Fëmijët e pakicave etnike shfaqin talentet për ditën e 1 Qershorit

Fëmijët duke pikturuar mbi një pëlhurë gjatë aktiviteteve në qendrën e The Ideas Partnership për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Me dy fëmijë përkrah e njërin në një karrocë, Igballe Halimi nga Fushë Kosova bëri rreth dy kilometra rrugë në këmbë të shtunën e 1 qershorit.

Fytyra, që fillimisht ishte djersitur nga ecja në këmbë në një ditë me diell, me vonë u përshkua nga lotët e gëzimit që përjetoi kur pa vajzën e saj teksa recitonte një vjershë.

“Kam ardhur vetëm për të. Jam shumë krenare. Kur e pashë në mesin e fëmijëve të tjerë, duke luajtur e vallëzuar, m’u mbushën sytë me lot”, thotë Halimi për Radion Evropa e Lirë.

Igballe Halimi, duke shikuar shfaqjen e fëmijëve.

Ajo qëndroi në këmbë gjatë gjithë programit që ishte përgatitur nga organizata The Ideas Partnership (TIP), që ka një numër të programeve me fokus kryesor te fëmijët e komuniteteve minoritare në Kosovë.

Për 1 Qershor, që njihet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, kjo organizatë bëri një shfaqje artistike dhe disa eksperimente shkencore me fëmijët që vijojnë programet e TIP-it.

Fillimisht, fëmijët recituan disa vjersha, kënduan këngë e vallëzuan.

Më vonë, ata dhe prindërit e tyre, pikturuan së bashku mbi një copë pëlhure.

Si pjesë e programit, fëmijët bënë edhe disa eksperimente shkencore me produkte shtëpiake si vaj, ujë, ngjyra ushqimore e sodë pluhur.

Njëra nga edukatoret në TIP, Edona Kurtaj, tregon se fëmijët fillimisht nuk e kishin ditur se çfarë kuptimi kishte dita e 1 Qershorit, por thotë se më vonë ata shfaqën interesim të madh për të marrë pjesë.

“Ne si organizatë kemi dashur që fëmijët me të cilët punojmë, të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ta dinë vlerën e ditës së tyre, 1 Qershorit, dhe që këta fëmijë ta shohin botën me ngjyra”, thotë ajo për REL-in.

Edona Kurtaj, edukatore në qendrën The Ideas Partnership.

Fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me probleme të ndryshme, për të cilat aktivistë thonë se burojnë nga diskriminimi që përjetojnë shkaku i etnisë.

Ndër problemet e ndryshme socio-ekonomike janë kushtet e vështira financiare, rastet e martesave të hershme dhe braktisjes së shkollave, si dhe daljes në rrugë për të kërkuar lëmoshë.

Sipas të dhënave të publikuara në një raport të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në shkurt të këtij viti, rreth 14 për qind e vajzave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk shkojnë në shkollë të mesme, ndërsa rreth katër për qind nuk e vazhdojnë shkollimin fare përtej klasës së pestë.

Kurtaj, 22-vjeçare nga Peja, ka katër vjet që kontribuon në TIP. Ajo fillimisht ishte e angazhuar si vullnetare, ndërsa tani është punësuar aty. Kurtaj thotë se në TIP ka gjetur një lumturi që nuk e kishte përjetuar kurrë më parë.

“Nëse njëmend do të ndihesh e përmbushur shpirtërisht dhe të ndihesh në paqe me veten, duhet të punosh me këta fëmijë, sepse e mëson se si është të të dojë dikush pa asnjë kusht”, thotë Kurtaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.