Të rinjtë nga Kosova, si në shumë vende të ndryshme të botës përdorin internetit në masë të madhe. Bazuar në këtë fakt, mundësia për keqpërdorime, manipulime dhe shantazhe përmes rrjeteve sociale, është shumë e madhe kanë deklaruar zyrtarët e institucioneve në Kosovë.
Për mundësinë e manipulimit, të rinjtë, të cilët kanë folur për në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radio Evropa e Lirë, thonë se janë në dijeni.
Veton Sallahu, student në Universitetin e Prishtinës, konsideron se çështja e përdorimit të rrjeteve sociale sa është lehtësuese për punë dhe studime, po aq është edhe shqetësuese.
“Nuk ka mbrojtje të privatësisë, nuk e di a ekziston ndonjë [ligj] që na mbron. Gjithmonë ekziston frika kush ka, apo kush po t’i merr apo i sheh gjërat private që i ke. Nuk e di në radhe të parë në Kosovë a na mbron dikush, sepse nuk ka kontroll”, thotë Vetoni.
Por, Fitore Hyseni, nxënëse e shkollës së mesme “Sami Frashi” në Prishtinë, thotë se gjatë kohës sa e përdor internetin në rrjetet sociale, nuk ka frikë nga ndonjë manipulim.
“Frikë nuk kam dhe e përdori facebook-un, twiter-in dhe instagram-in. E di që facebook-u nuk përdoret shumë për qëllime të mira, por ai më duhet mua, për shkak se kemi aty grupin e klasës dhe informohemi për te rejat në shkollë”, tregon Fitorja.
Kurse, Elvira Murati po ashtu nxënëse e shkollës së mesme “Sami Frashi”, konsideron se nga përdorimi i rrjeteve sociale, duhet të kemi kujdes:
“Ndonjëherë, edhe duhet të kemi frikë se disa njerëz [internetin] nuk e përdorin vetëm për qëllime të mira. Dikush mund të bëjë montazhe me fotografi, që mund të keqkuptohen nga rrethi i gjerë, derisa rrethi i ngushtë [familjar] të njeh”.
Jeton Dukagjini, i cili ka përfunduar studimet për marrëdhënie ndërkombëtare në Turqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në disa raste ndodh që me postimet, të cilat behën në internet, krijohen edhe keqkuptime.
“Keqkuptime ka dhe ato ndodhin sidomos kur e shprehim mendimin në lidhje me politikën. Ka komente që nuk pajtohen njerëzit me mendimin tënd dhe aty mund të ketë edhe mosmarrëveshje. Normale është që unë nuk pres që të gjithë të pajtohen me mendimet e mia. Fyerje nuk ka pasur, por ka pasur kundërshtime”, tregon Jetoni.
Inesa Karaçi, e cila është nga Prizreni, thotë se nga përdorimi i rrjeteve sociale, ka dëgjuar që ka shumë rastet, të cilat kanë çuar deri te keqkuptimet e ndryshme:
“Ka shumë rastet që të rinjtë përdorin emra të rrejshëm dhe keqpërdorin internetin”.
Rita Mehmeti, nxënëse në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, në Prishtinë, përdoruese e internetit, tregon se si i është keqpërdorur profili i saj në facebook dhe cilat kanë qenë keqkuptimet.
“Konsideroj se ka keqpërdorime të shumta në internet. Edhe faqja ime në facebook më është keqpërdorur me video të ndryshme për qëllime të dikujt tjetër. Po ashtu, më është thyer fjalëkalimi dhe njerëz të caktuar kanë biseduar me dikë me të cilin unë nuk kam biseduar asnjëherë”, tregon Rita.
Edra Gjinolli mendon se në rrjetet sociale nuk duhet të postohen gjëra që janë shumë personale. Ajo konsideron se kohëve të fundit nga përdoruesit e internetit në Kosovë, po publikohet shumë gjëra që nuk janë për masën e gjerë.
“Mendoj se kohëve të fundit po keqpërdoret interneti, sidomos për ata kanë shumë gjëra personale në facebook. Mendoj se mënyra më e mirë për t’iu ikur këtyre problemeve është që gjërat personale të mos publikohen”, konsideron Edra.
Rrjeti social facebook u themelua më 4 shkurt 2004. Faqja fillimisht ishte e hapur vetëm për studentët e Harvardit. Deri në fund të vitit 2004, facebook fiton gati një milion përdorues aktivë.
Ndryshe, mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e garantuar me Kushtetutën e Republikës.
Neni 36 mbron privatësinë dhe garanton mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa neni 3 përcakton në mënyrë eksplicite se fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe mjeteve të tjera të komunikimit, janë të drejta të pacenueshme.