Fusnota deri në njohjen e plotë nga BE-ja

Fotografi nga arkivi

Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në forumet dhe nismat rajonale, do të vazhdojë derisa vendi të mos njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, vlerësojnë ish-zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve politike.

Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.

Edita Tahiri, ish-shefe e ekipit te bisedimeve të Kosovës, në kuadër të dialogun me Serbinë në Bruksel, thotë për Radion Evropa e Lirë se fusnota nuk ka qenë diçka e re për Kosovën, për shkak se, sipas saj, deri në vitin 2011, kur ka nisur dialogu për çështje teknike me Serbinë, Kosova është prezantuar “nën Rezolutën 12 44 të Kombeve të Bashkuara”.

Pozicioni i Kosovës, sipas Tahirit ka avancuar në dialogun e Brukselit, prezantimit të saj me Rezolutës 12 44 i është shtuar edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili e njeh legjitimitetin e deklaratës së pavarësisë.

Pse u desh tutje fusnota? Sepse kemi pesë vende të BE-së që nuk na njohin dhe rruga e Kosovës për në Bashkimin e Evropian do të bllokohej. Këto pesë vende që nuk na kanë njohur nuk do ta votonin përparimin e Kosovës, konkretisht, nuk do ta votonin MSA-në (Marrëveshjen për Stabilizim Asociim), të cilën e votuan. Në momentin kur këto pesë vende do të njohin Kosovën, fusnota hiqet, sepse Kosova më nuk do të ketë probleme të integrimit në Bashkimin Evropian. Tani, (fusnota) ka dalë nga dialogu dhe dikush e lidhë me Serbinë. Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk ka mundur ta pengojë Kosovën”.

Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se për Kosovën, aktualisht, më e rëndësishme është, siç thotë ai, që të bëj lëvizje me përmbajtje, se sa të insistojë në çështjen e simbolikave, përfshirë edhe fusnotën.

Në momentin akut, kur po definohen raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe Kosovës dhe BE-së, më e rëndësishme se heqja e simboleve, simbolikave, që janë pengesa për njohjen e shtetit të pavarur, është fillimi i rishikimit të aspektit përmbajtësor, veçmas nga shtetet, të cilat kanë qenë shkak për vendosjen e fusnotës”.

Megjithatë, Tahiri thekson se edhe pa njohjen e pesë vendeve të Bashkimit Evropian, në mjaft raste Kosova mund të prezantohet pa fusnotë në mekanizma dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Në rastet kur në organizatat ndërkombëtare sigurohet shumica (e vendeve anëtare) për anëtarësimin e Kosovës, aty as që duhet fusnota. E kemi rastin e anëtarësimin e Doganave të Kosovës në Doganat Ndërkombëtare. Meqenëse është siguruar shumica e nevojshme, me rregulloret e tyre, për anëtarësim, nuk ka pasur nevojë. Pra, gjithkund ku ne sigurojmë shumicën dhe ajo shumicë nuk e kushtëzon me këtë fusnotë, atëherë fusnota nuk të obligon”, thekson Tahiri.

Politologu Beqaj, vlerëson se Kosova duhet t’i qaset vlerësimeve të Bashkimit Evropian lidhur me arritjet e dialogut me Serbinë dhe rrjedhimisht edhe mundësive të rishikimit të politikave të jashtme të pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kur ka përparime me Serbinë, pse të mos ketë përparime me pesë vendet tjera (të BE-së). Të hapet tema e fillimit të rishikimit të politikave të jashtme të shteteve konkrete, të asaj pesëshe, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Për shembull, unë jam i sigurt që Greqia mund ta bëj këtë. Jam i sigurt që edhe Rumania. Kur të vijë puna deri te Spanja, e cila e ka problemin e saj se pse nuk ka mirëkuptim për këtë punë, atëherë , nëse mbetet vetëm një vend, unë mendoj se do të jetë kjo çështje pak a shumë e kryer”.

Marrëveshja për fusnotën, ishte arritur më 24 shkurt të vitit 2012 në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ajo nënkupton pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 12 44 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.