Të gjithë në fushatë, harrojnë obligimet shtetërore

Foto ilustruese nga fushata për zgjedhjet e 11 qershorit

Analistët politikë në Prishtinë, kritikojnë zyrtarët e institucioneve [nga radhët e partive politike që po marrin pjesë në zgjedhje], se po lënë shumë çështje të papërfunduara në institucione dhe po marrin pjesë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit.

Ata thonë se me mosparaqitjen e tyre në punë, në masë të madhe dëmtohet vendi dhe bashkë me të, edhe qytetarët.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se derisa ata zyrtarë marrin paga dhe janë zyrtarë në detyrë, do të ishte dashur t’i kryejnë obligimet ligjore që kanë dhe më pas të shkojnë në fushata.

Mushkolaj thekson se nuk është hera e parë që përfaqësuesit e partive politike që kanë poste udhëheqëse në institucione, veprojnë në këtë mënyrë. Ai thotë se veprime të tilla janë duke bërë zyrtarët, si kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ministra e zëvendësministra, të cilët, siç shprehet ai, “ende pa filluar fushata zgjedhore, kanë nisur të largohen nga vendet e punës”.

"Ata paguhen për të kryer punën si zyrtarë të emëruar në institucione. Unë besoj se edhe në këtë rast përgjegjësia është shumë e madhe duke filluar që nga kreu më i lartë, në këtë rast kryeministri në detyrë, por edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, ministra e zëvendësministra në detyrë", thotë Mushkolaj.

Edhe analisti tjetër Artan Muhaxhiri, mendon se veprimet e tilla janë të dëmshme për institucionet, pasi, sipas tij, në shumë institucione mbesin peng shumë plane e projekte, të cilat mund të kenë qenë në proces.

"Në Kosovë është bërë traditë që me fillimin e shfaqjes së indikacioneve për zgjedhje, të gjithë ata përfaqësues të partive politike që janë në institucione, t'i lënë pas dore obligimet dhe detyrat e tyre në institucione dhe të fokusohen krejtësisht në fushatat e partive të tyre respektive", thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Mushkolaj tregon se gjatë këtyre ditëve ka pasur raste kur për shkak të një nënshkrimi të një ministri, kanë mbetur çështje të papërfunduara.

"Ka ndodhur që në javët e kaluara, qytetarët të dëmtohen për shkak të zvarritjes së vënies së një nënshkrimi nga ana e një ministri, që ka të bëjë me jetën e tyre të përditshme. Qytetarëve nuk iu intereson nëse zyrtari i caktuar, qeveritar, është në fushatë zgjedhore, por atij i intereson që ai të përfundojë punën", thekson Mushkolaj.

Muhaxhiri thotë se veprimet e tilla, kur zyrtarët nuk dalin në punë, ose dalin më herët nga puna, shfrytëzojnë zbrazëtirat ligjore, për të cilat thotë se do të duhej të ishin më të sakta.

"Për fat të keq kjo çështje nuk është sanksionuar me ligj, sepse do të duhej që ligji të ishte shumë më i qartë", thotë Muhaxhiri.

Analistët theksojnë se zyrtarëve duhet t’u ndalohet që gjatë orarit të punës të marrin pjesë në aktivitete të tjera e fushata zgjedhore.

Në Ligjin për zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë thuhet se “subjektet politike nuk mund të shfrytëzojnë nëpunësit civilë që përdorin pozitën, burimet, ose personelin për fushatë gjatë zgjedhjeve”.

Aty, po ashtu, theksohet se “përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal, me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje, është rreptësisht i ndaluar”.