“Nëse BE-ja vërtet dëshiron që rrethi i saj i stabilitetit të përforcohet, atëherë duhet të marrë hapa që procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Faruk Ajeti, studiues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. Ajeti flet edhe për metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, e cila, sipas tij, do të jetë më sfiduese dhe më kërkuese.
BE-ja e ka publikuar metodologjinë e re, më 5 shkurt. Është thënë se ajo bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.
Me metodologjinë e re, vendeve anëtare të BE-së u jepet autoriteti për të pezulluar procesin e pranimit të vendeve të reja. Negociatat e anëtarësimit mund të kthehen në pikën zero, nëse vendet anëtare nuk përparojnë në asnjë fushë.
Tridhjetepesë kapitujt e negociatave nuk do të hapen veç e veç si deri më tash, por në gjashtë grupe. Njëri grup nuk do të mbyllet derisa të mos mbyllen të gjithë kapitujt brenda atij grupi.
Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian është tkurrur këtë muaj për herë të parë në histori. A ka ende kuptim zgjerimi?
Faruk Ajeti: Që nga anëtarësimi i Britanisë së Madhe fillimisht në Komunitetin Ekonomik Evropian - i cili ka qenë paraardhës i Bashkimit të sotëm Evropian - më 1973, ky vend vazhdimisht ka hezituar që disa fusha të sovranitetit shtetëror t'ia dërgojë Brukselit. Kjo lidhet edhe me faktin se Britania e Madhe nuk ka qenë një nga shtetet themeluese të Unionit Evropian, nuk ka pranuar të jetë pjesë e zonës së Schengenit dhe as pjesë e zonës së Euros. Ajo, pra, ka hezituar që monedhën e saj kombëtare ta zëvendësojë me monedhën e përbashkët evropiane.
Mirëpo, në anën tjetër, largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja është një humbje e madhe si për vetë atë, ashtu edhe për BE-në. Largimi i saj, si një nga shtetet më të fuqishme evropiane në karakterin ekonomik, politik dhe ushtarak, do të jetë një humbje e madhe edhe për Ballkanin Perëndimor.
SHIKONI EDHE: Britania largohet zyrtarisht nga BE-ja
Këtë e them sepse Britania e Madhe ka qenë një nga partnerët dhe avokatët më të mëdhenj të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Unë gjykoj se zgjerimi i BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri. Tani në fazën e post-Brexitit dhe në një kohë kur në disa shtete të BE-së ka një tendencë në rritje të partive të ekstremit të djathtë dhe të disa partive euroskeptike, mendoj se zgjerimi do të mund të jepte një frymë, një shpresë të re.
Radio Evropa e Lirë: Brukseli ka dalë me një metodologji të re të procesit të zgjerimit, e cila thuhet se është më dinamike dhe më e besueshme. Ju, si e shihni?
Faruk Ajeti: Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian e ndryshon apo e modifikon strategjinë e tij të zgjerimit. Që nga koha kur BE-ja është formuar, strategjia e zgjerimit ka ndryshuar vazhdimisht. BE-ja nuk është zgjeruar vetëm nga qendra, por edhe në drejtim të lindjes, veriut, jugut dhe perëndimit. Çdo shtet i ri që është anëtarësuar në BE ka bartur më vete sfidat, problemet, por edhe përparësitë për BE-në.
SHIKONI EDHE: Vështrim nga Brukseli: Metodologjia e re ia vë frenat zgjerimitDuhet rikujtuar për shembull se të tjera kushte janë aplikuar për anëtarësimin e Austrisë në BE më 1995, të tjera kushte për anëtarësimin e Sllovenisë më 2004 dhe të tjera kushte për Kroacinë - shtetin e fundit që i është bashkuar BE-së. BE-ja po ashtu është një organizatë ndërkombëtare që nxjerr mësime nga e kaluara. Nëse te shteti A ose B janë shfaqur disa probleme ose pengesa, BE-ja ka tentuar që ato të mos përsëriten te shteti i ardhshëm që do të anëtarësohej.
Radio Evropa e Lirë: Dy vendet që presin në prag janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Si do të gjenden ato me këtë metodologji?
Faruk Ajeti: Tirana dhe Shkupi zyrtar e kanë mirëpritur strategjinë e re, pas tërmetit politik që kanë përjetuar në samitin e fundit të BE-së. Tirana dhe Shkupi presin që shtetet anëtare të jenë më të drejta në vlerësimet e tyre në raport me reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
E dimë që Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë dhënë dritën e gjelbër për nisjen e negociatave me këto dy vende, por ishin shtetet anëtare ato që i bllokuan. Tani, ato presin që shpresat e tyre të kapitalizohen në samitin e radhës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në muajin maj në Zagreb.
SHIKONI EDHE: Varhelyi: Shkupi dhe Tirana kanë mundësi t'i zbatojnë reformatRadio Evropa e Lirë: Po Kosova dhe Bosnja?
Faruk Ajeti: Kosova dhe Bosnja pritet t'i nënshtrohen metodologjisë së re, sikurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi, sipas të gjitha gjasave, nuk do t'i nënshtrohen asaj [v.j. këto dy vende i kanë nisur më herët negociatat me BE-në].
SHIKONI EDHE: Anëtarësimi në BE, tani përmes metodologjisë së reSipas gjykimit tim, metodologjia e re nuk pritet të jetë lehtësuese për shtetet kandidate të Ballkanit Perëndimor, por do të jetë një proces më kërkues dhe më sfidues. Bashkimi Evropian vazhdimisht ka aplikuar një proces ambivalent për shtetet kandidate. Për shembull, kriteret e parapara në procesin e Stabilizim-Asociimit për Serbinë dhe Malin e Zi, nuk janë identike për Kosovën dhe Bosnjën, ngaqë, me kalimin e viteve, BE-ja i ka rritur kriteret dhe nuk i ka zvogëluar apo lehtësuar ato.
*Expose: Rruga drejt BE-së, më kërkuese
Your browser doesn’t support HTML5
Shembull tjetër është edhe liberalizimi i vizave. Në kohën kur vizat janë liberalizuar për Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, këto vende kanë pasur kritere të tjera. Kur Kosova, ndërkaq, është futur në këtë proces, asaj i janë shtuar edhe kritere të tjera.
Radio Evropa e Lirë: Pra, me metodologjinë e re a do të ngadalësohet apo përshpejtohet zgjerimi?
Faruk Ajeti: Kushtet e parapara për anëtarësim (në BE) do të varen nga vetë shtetet kandidate. Por, me metodologjinë e re është menduar të shmanget edhe situata e samitit të kaluar të BE-së, kur Franca, Holanda dhe Danimarka kanë dalë me qëndrime kundër rekomandimeve të Këshillit Evropian. Me metodologjinë e re është menduar të ketë edhe një bashkëdyzim ose një udhërrëfyes më të mirë brendapërbrenda BE-së.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të nënkuptonte një "jo" eventuale e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?
Faruk Ajeti: Një "jo" eventuale e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për shtetet e këtij rajoni, por edhe për vetë BE-në. E them këtë sepse BE-ja do të ballafaqohej me çështjen e kredibilitetit jo vetëm te shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në arenën ndërkombëtare. Do të ndikonte shumë në uljen e kredibilitetit të saj si një akter.
SHIKONI EDHE: Problemet që rrisin distancën e Ballkanit me BE-nëNjë "jo" e mundshme ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të ishte një goditje e madhe ndaj forcave reformatore dhe partive politike me qasje pro-evropiane dhe një dhuratë e mirë për forcat që kanë qasje anti-evropiane dhe euroskeptike.
Për më tepër, një "jo" e mundshme do të kishte ndikim të madh edhe në aktivizimin e akterëve joevropianë, ose joperëndimorë - këtu e kam fjalën për Rusinë dhe Kinën, të cilat në dekadën e fundit, si rezultat i mungesës së angazhimit më të madh evropian në Ballkanin Perëndimor, e kanë shtrirë ndikimin e tyre.
SHIKONI EDHE: Palmer: Rusia e do Ballkanin me një element kaosi në tëRadio Evropa e Lirë: Atëherë, sa urgjente është çështja e zgjerimit, marrë parasysh ndikimin e këtyre faktorëve?
Faruk Ajeti: Çështja e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor është domosdoshmëri. Edhe krerët kryesorë të BE-së e kanë thënë se Evropa nuk është e plotë pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse BE-ja vërtet dëshiron që rrethi i saj i stabilitetit të përforcohet, atëherë duhet të marrë hapa që procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet.
Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni mospërfshirjen e Turqisë në metodologjinë e re të BE-së?
Faruk Ajeti: Metodologjia e re, e prezantuar nga komisionari për Zgjerim, nuk ka të bëjë me Turqinë dhe ajo i referohet në mënyrë specifike Ballkanit Perëndimor. Disa ditë para se metodologjia e re të publikohej, ministri i Jashtëm turk i ka dërguar një letër përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nga i cili ka kërkuar që të mos bëhet ndarje artificiale midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, por të përfshihet edhe Turqia në këtë proces.
SHIKONI EDHE: Turqia i kërkon BE-së të mos e ndajë nga Ballkani PerëndimorTurqia, qysh në vitin 1987, ka aplikuar për t'iu bashkuar Komunitetit Ekonomik Evropian dhe nga viti 2005 është kandidate zyrtare për t'u bërë pjesë e BE-së. Për shkak të kritikave që BE-ja ka shprehur ndaj Turqisë, sidomos në çështjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, negociatat kanë ngecur.
Pastaj, anëtarësimi i Turqisë në BE ka qenë dhe mbetet prioritet i politikës së saj të jashtme, por jo parimi themelor, ngaqë, sikur Turqia të anëtarësohej në BE, ajo do të duhej që në suaza të procesit të evropianizimit, të hiqte dorë nga politika e saj unilaterale dhe të bashkëdyzohej me politikën e jashtme dhe të përbashkët të BE-së.
Në anën tjetër, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Turqia si vend anëtar i NATO-s, si kandidate zyrtare për anëtarësim në BE, mbetet një partner strategjik i Perëndimit. Megjithatë, viteve të fundit, zërat skeptikë në BE ndaj Turqisë janë rritur. Shqetësimet lidhen me karakterin e saj gjeografik, politik dhe fetar.
Çështja e anëtarësimit të Turqisë në BE do të jetë një test për vetë BE-në si dhe për parimin tashmë të njohur të BE-së: ta bashkuar në diversitet apo në diversitet të bashkuar.