Festival ngjyrash pranë Stacionit të Trenave

Këtë fundjavë Prishtinës iu shtuan ngjyrat nga muralet pranë Stacionit të Trenave.

Festivali “Meeting of Styles”, përveç transformimit të Prishtinës, solli edhe artistë botërorë në Kosovë.

Edicioni i 8-të i këtij festivali ishte nikoqir i 130 artistëve grafitë të muraleve nga e gjithë bota.

Festivali sivjet u mbajt nga data 28 deri më 30 qershor në hapësirat afër Stacioni të Trenave, në lagjen Arbëria të Prishtinës.

Përgjatë tri ditëve të festivalit, përveç pikturimit të muraleve, u organizuan edhe aktivitete të tjera, ndërsa veçohen performancat muzikore gjatë mbrëmjeve.
Tematika e këtij edicioni ishte "Educate to Elevate".
Organizatorët theksojnë fuqinë e artit të rrugës si mjet për edukim dhe ndryshim shoqëror.
Festivali ndërkombëtar "Meeting Of Styles", (MOS) është një rrjet ndërkombëtar i artistëve dhe admiruesve të grafitit, që filloi në Gjermani në vitin 2002. Në Kosovë që në edicionin e parë mori titullin “Best First Edition”.
Arti i rrugës në Kosovës është shumë i zhvilluar, teksa shohim murale të shumta në arkitektura betoni që përçojnë mesazhe të ndryshme.
Festivali përfshin Kosovën ndër 32 shtete si Anglia, Spanja, Italia, Franca, Holanda e shtete të tjera evropiane, ndërsa nga ato në botë është Brazili, Argjentina, Tajlanda, SHBA-ja, Filipinet e të tjera.
"Meeting Of Styles" ka për qëllim të krijojë një forum për komunitetin ndërkombëtar të artit, për të komunikuar dhe për të shkëmbyer ide.
Qëllim i adhuruesve të artit të rrugëve është edhe shkëmbimi ndërkulturor.
Grafitet në një vagon treni.
"Meeting Of Styles" është një përballje e stileve, krijuar me qëllim të përkrahjes së bashkëpunimit të artistëve ndërkombëtarë.
Ndonëse parasheh shprehjen e lirë të artistëve, organizimi ndalon aplikimin e artit me elemente të fyerjes fetare, nënçmimin e komuniteteve dhe çfarëdo vepre që promovon terrorizëm dhe prek barazinë.
Një tjetër mural i realizuar gjatë festivalit të mbajtur në Prishtinë.
Artistët duke punuar në muret e tunelit të hekurudhës, pranë Stacionit të Trenave.
Hapësirat që dikur ishin lënë pas dore, tashmë janë plot ngjyra dhe përçojnë mesazhe të ndryshme kryesisht me karakter social.