Ndërlidhjet

Izraeli thotë se është i hapur për “pauza të shkurtra” në Gazë


Shkatërrimet e shkaktuara nga sulmet izraelite në një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës. 7 nëntor 2023.
Shkatërrimet e shkaktuara nga sulmet izraelite në një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës. 7 nëntor 2023.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli është i hapur për “pauza të shkurtra” në luftën kundër militantëve palestinezë të Hamasit.

Megjithatë, ai nuk ishte i qartë nëse kishte arritur ndonjë pajtim për ndonjë pauzë të shkurtër ose nëse Shtetet e Bashkuara ishin të kënaqura me zotimet e Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka ngritur çështjen e nevojës për pauzë humanitare gjatë bisedës telefonike që zhvilloi me Netanyahun të hënën, por nuk u arrit ndonjë marrëveshje, tha Shtëpia e Bardhë.

Pauza humanitare po kërkohet në mënyrë që të lehtësohen dërgesat e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës dhe lirimi i disa prej 240 pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Netanyahu, gjatë një interviste për ABC News, po ashtu tha se nuk mund të ketë një armëpushim të përgjithshëm në Gazë pa lirimin e pengjeve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, numri i viktimave nga sulmet izraelite ka arritur në 10.000.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë aftësitë e Hamasit për të qeverisur me Gazën dhe për të sulmuar Izraelin.

Që nga 7 tetori, Rripi i Gazës – shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve – ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme ajrore. Ky territor është rrethuar nga Izraeli dhe trupat tokësore po vazhdojnë operacionet e tyre brenda pjesës veriore të qytetit të Gazës, që sipas autoriteteve izraelite, është ndarë nga pjesa tjetër e Rripit të Gazës.

Izraeli ka thënë se shumica e infrastrukturës së Hamasit gjendet në pjesën veriore të Gazës dhe ka urdhëruar banorët të zhvendosen në jug. Por, Izraeli ka vazhduar bombardimet në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë edhe në pjesën jugore, ku banorët janë urdhëruar që të evakuohen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG