Ndërlidhjet

Çfarë do të ndodhë me produktet ukrainase në BE?


Korrja e grurit në NIkolske, në rajonin e Donjeckut. 19 korrik 2023.
Korrja e grurit në NIkolske, në rajonin e Donjeckut. 19 korrik 2023.

Në javët në vijim, Komisioni Evropian do të përballet me vendime të ndërlikuara lidhur me fluksin e produkteve bujqësore ukrainase në tregjet e Bashkimit Evropian.

Më 15 shtator përfundon e ashtuquajtura masë e përkohshme parandaluese që ka lejuar që gruri, elbi, fara të lulediellit dhe lulediellit nga Ukraina të kalojnë transit përmes Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Këto produkte duhet të qëndrojnë “të pahapura” derisa të arrijnë ndonjë shtet tjetër të BE-së dhe preferohet që ato të dërgohen në portet e BE-së, e më pas të nisen me anije drejt shteteve në zhvillim në mbarë botën.

Këto masa u ndërmorën në fillim të majit, për shkak se një muaj më parë Polonia, më pas edhe Hungaria, Sllovakia dhe Bullgaria në mënyrë të njëanshme mbyllën kufijtë e tyre për të gjitha eksportet ukrainase, duke u ankuar se sasia e madhe e mallrave bujqësore ukrainase kishte mbushur depot lokale dhe ato po shiteshin me çmime që po dëmtonin fermerët lokalë.

Komisioni Evropian u përpoq të gjente një zgjidhje që do të kënaqte Poloninë, Hungarinë, Sllovakinë, Bullgarinë dhe Rumaninë dhe të njëjtën kohë të ishte e pranueshme edhe nga Kievi. Po ashtu është paraqitur nevoja që të sigurohet që produktet bujqësore ukrainase të arrijnë në shtetet e treta, veçmas në Afrikë dhe Azi, ku ka pasur raportime për mungesë të furnizimeve.

Për më tepër, kërkohet kujdes që të mos ketë ndërprerje të mëdha të furnizimeve në tregun e brendshëm të BE-së, gjë për të cilën Komisioni Evropian është përgjegjës. Zgjidhja që Brukseli bëri në maj ishte një masë parandaluese ndaj katër produkteve në pesë shtetet në kohëzgjatje prej një muaji. Blloku po ashtu ofroi kompensim financiar për fermerët lokalë në këto shtete.

Në qershor, këto masa u zgjatën dhe pritet të jenë në fuqi deri më 15 shtator. Por, në një vendim të ndarë, BE-ja miratoi zgjatjen edhe për një vit të heqjes së tarifave, ku përfshihen të gjitha produktet ukrainase që hyjnë në bllokun evropian.

Por, tani pesë shtetet e BE-së po kërkojnë zgjatjen e masave deri në fund të vitit. Kjo kërkesë vjen në kohën kur në Sllovaki do të mbahen zgjedhjet parlamentare më 30 shtator, ndërkaq në Poloni më 15 tetor dhe fermerët janë një pjesë me shumë ndikim në elektoratin në të dyja shtetet.

Komisioni Evropian ka mirëkuptim për këto pesë shtete dhe shifrat mbështesin shqetësimet e tyre. Para vitit 2022, importet bujqësore të BE-së nga Ukraina ishin në vlerë prej 7 miliardë eurosh dhe 90 për qind e tyre vinin përmes Detit të Zi. Më 2022, kjo shifër u rrit në 13 miliardë euro, kurse 5 nga 6 miliardët shtesë të mallrave kanë përfunduar në tregjet e pesë shteteve të lartpërmendura.

Fajtorja kryesore në këtë mes është sigurisht Rusia, e cila ka penguar tregtinë e leverdishme të Ukrainës nga portet e Detit të Zi. Që nga nisja e luftës, 40 për qind e drithërave ukrainase janë eksportuar përmes nismës së drithërave të Detit të Zi që skadoi në korrik, pasi Rusia refuzoi që ta zgjaste marrëveshjen.

Turqia, që ka qenë një palë kyçe në nismën e arritur më 2022 që ndihmoi në lehtësimin e krizës me furnizime ushqimore në botë duke hapur tregtinë nga disa porte të tjera ukrainase. Ankaraja po punon që ta ringjallë marrëveshjen. Për këtë çështje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, më 4 shtator në Soçi.

Megjithatë, pyetja është nëse Rusia është e interesuar për t’u ringjallur marrëveshja. Duke pamundësuar eksportet ukrainase nga Deti i Zi – ku kalojnë anijet e mëdha dhe eksportet janë më të mira sesa transporti tokësor për në BE – Rusia duket se ka mposhtur një konkurrent të rëndësishëm tregtar dhe e ka bërë drithin e saj më të lirë dhe më fitimprurës në mbarë botën.

Ukraina sigurisht dëshiron që masat e përkohshme të hiqen më 15 shtator, por ky shtet gjendet në një situatë të vështirë kur bëhet fjalë për produktet bujqësore. Vetëm 3 për qind e produkteve që aktualisht transportohen përmes rrugëve të solidaritetit të BE-së, në vend të rrugës përmes Detit të Zi, po shkojnë nga BE-ja për në vendet e treta. Thjesht, nuk ka shumë blerës në botë për blerjen e këtyre produkteve të shtrenjta. Italia, Holanda dhe Spanja kanë rritur importet ukrainase, veçmas të elbit, që është produkt kyç për ushqimin e bagëtive dhe rritjen e prodhimit të mishit.

BE-ja po ashtu po investon, në vlerë prej 1 miliard eurosh, për të përmirësuar rrugët e solidaritetit dhe për të ulur kostot për tregtarët ukrainas. Mjetet juridike që mund të përdoren përfshijnë eliminimin e pritjeve të gjata në kufijtë e BE-së me Ukrainën duke përmirësuar shërbimet doganore, rrugët që çojnë për në vendkalime dhe duke rritur personelin në pikat kufitare. Por, masa të tilla marrin kohë që të zbatohen.

Shtetet e Baltikut kanë sugjeruar se lehtësimet administrative në kufijtë mes BE-së dhe Ukrainës duke zhvendosur kontrollet doganore, veterinare dhe fitosanitare në pesë portet baltike (Talin, Riga, Ventspils, Liepaja dhe Klaipeda), të cilat së bashku kanë kapacitet vjetor prej 25 milionë tonësh. Kroacia po ashtu ka sugjeruar përdorimin e porteve në Adriatik në mënyrë të ngjashme.

*Video: Mundësia e eksportit të drithit ukrainas përmes Kroacisë

A mund të hyjë drithi ukrainas në tregun botëror përmes Kroacisë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:19 0:00

Aktualisht, skenari më i mundshëm është zgjatja e mbajtjes në fuqi të masave parandaluese, bazuar në indikatorët e dhënë nga zyrtarët e BE-së. Dhe jo vetëm kjo. Pesë shtetet që po pranojnë produktet ukrainase duan më shumë produkte, përfshirë vezët dhe shpendët për t’ia shtuar listës ekzistuese të mallrave.

Komisioni Evropian deri më tani ka thënë se nuk ka fluks të madh vezësh dhe shpendësh që Ukraina eksporton. Megjithatë, mjedrat mund të shtohen në listë, pasi një zyrtar i Komisionit Evropian tha se ka “rritje drastike” të këtij produkti në tregun e BE-së.

Komisionari evropian për Bujqësi, Janusz Wojciechowski, së fundi ka hedhur idenë e kompensimit të Kievit së bashku me zgjatjen e masave. Duke vënë në pah se transiti i BE-së kushton rreth 30 euro për ton dhe Ukrainës i duhet të eksportojë rreth 20 milionë tonë produkte ushqimore në muajt e ardhshëm. KE-ja, tha ai, do t’i ofrojë 600 milionë euro Kievit.

Një gjë e tillë do të vepronte si një lloj subvencioni ekonomik për tregtarët ukrainas për të mundësuar transportin e drithit deri në portet e BE-së. Ukraina thuhet se do ta konsideronte një opsion të tillë, por është e paqartë nëse i gjithë Komisioni Evropian do të pajtohej për kompensimin.

Në ditët në vijim pritet të arrihet një zgjidhje, veçmas duke pasur parasysh se në maj u ngrit një platformë pune për trajtimin e çështjeve, ku janë përfshirë përfaqësuesit e pesë shteteve të BE-së, ata nga Ukraina dhe Komisioni Evropian.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG