Ngjitësi “Merkeln” që e mbajti Brukselin të bashkuar

Angela Merkel

Nga të gjitha samitet e Bashkimit Evropian që kam ndjekur si pjesëtar i shtypit në 15 vjetët e fundit - dhe ka pasur qindra për shkak të të gjitha krizave që kanë goditur bllokun - kam parë udhëheqës nga i gjithë kontinenti që vijnë e shkojnë, duke i shijuar momentet në qendër të vëmendjes evropiane, përpara se të ktheheshin në zymtësinë e politikave të brendshme ose të dilnin në pension.

Por, gjithmonë ka qenë një gjë e pandryshueshme: prania e kancelares gjermane - tani në largim - Angela Merkel.

Kjo tashti do të ndryshojë. Vendi i saj shkon në zgjedhje këtë të diel pa emrin e saj në fletëvotime - për herë të parë qysh në vitin 2005. Kjo nënkupton fundin e një epoke jo vetëm për Berlinin, por njësoj edhe për Evropën dhe Perëndimin.

Pashmangshëm, shumë do ta japin verdiktin e tyre për atë se cila është trashëgimia e saj. Derisa unë mendoj për takimet në Bruksel, ka shumë aryse për ta lavdëruar dhe kritikuar.

Unë nuk do ta kurorëzoj si “Mbretëreshë të Evropës”, as nuk do ta shpall “udhëheqëse të botës së lirë”, por ajo nuk i meriton as karikaturat me mustaqe të Hitlerit që kanë publikuar kundërshtarët e saj.

SHIKONI EDHE: Vështrim nga Brukseli: Kush mund ta pasojë Merkelin?

Për mua, ajo ka qenë thjesht ngjitës që i mbante gjërat së bashku - së paku në nivelin evropian. Dhe, kam frikë se BE-së do t’i mungojë shpejt.

Në dhomat e shtypit të Këshillit Evropian, pas një samiti në Bruksel, ka pasur gjithmonë diçka për t’u parë. Zhurma dhe sjellja ekstravagante e presidentit francez, Nicolas Sarkozy, gurgullima e bashkatdhetarit të tij, Emmanuel Macron, me idetë e madhështisë, grindjet e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me gazetarët e huaj, apo udhëheqësi gazmor i Luksemburgut, Xavier Bettel, i cili fliste katër gjuhë brenda minutash.

Megjithatë, dhoma më e vizituar e shtypit ka qenë gjithmonë ajo e Merkelit. Jo sepse ajo vërtet e ka merituar. Ajo ka qenë kryesisht e lodhshme, e qetë dhe e matur.

Ajo nuk ka qenë vizionare, kjo është e sigurt. Por, ka qenë menaxhuese e aftë e krizave, që ka preferuar ndryshime të mëdha ose asnjë.

Prej saj ka lindur zhargoni gjerman “Merkeln”, që do të thotë “të ngurrosh” ose thjesht “të mos bësh asgjë”.

Merkel ka bërë “merkeln” kur ka shpërthyer kriza n Eurozonë, duke preferuar t’i mbrojë taksapaguesit dhe bankat gjermane dhe duke imponuar reforma të ashpra strukturore dhe masa shtrënguese në shtetet jugore të BE-së.

Kjo për pak sa nuk e ka prishur bllokun, ka zhgënjyer një brez të ri evropianësh për të ardhmen e tyre ekonomike dhe ka krijuar shumë euroskeptizëm në vendet ku më parë nuk kishte. Por, prapëseprapë, Eurozona ka mbetur e paprekur, asnjë anëtar nuk ka ikur.

SHIKONI EDHE: Merkel: Ballkani ka rrugë të gjatë drejt BE-së

Gjatë krizës me migrantë, në anën tjetër, ajo ka marrë vendim të jashtëzakonshëm të shpejtë dhe të guximshëm për të mirëpritur miliona njerëz që kanë ikur nga Siria dhe gjetkë. Por, vullneti i mirë nuk ka zgjatur shumë, as në Gjermani - vendin që ende e ndjek e kaluara e tij jotolerante.

Zona e lëvizjes së lirë Shengen mezi funksionon, muret dhe barrierat po shfaqen sërish dhe Evropa nuk ka një sistem të përbashkët azili.

Në vend të kësaj, BE-ja varet nga marrëveshje moralisht të dyshimta me regjimet autoritare, për t'i mbajtur migrantët larg.

Si pasojë e drejtpërdrejtë e valës së migrimit të vitit 2015, në Bundestagun gjerman ekziston një parti populiste e krahut të djathtë - për herë të parë që nga lufta. Në shumë vende të tjera evropiane, parti të tilla janë në pushtet ose afër tij.

Merkel lehtë mund të akuzohet se ka bërë shumë pak për t’iu kundërvënë tendencave joliberale të Hungarisë dhe Polonisë, se ka qenë shumë e butë ndaj Kinës - duke nxituar me një marrëveshje investimi - dhe se ka lejuar zhvillimin e tubacionit të diskutueshëm Rrjedha e Veriut 2, pa marrë parasysh shkeljet e Kremlinit. Të gjitha këto mund të shpjegohen me mosgatishmërinë e saj për të prishur interesat e fuqishme të biznesit gjerman.

Brenda Gjermanisë, Merkel ka rritur pensionet dhe pagat minimale dhe ka zvogëluar gradualisht fuqinë bërthamore. Por, ushtria mbetet e nënfinancuar, revolucioni digjital nuk është që ka shpërthyer dhe sistemet komplekse të taksave ose të mirëqenies së vendit mbeten në fuqi.

Angela Merkel dhe ish-kancelari gjerman, Helmuth Kohl, 1991.

Mungesa e Merkelit, megjithatë, ka shumë të ngjarë të ndihet. Në shumë raste, ajo ka gjetur përgjigje te vrojtimi i Henry Kissingerit se Gjermania është “shumë e madhe për Evropën, por shumë e vogël për botën”.

Ajo e ka ditur shumë mirë se për të promovuar interesat e Berlinit, BE-së dhe NATO-s, ato duhet të qëndrojnë së bashku, por e ka ditur se vendi i saj nuk mund të jetë shumë energjetik, pasi vendet e tjera evropiane frikësoheshin prej tij.

Kjo është arsyeja përse ajo ka punuar për unitet, edhe nëse kjo ka çuar në emërues më të ulët të përbashkët, dhe ka shmangur idetë, deklaratat dhe veprimet e mëdha. Dhe kështu, ngjitësi ka mbajtur, si në Bruksel, ashtu edhe në Berlin. Tani do të duhet dikush me të njëjtën inteligjencë politike për ta mbajtur këtë në të njëjtën mënyrë.

Përgatiti: Valona Tela