FFK thotë se do të dorëzojë padi për incidentin në Bukuresht

Pano me mbishkrime "Kosova është Serbi" të shpalosura nga tifozët rumunë gjatë ndeshjes Rumani-Kosovë. Bukuresht, 12 shtator 2023.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se po përgatit komentet e nevojshme dhe do të dorëzojë padi në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), për shkak të, siç tha, shkeljeve të bëra në ndeshjen kundër Rumanisë.

Në Bukuresht, ndeshja midis Kombëtares së Rumanisë dhe asaj të Kosovës u ndërpre për 50 minuta, pasi më 12 shtator tifozët shpalosën një pano ku shkruhej “Kosova është Serbi”.

“Tifozët e kombëtares së futbollit të Rumanisë, përmes gjuhës së urrejtjes e dëmtimit të imazhit të vetë kombëtares përmes shprehjeve të tilla dhe sjelljeve jo sportive kanë denigruar ndeshjen e mbrëmshme të futbollit”, tha FFK-ja.

Federata shpjegoi se pas thirrjeve nacionalistëve të tifozëve ka reaguar menjëherë “duke kërkuar suspendim të lojës deri në tërheqjen e pankartave dhe slloganeve të urrejtjes gjatë ndeshjes. Kjo kërkesë e FFK-së është miratuar nga delegati i ndeshjes dhe derisa janë tërhequr të gjitha pankartat dhe janë ndalur të gjitha thirrjet urrejtëse kundër Kosovës nuk ka rifilluar ndeshja”.

SHIKONI EDHE: Ndeshja Rumani-Kosovë u ndërpre përkohësisht, për shkak "të sjelljeve diskriminuese”

FFK tha se ka kërkuar nga UEFA që të evidentojë të gjitha shkeljet e bëra gjatë kësaj ndeshjeje, duke shtuar se i është drejtuar edhe komisionit disiplinor të UEFA-s “me kërkesën që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë”.

Më 13 shtator, në ueb-faqen e UEFA-s u tha se ndeshja Rumani-Kosovë u ndërpre për plot 50 minuta për shkak të “sjelljeve diskriminuese”.

Ndeshja më pas rifilloi me delegatin e UEFA-s që ia tërhoqi vërejtjen organizatorit të mos lejonte përsëritjen e thirrjeve diskriminuese.

Ndeshja e së martës, që përfundoi 2:0 në favor të Rumanisë, ishte e vlefshme për Euro 2024.

Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në të kaluarën, Kosova ka luajtur edhe me kombëtare të tjera, vendet e të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Greqia dhe Qipro nuk e kishin cilësuar problematike, ndërsa një ndeshje kundër Ukrainës ishte zhvendosur në Poloni.

Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu kishte pretenduar se nuk do ta lejojë ekipin e Kosovës të luajë me flamurin e vendit, por në fund ndeshja ishte zhvilluar normalisht.