Transformimi i FSK-së në ushtri nuk është rrugë pa krye

Forca e Sigurisë së Kosovës

Procesi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës është proces i pakthyeshëm, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, ky proces do të jetë gjithëpërfshirës dhe synohet që të përmbyllet në koordinim të plotë me të gjitha institucionet, komunitetet, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramdani, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i transformimit të kësaj force në Forcë të Armatosur nuk është proces i njëanshëm dhe ka shfaqur optimizmin se pengesat e deritashme në këtë proces do të largohen. Sipas tij, për përmbylljen e këtij procesi, rëndësi më të madhe ka veprimi i përbashkët se sa koha.

“Për Qeverinë e Kosovës, sikurse për Ministrinë e Forcës së Sigurisë, procesi për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura është një proces gjithëpërfshirës, dinamik dhe me koordinim të vazhdueshëm brenda vendit, por edhe me partnerët ndërkombëtarë mbështetës të Kosovës”, tha Ramadani.

“Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që procesi të jetë kushtetues dhe synimi ynë kryesor është që transformimi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, si dhe që kjo vendimmarrje të jetë e plotë dhe e përbashkët”, theksoi tutje Ramadani.

Për transformimin përmes ndryshimeve kushtetuese të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, janë të domosdoshme dy të tretat e votave të kuvendit të Kosovës dhe dy të tretat e votave të dyfishta nga deputetët që përfaqësojnë komitetet pakicë në Kuvend. Deri më tash ky transformim është kundërshtuar kategorikisht nga përfaqësuesit e Listës Serbe.

Mentor Vrajolli, analist në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky proces i transformimit të FSK-së në Forca të armatosura nuk mund të zgjasë pafundësisht.

“Ndryshimet kushtetuese nuk janë të vetmet ato që mund të kompletojnë procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri. Është edhe ndryshimi përmes ligjit, për shkak se Kushtetuta nuk e kushtëzon mandatin e Forcës së sigurisë që të jetë vetëm forcë civile dhe gjithashtu, nuk parasheh ndonjë kufizim për sa i përket numrit, mënyrës së armatimit dhe të tjera”, theksoi Vrajolli.

“Në përgjithësi, Kushtetuta nuk e parandalon transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, por vetëm se e bën të pamundur ndryshimin e emërtimit, që është paraparë me rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë”, tha ai.

Por, zëvendësministri Ramadani, nuk ka specifikuar qartë nëse institucionet e Kosovës do t’i qasen transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, përmes ndryshimeve ligjore, në rast se ndryshimet kushtetuese nuk do të jenë të mundura për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe.

“Vendimet duhet të jenë të koordinuara edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe në të njëjtën kohë, procesi nuk është se ka një rrugë pa krye”, tha Ramadani.

Your browser doesn’t support HTML5

Parakalimi i FSK-së dhe Policisë

Në anën tjetër, ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Wess Mitchell, gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe në Beograd, ka thënë se “Kosova ka të drejtë të formojë forcat e saj profesionale që do të merreshin me sigurinë dhe në të cilat do të përfshiheshin edhe serbët e Kosovës”. Ai ka shtuar se “askush nuk mund të vërë veto dhe të pengojë Kosovën që të zhvillojë strukturat e tilla”.

Analisti Vrajolli vlerëson se autoritetet e Kosovës duhet t’i deshifrojnë porositë brenda deklaratave të ndihmës sekretarit Mitchell.

“Nëse aludohet se procedimi i Forcës së Sigurisë nuk mund të bllokohet, atëherë duhet të procedohet me format, të cilat mund të jenë kushtetuese dhe pa e cenuar atë. Nëse procedohet përmes ndryshimeve kushtetuese, atëherë domosdo kërkohet shumica e dyfishtë (e votave në Kuvend). Nëse procedohet përmes ndryshimeve ligjore, atëherë mund të shmangemi nga shumica e dyfishtë. Është vështirë të komentohet lidhur me atë se çfarë ka dashur të thuhet, por, megjithatë, si epilog, duhet të shihen si të barabarta të dyja mundësitë”, është shprehur Vrajolli.

Lidhur me mundësinë e transformimit të FSK-s në Forca të Armatosura të Kosovës dhe mbështetjen që Kosova ka marrë lidhur me këtë çështje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë reaguar autoritetet e Serbisë, nën kontrollin e të cilave është edhe Lista Serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se “Ushtria e Kosovës është në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare”. Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë theksuar se

se Kosova nuk mund të ketë ushtri dhe sipas tyre, ajo “do të përbënte kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”.