Edhe pse mësimdhënësit në institucionet publike të Kosovës janë në grevë, çifti bashkëshortor, Mimoza dhe Lirak Salihu, çdo ditë i çon dy fëmijët e tij në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, duke qëndruar me ta në klasë për së paku një orë.
Aty nuk mbahet mësim, por kjo është një formë e shprehjes së mospajtimit të tyre me, siç thonë, “shkeljen e të drejtave të fëmijëve për të vijuar shkollimin”.
“Ne i dërgojmë fëmijët qe dy javë në shkollë, çdo ditë. I mbajmë atje një orë. Këtë mundësi na e japin... Pra, që t’i fusim në klasë”, thotë Mimoza.
Njëri djalë i saj do të duhej të kishte nisur mësimet në klasën e tetë, tjetri në të tretën.
Viti shkollor në Kosovë rëndom nis më 1 shtator, por tashmë është gati fundi i këtij muaji dhe mbi 300.000 nxënës mbeten ende jashtë bankave të klasës.
Punonjësit e arsimit janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj, derisa të hyjë në fuqi Ligji i ri për paga.
Qeveria e Kosovës thotë se ky ligj, që parasheh rritje pagash për punonjësit e sektorit publik, do të dalë në miratim së shpejti dhe kërkon nisjen e mësimit.
Derisa ngërçi mes tyre vazhdon, Mimoza thotë se janë pak nxënës që shkojnë në shkollë, ngjashëm si fëmijët e saj, sa për të ruajtur shprehinë.
“Presim se çfarë do të ndodhë nesër”
Mimoza punon si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, ndërsa bashkëshorti i saj, Liraku, në një kompani të huaj farmaceutike.
Ata kanë edhe një vajzë të vogël, por zgjidhjen për të, siç thotë Liraku, e kanë bërë duke e akomoduar në një çerdhe.
Për t’u kujdesur për djemtë, ai thotë se u është dashur të improvizojnë me oraret e tyre të punës, të “mbulohen” nga kolegët, si dhe të kërkojnë ndihmën e gjyshërve të tyre.
“E keqja e kësaj situate është se [nuk ka limit]. Po të kishte ndonjë limit ose afat, të dimë se kur do të përfundojë, mund të planifikosh edhe organizimin e ditës. Mirëpo, çdo ditë duhet të presim se çfarë po ndodh dhe si po ndodh. Nuk është e lehtë”, thotë Liraku për Radion Evropa e Lirë.
Bashkëshortja e tij, Mimoza, thotë se e ka mjaft të vështirë ta menaxhojë situatën e krijuar.
“Njëri prej nesh, gjithsesi, duhet të qëndrojë me fëmijët në shkollë, sepse duam t’i mësojmë ata që t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe të mos lejojnë që t’iu shkelen ato”.
“Këta janë fëmijë dhe tash nuk mund ta kuptojnë, por kur t’i bëjnë 18 vjet, unë besoj që nuk kanë për të na falur për këtë mohim të shkollimit për një muaj. Asnjëherë nuk ka për t’u kompensuar kjo humbje e mësimit”, thotë Mimoza.
Veç kjo indiferencë, për mua është zhgënjim".
Dy bashkëshortët thonë se përpiqen që, sadopak, t’ua kompensojnë fëmijëve të tyre “dëmin” nga të mosmbajturit mësim. Ata u shpjegojnë leksione të caktuara nga lëndë të ndryshme, edhe pse, siç thonë, nuk kanë kompetencë për një gjë të tillë.
Për ta është e parëndësishme se cila palë duhet të lëshojë pe, në mënyrë që greva të përfundojë dhe të nisë mësimi.
Liraku thotë se e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë është dërgimi i fëmijëve në shkollë, pavarësisht nëse mbahet mësim ose jo.
“Le të shohin edhe palët tjera që fëmijët janë në shkollë, vijnë përditë dhe duhet të jenë aty. Nuk ka rrugëdalje tjetër”.
“Në qoftë se kjo zgjat edhe më shumë - që do të ishte edhe më keq - unë e shoh si zgjidhje të vetme që të gjithë prindërit t’i marrin përgjegjësitë e tyre që i kanë, si prindërore, familjare, por edhe ligjore, dhe t’i dërgojnë fëmijët në mësim, edhe pse nuk mbahet mësimi”, thotë Liraku.
Mimoza shton se sindikalistët dhe Qeveria, palë që do të duhej të gjenin zgjidhje sipas saj, nuk duhet të qëndrojnë indiferente ndaj faktit që fëmijët nuk po vijojnë mësimet tash e gati një muaj.
“Veç kjo indiferencë, për mua është zhgënjim. Nuk ka arsyetim për të mos i dërguar fëmijët në shkollë. Nuk dua ta përmend fjalën presion ndaj kësaj pale ose palës tjetër, sepse shumë herë po kërkohet nga prindërit që të kenë mirëkuptim ndaj mësimdhënësve”.
“Unë nuk po flas as për mirëkuptimin ndaj mësimdhënësve dhe as për mirëkuptimin ndaj Qeverisë apo dikujt tjetër. Unë po flas nga këndvështrimi si prind dhe për mbrojtjen e të drejtave elementare të fëmijëve”, thotë Mimoza.
Çfarë thonë sindikalistët e arsimit dhe Qeveria?
Qeveria e Kosovës, në disa raste, ka bërë thirrje për fillimin e procesit mësimor. “Nuk bën bojkot e grevë shtetit”, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Në disa shkolla, mësimdhënësit kanë vendosur në mënyrë individuale t’i mbajnë orët, por shumica janë në grevë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Rrahman Jasharaj, ka thënë se fajtore për mbylljen e shkollave është Qeveria, e cila, sipas tij, “nuk reflekton karshi kërkesave të sindikalistëve”.
Në fillim të këtij muaji, Qeveria e Kosovës ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj.
Sindikata e Arsimit nuk e ka pranuar këtë “ofertë”.
Në një anketë të Radios Evropa e Lirë me pyetjen se kush duhet të lëshojë pe për grevën, shumica e pjesëmarrësve janë përgjigjur: sindikalistët.
Ku gjendet Projektligji për paga?
Projektligji për paga, nga data 15 shtator deri më 6 tetor, është në procedurat e konsultimeve publike. Më pas, ai duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Mësimdhënësit në shkollat fillore të Kosovës aktualisht paguhen 470 euro në muaj, ndërsa me ligjin e ri, paga e tyre pritet të arrijë në 620 euro. Mësimdhënësit në shkollat e mesme marrin nga 530 euro dhe kjo shumë pritet të rritet në 696 euro.
Sipas sindikalistëve të arsimit, kërkesa e tyre për 100 euro shtesë është e bazuar, për shkak të rritjes së inflacionit.
Norma e inflacionit në muajin gusht ka arritur në 13 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në gushtin e vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.