi 10.000 palestinezë, 40 për qind e tyre fëmijë, sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

“Besojmë që është e rëndësishme që G7 ishte në gjendje të formulojë mesazhin e parë të unifikuar në një deklaratë të përbashkët sa i përket pauzës humanitare... në kuptim të përgjegjësisë që G7 ka ndaj komunitetit ndërkombëtar”, tha për gazetarët ministri i Jashtëm japonez, Yoko Kamikawa.

I pyetur nëse të gjithë anëtarët e G7-s kanë bërë thirrje për pauzë humanitare apo nëse disa ishin në favor të një armëpushimi të plotë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se deklarata e përbashkët reflekton në mënyrë të drejtë diskutimet e bëra, duke shtuar se ka pasur “unitet të vërtetë” në G7.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli mund ta shqyrtojë mundësinë e “pauzave të shkurta taktike”, por ai ka refuzuar kërkesat për armëpushim, duke thënë se një armëpushim do t’i lejonte Hamasit që të rigrupohej.

SHIKONI EDHE: Izraeli thotë se është i hapur për “pauza të shkurtra” në Gazë

Në deklaratë po ashtu G7 përsëriti mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, theksoi nevojën për një angazhim të sinqertë me Kinën dhe dënoi testet e raketave nga Koreja e Veriut dhe dërgimin e armëve në Rusi.

Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia. Po ashtu, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë marrë pjesë në takim.