Filmi “Barbie” i mbizotëron nominimet për Globin e Artë

Aktorja Margot Robbie në një skenë të filmit "Barbie."

Filmi “Barbie” është në krye të listës së nominimeve për çmimet e Globit të Artë të Hollivudit (Golden Globe), pasi u nominua në nëntë kategori, duke e lënë mbrapa dramën historike “Oppenheimer” me tetë nominime.

Këta dy filma do të garojnë në kategori të ndryshme në Globin e Artë, në ceremoninë me tepih të kuq e cila e nis sezonin e ndarjes së çmimeve të Hollivudit në janar.

“Barbie”, e regjisores Greta Gerwing, do të garojë për komedinë apo filmin më të mirë muzikor kundër filmave “American Fiction”, “The Holdovers” dhe të tjerëve.

SHIKONI EDHE: Barbie, filmi më fitimprurës ndonjëherë për kompaninë Warner Bros

“Oppenheimer” është në garë për filmin më të mirë dramë.

“Killers of the Flower Moon” dhe “Poor Things” janë në mesin e favoritëve me nga shtatë nominime secili.

Emma Stone, Leonardo DiCaprio, Cillian Murphy dhe Da'Vine Joy Randolph janë në mesin e aktorëve të nominuar.

Fituesit do të shpallet në një ceremoni më 7 janar.

Filmat më të nominuar:

  • 9 nominime - Barbie
  • 8 - Oppenheimer
  • 7- Killers of the Flower Moon
  • 7- Poor Things
  • 5 - Past Lives
  • 4 - May December
  • 4 - Anatomy of a Fall
  • 4 - Maestro