“Liria për të qenë vetvetja” përmes artit dhe kulturës tradicionale

Dajre të varura, në një nga hapësirat e ekspozitave në Etnofest.

Në rrugën gjarpërore, të rrethuar me gjelbërim, shihen vetëm disa shtëpi larg.

Në fund të kësaj rruge, në fshatin kodrinor Kukaj, papritmas has në gjallëri të pazakontë.

Kompleksi i ndërtesave me gurë, që po zgjerohet për më shumë se një dekadë, çdo vit gjatë verës është mikpritës i festivalit, Etnofest.

Festivali, në fshatin e Prishtinës, synon ekspozimin dhe ruajtjen e traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe veprave të tjera të artit.

Kompleksi ku mbahet festivali Etnofest, në fshatin Kukaj të Prishtinës.

“Kur e kam blerë këtë vend, kam ardhur nga Prishtina. Kam menduar të jem i izoluar, të shkruaj, të jem në relacion me natyrën, larg zhurmave të Prishtinës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Fadil Hysaj, themelues i këtij festivali.

Hysaj, regjisor teatri, kujton se para se më shumë se 13 vjetësh, aty kishte blerë një shtëpi dhe një ahur të vjetër të ndërtuar me gurë.

Pronari i tokës i kishte sugjeruar që ta rrënojë ahurin dhe t’i përdorë gurët për të veshur shtëpinë.

“I thash jo, nuk mund ta prishi ahurin sepse është një monument, është i vjetër”, kujton Hysaj.

“Çfarë po të duhet, a do ta bësh teatër këtu?”, i ishte përgjigjur pronari.

Kjo, thotë Hysaj, ia kishte ndezur dëshirën e parë, që këtë vend njëmend ta shndërronte në teatër, e më vonë edhe në një qendër kulturore e festival, siç është Etnofest-i.

Fadil Hysaj, regjisor dhe themelues i festivalit Etnofest.

Nëpër kompleksin në Kukaj, janë krijuar disa hapësira për ekspozita, skena teatri, e mini-muze që përmbajnë objekte të vjetra, të përdorura në kulturën shqiptare.

Në edicionin e 13-të, festivali ka tematikën e lirisë, përkatësisht lirisë për të qenë vetvetja.

“Duhet të zbulojmë brenda vetes kush jemi ne, dhe a jemi të lirë të jemi ata që jemi. Apo duhet të jemi ashtu çfarë kërkohet prej neve”, thotë Hysaj.

Një plis i ekspozuar në punëtorin në Etnofest.

Në anën e djathtë të ahurit të vjetër, që sivjet po shërben si galeri për një ekspozitë, dëgjohet zhurma e fërkimit të penjve në drurë.

Sabrije Hyseni nga Prishtina ka ardhur në Etnofest për të mbajtur punëtori për punën në tezgjah, një vegël tradicionale prej druri në të cilën punohen veshje e qilima.

Ajo e ka mësuar punën e tezgjahut – që në gjuhën popullore njihet edhe si vek – që kur ishte 16-vjeçare, nga nëna e saj.

“Kam më shumë dëshirë të punoj në vek [tezgjah] se të ha bukë. Më pëlqen, gjithçka që bëj”, thotë ajo teksa ngreh penjtë e kaltër sipër atyre të bardhë.

Sabrije Hyseni duke punuar në tezgjah.

Ngjitur me punëtorinë e tezgjahut, sipër një platforme të gurit janë shtrirë lesh i bardhë, sapunë e gurë. Aty është përgatitur një punëtori për punimin e plisit – kapela e bardhë tradicionale, e veshur nëpër shumë treva të banuara me shqiptarë.

Ergyle Gjyrgjealo, që e mban këtë punëtori, udhëheq një kompani të prodhimit të plisit. Kompani të tilla janë të rralla në Kosovë.

Punëtoria e punimit të plisit në Etnofest.

Në ditët e para të Etnofest-it, që do të zgjasë një javë, u hapën edhe disa ekspozita arti.

Klaudio Garunja, që erdhi nga Elbasani i Shqipërisë, hapi aty ekspozitën e tij të dytë personale.

“Jam shumë i lumtur, e kanë pritur shumë mirë, kanë qenë shumë të interesuar”, thotë për REL-in ky 31-vjeçar, që po e shfaq artin e tij për herë të parë në Kosovë.

Pikturat e Klaudio Garunjas, të ekspozuara në festivalin Etnofest.

Pasi përfundon bisedën me disa vizitorë të huaj, Hysaj kthehet t’iu ndihmojë vullnetarëve të festivalit për bartjen e ushqimit.

Për të, mbështetja e aktivitetit kulturor në fshat është e rëndësishme. Ai nënvizon nevojën për gjallërimin ekonomik të zonave rurale që po braktisen dita-ditës.

“Kukajn [festivali] e ka shndërruar në qendër të madhe [kulturore] rajonale. Kukaj është një dëshmi e madhe që ishte dashur t’i ndryshojmë politikat kulturore”, thotë ai.

Festivali “Etnofest” në Kukaj

Festivali, që nisi më 13 gusht, do të vazhdojë deri më 20 gusht. Ai mbështetet kryesisht nga Ministria e Kulturës dhe pret qindra vizitorë çdo vit.