Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje të dielën që Rusia të mos “margjinalizohet” në bisedimet për ringjalljen e një marrëveshjeje të rëndësishme për eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.
“Asnjë proces që e margjinalizon Rusinë në iniciativën e Detit të Zi për drithërat nuk do të jetë i zbatueshëm”, tha Erdogani për gazetarë në mbyllje të samitit të G20-ës në Nju Delhi më 10 shtator.
Ai njoftoi për një takim të ardhshëm rreth kësaj çështjeje mes përfaqësuesve nga Rusia, Ukraina dhe Kombet e Bashkuara (OKB), pa treguar datën dhe vendin e saktë të takimit.
OKB-ja dhe Turqia e ndërmjetësuan marrëveshjen për drithërat vitin e kaluar, e cila mundësonte kalimin e sigurt të anijeve civile përmes Detit të Zi, por ajo dështoi pasi Rusia u tërhoq në korrik.
SHIKONI EDHE: Erdogan: Turqia është kundër propozimeve alternative për marrëveshjen për drithëratQë prej atëherë, Rusia i ka sulmuar vazhdimisht portet dhe infrastrukturën e Ukrainës. Kievi i ka cilësuar këto sulme si përpjekje cinike të Rusisë për t’ia dëmtuar asaj eksportin dhe për ta minuar sigurinë e ushqimit global.
Një sulm rus me dronë të hënën e goditi një qendër të eksportit të drithërave në lumin Danub, thanë zyrtarët, duke shtuar se u dëmtuan depot dhe pajiset bujqësore si pasojë.
Pak orë më vonë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u takua me Erdoganin në Soçi, duke dhënë shpresa se ata mund ta ringjallin marrëveshjen.
SHIKONI EDHE: Çfarë do të ndodhë me produktet ukrainase në BE?Erdogani tha pas takimit se beson se mund të gjendet një zgjidhje shumë shpejt për marrëveshjen për drithërat.
“Mendoj se është e mundur të kemi përparim. Si Turqi, ne besojmë se do ta arrijmë një marrëveshje e cila do t’i përmbushë pritjet në një kohë të shkurtër”, theksoi ai.
Ndërkohë, Putini tha se Rusia është e “hapur” për ta kthyer marrëveshjen e rëndësishme për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi.