Fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin

Artan Grubi - Fotografi nga arkivi.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut ka publikuar fletarrestimet ndërkombëtare të lëshuara për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, të cilët besohet se janë larguar nga vendi.

Fletëarrestimet janë lëshuar të mërkurën nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së Gjykatës Themelore, e cila më 17 dhjetor propozoi edhe masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit.

SHIKONI EDHE: Prokuroria e Shkupit kërkon fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin

Grubi dhe Bajrami akuzohen “për përvetësim të pasurisë së paligjshme”, nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, Grubi, si i dyshuari i dytë në këtë rast, ka mundësuar një procedurë të paligjshme për furnizimin me terminale (VLT), ndonëse ishte në dijeni se Lotaria Shtetërore nuk kishte autorizim për të organizuar lojëra elektronike të fatit në mënyrë të pavarur brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.

Policia bastisi shtëpitë e Grubit dhe Bajramit ditë më parë, mirëpo ata nuk u gjetën.

Grubi, i cili më 9 dhjetor u fut në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, i ka mohuar akuzat për arratisje, duke deklaruar se ndodhet jashtë vendit për një "vizitë private". Ai ka shtuar për këtë vizitë e ka informuar edhe sigurimin e tij personal policor.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja i fut në listën e zezë Artan Grubin dhe Enver Bexhetin

Ndërkohë, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka njoftuar se Artan Grubi së bashku me një biznesmen “është larguar nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Kosovës, më 15 dhjetor, me një veturë me targa diplomatike”, kurse për Bajramin, ka theksuar se “për një kohë të gjatë është jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut”.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Policisë së Kosovës për të konfirmuar nëse ka informacione se Grubi ndodhet në Kosovë, si dhe Ministrisë së Drejtësisë për të pyetur nëse do të bashkëpunojë në ekstradimin e tij nëse ai gjendet dhe arrestohet në Kosovë, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëveshje ekstradimi, e cila është nënshkruar në vitin 2011.

Grubi, ish-deputet, tanimë edhe ish-anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, rrezikon të dënohet me burgim deri në pesë vjet nëse shpallet fajtor.

Po ashtu, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se më 13 dhjetor u ngritën padi penale edhe ndaj gjashtë personave të tjerë, të dyshuar për veprat – “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti”, dhe “keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, ndarje të marrëveshjeve për furnizim publik ose partneritet publiko-privat”, në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Në mesin e të dyshuarve janë edhe ish-kryeministri dhe ish-lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Dimitar Kovaçevski, si dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, të cilët akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.