Ndërlidhjet

Kosova 'nuk kursen' buxhet për Ushtrinë


Automjetet "Humvee" të FSK-së
Automjetet "Humvee" të FSK-së

Buxheti aktual, konsiderohet i mjaftueshëm për fillimin e procesit të transformimit të Forcës se Sigurisë se Kosovës në një forcë ushtarake.

Kuvendi i Kosovës të premten ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë ushtarake, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Transformimi i FSK-së pritet të kalojë nëpër disa faza dhe të zgjasë nga 7 deri në 10 vjet.

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është paparë që të ketë ngritje graduale të buxhetit të FSK-së.

“Do të thotë është planifikuar që në proporcion me fuqinë ekonomike të vendit, të shtohen edhe financat për Forcën e Sigurisë së Kosovës me mision të ri. Buxheti aktual për vitin 2018 është 53 milionë euro dhe është paraparë që për çdo vit të shtohen nga 5 milionë euro. Për vitin 2019, do të jetë 58 milion euro. Për vitin 2020 – 61 milionë, kurse për vitin 2021 buxheti do të jetë 66 milionë euro. Do të thotë është një ngritje graduale prej 5 milionë eurosh në vit”.

“Mirëpo, ky plan nuk mund të jetë fleksibil, varësisht nga rrethanat e sigurisë në vend dhe rajon dhe sigurisht që shteti, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në do të ketë prioritet në rrethana të caktuara”, bën të ditur Shala.

Pavarësisht kostos, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, tashme kanë deklaruar se ka bazë të mjaftueshme financiare për të ecur tutje me transformimin e FSK-së. Sipas tyre, brenda 10 vjetësh, sa është paraparë të marrë kohë ky proces, nga buxheti i Kosovës do të arrihet të sigurohen mjetet financiare.

*Video nga arkivi: Ceremonia në kazermën "Adem Jashari"

Ceremonia në kazermën "Adem Jashari"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Edhe Plator Avdiu, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duke marrë për bazë buxhetin e Kosovës, shuma e ndarë për Ushtrinë e Kosovës është e mjaftueshme.

Ai thotë se FSK- ja mund të marrë mjete shtesë edhe nga shtete anëtare të NATO-s, konkretisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera që janë shprehur në favor të ndërtimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Duke marrë parasysh se mandati i ri i FSK-së do të jetë ndërtim i kapaciteteve mbrojtëse dhe jo ndërtim i kapaciteteve ofensive ose sulmuese, rritja e buxhetit për çdo vit nga 5 milionë nuk do të thotë se do të mbetet gjithmonë i njëjtë për shkak se kjo shifër, me rritjen progresive të buxhetit të Kosovës mund të rritet edhe përqindja e buxhetit për FSK-në. Kështu që nuk mendoj se kjo mund të paraqesë ndonjë problem shumë të madh”, thotë Avdiu.

Forca e Sigurisë së Kosovës apo Ushtria e Kosovës është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë. Ibrahim Shala thotë se varësisht nga zhvillimi dhe buxheti, Ushtria e Kosovës do të pajiset edhe me armatim.

Automjetet "Humvee" të FSK-së
Automjetet "Humvee" të FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës, javën e kaluar është pajisur me 24 automjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

FSK-ja apo Ushtria e Kosovës, në vitet vijuese, do të pajiset më gjithë armatimin e mjaftueshëm dhe të nevojshëm për t'i kryer detyrat që dalin nga misioni i ri, ka thënë më herët në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kadri Kastrati ish-komandant i FSK-së.

“Kalibri më i madh që është paraparë për Ushtrinë e Kosovës, do të jenë topat deri në 105 milimetra, minahedhës deri 120 milimetra, mbrojtje kundërajrore, helikopterë dhe të gjithë armatimin nën këtë kalibër", ka thënë Kastrati.

FSK-ja është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të së cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës. FSK-ja aktualisht numëron 2500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë, thotë Shala, duke shtuar se ky numër pas ndërrimit të mandatit, do të dyfishohet. Më mandatin e ri parashihet që të ketë 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 pjesëtarë rezervë.

Ndryshe, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake nuk arriti të sigurojë mbështetjen e plotë të NATO-s. Por, ka siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Paqes në Stokholm (SIPRI), vendet e rajonit shpenzojnë vlera të ndryshme për ushtritë e tyre. Sipas këtij instituti, Mali i Zi në vitin e 2017 për ushtri ka shpenzuar më shumë se 63 milionë euro, Shqipëria më se 134 milionë euro, Maqedonia më shumë se 97 milionë euro, kurse Serbia më shumë se 614 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG