Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me kapacitete ushtarake – që ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar – po zhvillohet sipas planifikimeve, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.
Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky proces tashmë është në fazën e dytë të realizimit të planit gjithëpërfshirës. Kjo fazë që, sipas saj, është përmbushur rreth 85 për qind, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
“Kjo fazë parasheh ngritjen e kapaciteteve luftarake. Gjatë këtyre dy vjetëve, përqendrimi është më shumë në investime në sisteme moderne të armatimit... siç është publikuar tashmë kërkesa e Kosovës për të blerë raketa Javelin. Por, ky nuk është i vetmi sistem që kemi në plan për të blerë”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar më 11 janar se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë 246 raketa Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon ta mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.
Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet, deri në vitin 2028.
Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, detajet e të cilit nuk janë publike, disa nga përgjegjësitë e reja të FSK-së do të përfshinin ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.
Në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit të FSK-së – që nis nga viti 2025 e përfundon më 2028 – Gashi ka thënë se planifikohet ngritja e kapaciteteve ajrore, siç është blerja e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore.
Në shumë drejtime, Gashi ka thënë se është duke u punuar me hapa më të shpejtë sesa që ishte planifikuar në planin e transformimit. Njëra ndër to, është shprehur ajo, ka të bëjë me rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të FSK-së. Nga viti 2021 deri në vitin 2023, sipas saj, janë rekrutuar 1.836 ushtarë të rinj.
FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.
SHIKONI EDHE:
Sa kushton transformimi i FSK-së?Kosova 'nuk kursen' buxhet për UshtrinëKurti: Investimet në armatim janë rritur për 191 për qindEdhe Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), shprehet se autoritetet përgjegjëse po i përmbushin kërkesat për procesin e transformimit. Sipas tij, në bazë të angazhimeve të deritashme, objektivat do të arrihen më shpejt sesa që ishte paraparë.
“Megjithatë, nuk di se a ka plan të detajuar për këtë apo është falë vullnetit të mirë të Qeverisë. Ajo që është vërejtur nga Qeveria aktuale është se ka investim më të madh në sektorin e mbrojtjes”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.
Por, ndryshe mendon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës.
Ai vlerëson se shuma buxhetore e ndarë për investime në armatim mund të sjellë vonesa në përmbushjen e planit të tranzicionit dhjetëvjeçar.
“Ka një rritje simbolike të buxhetit për sektorin e mbrojtjes. Me këtë shumë mundësohet vetëm mbijetesa, pagat e të tjera. Nëse shkohet me këtë trend, me vonesa në zbatimin e projektit të FSK-së, nuk do të përmbushen pritjet në afatet e caktuara”, thekson Berisha.
SHIKONI EDHE: Buxheti, kusht për ngritjen e kapaciteteve të FSK-sëBuxheti i ndarë për këtë vit për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës është mbi 153 milionë euro. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në muajin tetor të vitit të kaluar tha se për dy vjet e gjysmë qeverisje, ekzekutivi ka dyfishuar buxhetin për FSK-së. Investimet për armatim, sipas tij, janë rritur për 191 për qind.
Ndërkaq, në vitin 2022, Qeveria e Kosovës themeloi Fondin e Sigurisë, ku qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në buxhetin e kësaj ministrie përmes një xhirollogarie bankare.
SHIKONI EDHE: Fondi konfidencial i SigurisëVlera e këtyre kontributeve nuk është bërë publike asnjëherë, por nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, vitin e kaluar kishin thënë për REL-in se këto mjete do të investohen për “përmbushjen e objektivit kryesor, që është garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe i mbrojtjes territoriale”.
Përveç kërkesës për blerje të raketave Javelin, vitin e kaluar Kosova bleu nga Turqia edhe dronë Bayraktar.
Në vitin 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.
Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.