Fëmijët e rrezikuar nga qasja e pakontrolluar në internet

Ilustrim

Në një hulumtim të bërë nga Qendra për Studime të Avancuara, del se 43 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë kontaktuar me persona të panjohur përmes internetit, ka thënë Teuta Zymeri, drejtoreshë e kësaj qendre.

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe 97 për qind e fëmijëve kanë qasje në internet.

“Rreth 43 për qind e fëmijëve janë shprehur se kanë kontaktuar me persona të panjohur përmes internetit, dhe 32 për qind e fëmijëve janë shqetësuar pas takimeve që i kanë pasur”, ka thënë Zymeri për Radion Evropa e Lirë, duke cituar një raport të bërë në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës.

“Ndër rreziqet që janë më të shpeshta dhe i rrezikojnë fëmijët, janë përmbajtjet jo adekuate si pornografia dhe dhuna. Takimi me njerëz të panjohur mbetet si më shqetësuesi, duke mos anashkaluar dhunën kibernetike, varësinë nga interneti etj”, shprehet Zymeri.

Sipas një publikimi nga Organizata e Kombeve të Bashkuar për Mbrojtjen e Fëmijëve (UNICEF) një në tre fëmijë janë përdorues të internetit.

Sociologu Besnik Peci tha se qasja e pakontrolluar e internetit në gjithë botën ka pasur efekte negative, duke marrë shembull lojën ‘Balena Blu’ ku siç thotë ai kjo lojë ka lënë pasoja të mëdha te të rinjtë e fëmijët, e që shumë nga ta i ka çuar edhe deri te vetëvrasja.

“Qasja e fëmijëve në internet i ka efektet pozitive, por edhe negative. Në qoftë se ka kontroll adekuat, qasja e tyre mund të ndikojë në zhvillimin e personalitetit të tyre, por në të kundërtën në qoftë se kanë qasje të palimituar, mund të ndikojë negativisht dhe të ketë pasoja”, tha Peci.

“Në Kosovë e kemi të pakontrolluar komplet sistemin kompjuterik, dhe pothuajse gjithë kompjuterët nuk kanë kontroll nga shteti dhe kushdo prej tyre mund të manipulojë dhe kështu janë të ekspozuar para një rreziku potencial”, tha tutje Peci.

Edhe vetë prindërit janë të shqetësuar me varësinë e internetit te fëmijët e tyre. Mevlyde Morina, nënë e dy fëmijëve, thotë se kohën më të madhe fëmijët e saj e kalojnë në internet, duke potencuar faktin se varësia ndaj internetit po u pengon edhe në shkollë.

“E shoh shumë shqetësuese pasi fëmijët shohin gjithçka dhe interneti është pa limit, nuk po mund t’i kontrollojë askush. Në shkollë ju pengon në mësime, nuk kanë orar për mësim”, thotë Morina.

“Pastaj rastet tjera që kam dëgjuar janë se fëmijët flasin në internet paraprakisht dhe më pas në shkollë kanë pasur konflikt fizik mes vete, si rezultat i asaj që ata paraprakisht kanë folur përmes internetit. Për këto raste na kanë ftuar në shkollë edhe në mbledhje të prindërve. Është shumë shqetësuese”, shprehet Morina.

Në anën tjetër, raporti i UNICEF-it shqyrton sesi interneti e rritë cenueshmërinë e fëmijëve ndaj rreziqeve dhe dëmeve, duke përfshirë keqpërdorimin e informacionit të tyre privat, qasjen në përmbajtje të dëmshme dhe ngacmimin kibernetik. Prania tepër e përhapur e pajisjeve dhe telefonave mobil, thekson raporti, e ka bërë qasjen në internet për shumë fëmijë më pak të mbikëqyrur - dhe potencialisht më të rrezikshme.