Festimi i Vidovdanit në Kosovë pa incidente

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke i kontrolluar pjesëmarrësit në festën e Vidovdanit në hyrje të monumentit Gazimestanit afër Prishtinës, Kosovë, më 28 qershor 2024.

Në Gazimestan, një monument historik rreth 10 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, u mblodhën disa qindra serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit për të shënuar festën e Vidovdanit më 28 qershor.

Kisha Ortodokse Serbe e ka shënuar këtë festë edhe në Gazimestan, me përkujtimore, si përkujtimin e vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Policia e Kosovës është kujdesur për sigurinë e kësaj feste, ndërsa të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të KFOR-it italian.

Pas përfundimit të aktiviteteve në Gazimenstan, Policia e Kosovës tha se nuk është raportuar për “asnjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të një personi në stacion policor për intervistim sipas procedurave ligjore”.

Ky institucion tha se pasditen e 28 qershorit “të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë”.

SHIKONI EDHE: Petkoviqit i ndalohet vizita në Kosovë "për shkak të deklaratave propagandistike dhe provokuese"

Në përkujtimin e Vidovdanit, numri i vizitorëve ishte dukshëm më i ulët se në vitet e kaluara. Policia e Kosovës këtë vit nuk lejoi sjelljen e flamujve apo të ndonjë simboli tjetër, përveç atyre kishtare.

Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Serbët shënojnë Vidovdanin në Gazimestan, afër Prishtinës, 28 qershor 2024.

Peshkopi i Rashkës-Prizrenit, Teodosije, ka thënë më herët se autoritetet e Kosovës ia kanë ndaluar kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, të vijë në Kosovë në Vidovdan.

Vizita iu ndalua edhe drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për shkak të “deklaratave provokuese dhe propagandistike kundër Kosovës”.

Serbët mblidhen pranë Monumentit të Gazimestanit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës, Kosovë, 28 qershor 2024.

Vitin e kaluar, Vidovdani nuk u festua në Gazimestan – vendin ku festohet tradicionalisht – për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

Në vend të kësaj, më 27 qershor 2023, pjesëtarët e komunitetit serb shpallën "Deklaratën e Vidovdanit" në Graçanicë dhe në Mitrovicën e Veriut, e cila u mbështet nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Përmes deklaratës ata paralajmëruan përgjigje nëse vazhdojnë arrestimet e serbëve në Kosovë, të cilët ishin përfshirë në përleshje me pjesëtarë të KFOR-it, apo Policisë.

“Deklarata e Vidovdanit” u miratua si rezultat i tensioneve të shtuara, pasi Lista Serbe fillimisht u largua nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022 dhe më pas bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve të reja sipas ligjeve të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Serbët nxjerrin "Deklaratën e Vidovdanit"

Kështu, në maj të vitit 2023, në katër komuna në veri të Kosovës – Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – erdhën në pushtet kryetarët shqiptarë, gjë që popullata shumicë serbe nuk e pranon.

Në fund të majit të vitit të kaluar pati përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë. Si pasojë, pati mbi njëqind të plagosur nga të dyja palët.

Tensionet kulmuan më 24 shtator në Banjskë në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau një oficer.

Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar.