Mbi 800 biznese përfituese nga Fondi për Garantimin e Kredive

Ilustrim

Mbi 800 biznese, shumica nga to nga sektori i tregtisë, kanë përfituar nga Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive, fond ky që është themeluar në janar të vitit 2016.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm që u lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori menaxhues në këtë Fond, Besnik Berisha, në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se që nga viti 2016 deri në fund të muajit janar të këtij viti, 833 është numri i bizneseve përfituese nga ky fond.

Vlera grumbulluese e portofolios së kredisë së garantuar nga Fondi, ka thënë ai, ka arritur në 32.3 milionë euro, kurse vlera e grumbulluese e garancioneve është 15.5 milionë euro.

Mbi 40 përqind që kanë përfituar nga ky fond janë biznese që merren me shitje me shumicë dhe pakicë, 26 përqind shërbime, 20 përqind nga sektori i prodhimit, pasuar nga bizneset shërbyese dhe bujqësia.

Për të arritur objektivat dhe synimet, Fondi bashkëpunon me institucionet financiare. Në njërën nga dhjetë bankat që operojnë në Kosovë, Raiffaisen Bank, thuhet se kohëve të fundit është intensifikuar kreditimi duke përdorur këtë Fond.

Iliriana Tahiraj, zëdhënëse në këtë institucion financiar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se "që nga tetori i vitit të kaluar e deri më tani nga ky Fond janë shpërndarë 4.5 milionë euro kredi për 176 klientë”

Përfaqësues të komunitetit të biznesit konsiderojnë se ky Fond do të zbusë problemet kryesore të bizneseve, një prej të cilave është qasja në financa dhe kamatat e larta të kredive. Porse, sipas tyre, ai nuk është i mjaftueshëm.

Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë se vlera financiare e Fondit duhet të rritet por që edhe kërkesat e bizneseve duhet të shtohen.

“Mendoj se ky fillim është i mirë, por që Fondi duhet të rritet, njëkohësisht edhe kërkesat e bizneseve, në mënyrë që në të ardhmen t’/iu lehtësohet puna në investimet e tyre”, shprehet Shahini.

Shahini më tutje më ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të gjejnë edhe forma tjera që të ndihmojnë bizneset private.

“Dua që të thërras institucionet vendore që të bëjnë më shumë për ekonominë, për biznesin, për prodhimin e vendit, në mënyrë që kjo fuqi të rritet. Kjo fuqi rritet nëse do të kenë mundësi që të tërheqin këso lloje fondesh, siç janë fondet e ndryshme të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor. Kurse ne mburremi me një Fond të Garancionit”, ka thënë Shahini.

Krijimi i këtij Fondi është thënë se do të krijojë ndërmarrje të reja dhe do gjenerojë vende të reja të punës, pasi që qëllim kryesor i tij është adresimi i problemeve që kanë bizneset në qasjen e financave.

Fondi, i cili filloi me rreth 18 milionë euro, llogaritet që në gjashtë vjetët e parë të rrisë mundësitë për kredi të reja në rreth 360 milionë euro, me të cilat mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune.

Por, që nga funksionimi i tij, Besnik Berisha, nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, thotë se, sipas informatave nga klientët përfitues nga bankat, janë krijuar 1,300 vende të reja të punës.