Escobar në Beograd: Pres vazhdim dinamik të dialogut

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, të vazhdojë “në mënyrë dinamike dhe konstruktive”.

“Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”, tha Escobar.

Ai i bëri komentet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi Presidenca serbe.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se ka mbajtur “bisedime të rëndësishme” me diplomatin e lartë amerikan.

Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se është biseduar “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe për çështjet e hapura” në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ai tha se ka këmbëngulur në “zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, si dhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Serbia, si vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm, vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të saj, duke bërë përpjekje maksimale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për përparimin e gjithë rajonit”, tha Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbia s'do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi Kosovën

Escobar po qëndron në kryeqytetin serb një ditë pas vizitës në Kosovë.

Ai takoi edhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ky i fundit tha se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e negociatave me Kosovën, por se insiston edhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash - para së gjithash, marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në fund të vitit 2015, ka konstatuar se disa konkluzione në të, janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen përmes një statuti.

Udhëheqësit e tanishëm në Kosovë insistojnë se asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte i dëmshëm për vendin.

Në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thuhet, po ashtu, se në takimin mes Eskobarit dhe Petkoviqit u diskutua edhe për çështjen e targave të makinave dhe atë të energjisë.

Petkoviq citohet të ketë thënë se pala serbe i ka kryer të gjithë hapat nga Udhërrëfyesi për Energjinë, si dhe zotimet nga marrëveshjet tjera me Kosovën.

SHIKONI EDHE: BE: KOSTT dhe Elektrosever arrijnë marrëveshje për rrymën në veri

Petkoviq, siç thuhet në njoftimin e zyrës së tij, foli edhe për rastin e dënimit të zyrtarit të Listës Serbe në Kosovë, Ivan Todosijeviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të mërkurën Todosijeviqin me një vit burgim për "përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës".

Petkoviq tha se serbëve në Kosovë u mohohet e drejta e mendimit dhe liria e shprehjes.

SHIKONI EDHE: Serbia reagon pas dënimit të Todosijeviqit rreth deklaratave për Reçakun

Të mërkurën në Prishtinë, ai takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës ka ngecur.

Takimi i fundit në nivel të lartë, përkatësisht mes Kurtit dhe Vuçiqit, është mbajtur në gusht.

Duke folur për një televizion lokal të mërkurën në Kosovë, Escobar tha se arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës dhe Serbisë, është çështje javësh.

SHIKONI EDHE: Escobar: Arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës e Serbisë, çështje javësh

Pas takimeve të ndara me Escobarin, Osmani dhe Kurti thanë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe se ajo është e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, me në qendër njohjen reciproke.