T.S., 27-vjeçare nga Prishtina, thotë se pandemia e COVID-19 ka ndikuar në shëndetin e saj mendor, duke i shkaktuar ankth dhe ndjenjë të pasigurisë.
E gjithë kjo ndodhi pasi T.S. është dashur të mbyllet në shtëpi pas shfaqjes së koronavirusit në Kosovë. Ajo nuk mund të shkonte më në punë dhe as të takonte personat e saj më të afërt.
“Kryesisht është manifestuar me ankth, stres të tepërt, në përgjithësi sepse nuk e dinim se çfarë do të bëhet, nuk kishim një përgjigje konkrete. Pagjumësi, çrregullime të disponimit, nervozë, ndjenja të pakënaqësisë dhe të mungesës së motivit”, shprehet ajo.
Sipas, T.S ndikim të madh kanë pasur edhe lajmet e rreme dhe teoritë e shumta të konspiracionit që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale.
“Po besoj që kësaj i ka ndihmuar pak edhe gjendja që kemi qenë të mbyllur edhe të ekspozuar ndaj lajmeve si të vërteta ashtu edhe të pavërteta, konspiracioneve të ndryshme, të gjitha këto kanë ndikuar pak a shumë në turbullimin e mendjes dhe të gjendjes shpirtërore”, thotë ajo.
SHIKONI EDHE: Pandemia dhe izolimi rrisin problemet në shëndetin mendorSipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë, frika, shqetësimi dhe stresi janë reagimet normale ndaj kërcënimeve të perceptuara ose të vërteta, dhe në kohërat kur popullata ballafaqohet me pasiguri ose të panjohurën. Kështu që është normale dhe e kuptueshme që njerëzit po përjetojnë frikën në kontekstin e pandemisë COVID-19.
Psikiatri Sami Rexhepi thotë për Radion Evropa e Lirë se mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin mendor është mposhtja e ankthit dhe ndjenjës së pasigurisë.
“Ne duhet ta trajtojmë veten si dikush që është duke kontribuar në një fitore, dhe atëherë nuk do të mbushemi me ankth, por do të ndjehemi krenar për kontributin tonë për këtë luftë (kundër virusit)”, thotë ai.
Sipas psikiatrit Rexhepi, të rinjtë gjatë kohës së pandemisë më së tepërmi hasin në probleme me ankth dhe me pasiguri.
“Është normale pasiguria sepse është një luftë e cila ka edhe viktima, një luftë e vështirë me një virus për të cilin ende nuk kemi mjaft shumë informata në mënyrë që të luftojmë me të, kështu që po na mbetet vetëm të mbrohemi nga ai”, shprehet psikiatri Rexhepi.
Psikiatri Rexhepi këshillon të rinjtë që të punojnë dhe të marrin përgjegjësi, në mënyrë që të zbusin ndjenjën e pasigurisë në këtë kohë të pandemisë.
“Për shëndetin mendor mënyra më e mirë është që të marrim përgjegjësi dhe të marrim punë dhe detyra të cilat ne mund t’i kryejmë, dhe atëherë do të ndjehemi si fitues dhe në këtë mënyrë nuk do të mbushemi me ankth, dhe nuk do të lejojmë që frika të na udhëheqë”, thotë psikiatri Rexhepi.
Sociologët: Shmangni lajmet e rreme
Kurse sociologu Ferdi Kamberi, bën thirrje që të shmangen sa më shumë lajmet e rreme.
“Rekomandimi im si sociolog është që duhet shmangur sa më shumë lajmet e rreme, për shkak se po krijojnë pasiguri më të mëdha sociale dhe po i vendosin individët në një mbyllje, po i hermetizojnë. Po krijojnë konfuzitet goxha të madh”, thotë sociologu Kamberi.
Duke komentuar mbi faktin se njerëzit duhet të mbajnë distancën fizike nga njëri-tjetri, sociologu Kamberi sugjeron që të përdoret komunikimi virtual, pasi sipas tij, kjo gjë do të ndihmonte që njerëzit të mos izolohen nga bisedat dhe takimet me të dashurit e tyre, kështu në të njëjtën kohë duke respektuar edhe masat.
SHIKONI EDHE: Kosova s’ka se si ta luftojë dezinformimin në kohën e pandemisëOBSH kërkon që mos të paragjykohen ata që janë me COVID-19
Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka publikuar disa këshilla se si të mbrojmë shëndetin mendor gjatë kohës së pandemisë. Në njërën nga këto këshilla thuhet se duhet të minimizojmë shikimin, leximin ose dëgjimin e lajmeve që kanë të bëjnë me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi), pasi ato mund të na shkaktojnë ankth dhe dëshpërim. OBSH gjithashtu bën thirrje që të kërkohen informacione vetëm nga burimet e besueshme, pasi sipas kësaj organizate, kjo gjë mund të ndihmojë që frika të minimizohet.
SHIKONI EDHE: “Është normale nëse nuk ndjeheni mirë” në kohë të pandemisëNë listën e këshillave të OBSH-së është edhe ajo se duhet të jemi të dashur me njerëzit dhe të jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë, kështu duke mos diskriminuar askënd dhe duke mos paragjykuar se nëse dikush është i sëmurë me COVID-19.
OBSH-ja bën thirrje për kufizim të sasisë së alkoolit ose moskonsumohet fare.
Duhet të shmanget përdorimi i alkoolit dhe ilaçeve si mënyrë për të trajtuar frikën, ankthin, mërzitjen dhe izolimin shoqëror, këshillon OBSH.