Erdogan shpreson në marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë për targat

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan (majtas) dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. 7 shtator 2022.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia së shpejti do të arrijnë marrëveshje për targat e makinave.

“Theksojmë se jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë mbështetjen tonë, sido që të mundemi. Ballkani nuk mund të tolerojë më këtë lloj problemi”, ka thënë Erdogan të mërkurën, gjatë një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Nga 1 shtatori, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit të saj për riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Procesi pritet të zgjasë dy muaj.

Serbia kërkon negociata për këtë çështje, duke propozuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Qeveria e Kosovës nuk pranon një gjë të tillë.

Your browser doesn’t support HTML5

Përfitimet nga riregjistrimi i makinave në RKS

Kërkesa për "Bajraktar”

Vuçiq ka thënë se në takimin me Erdoganin kanë diskutuar për bashkëpunim më të madh ushtarak.

Ai ka përsëritur se Serbia dëshiron të blejë dronë turq “Bajraktar”.

“Ne jemi të një linje dhe unë shpresoj se do të mund të arrijmë diçka të tillë vitin tjetër. Ne jemi të gatshëm të paguajmë më shumë para sesa ishim pajtuar në të kaluarën dhe të ofrojnë qindra miliona euro”, ka thënë Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Çfarë është Bayraktari?

Vuçiq po ashtu i ka kërkuar presidentit turk që t’i ndihmojë në sigurimin e energjisë elektrike nga Azerbajxhani në Serbi.

“I kam kërkuar të na ndihmojë në këtë çështje dhe të na sigurojë hapësirë për dërgimin e 100 megavatëve të energjisë nga Azerbajxhani në territorin tonë, sepse diçka e tillë do të na lehtësonte situatën në muajt e dimrit”, ka thënë presidenti serb.

SHIKONI EDHE: A mund ta ndihmojë Azerbajxhani pavarësinë e Evropës nga gazi rus?

Politikat e Perëndimit ndaj Rusisë, “provokative”

Presidenti turk, Erdogan, ka thënë të mërkurën se nuk i konsideron të drejta politikat “provokative” të Perëndimit ndaj Rusisë.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi Bashkimi Evropian ka propozuar një kufi çmimi për gazin rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar me ndaljen e të gjitha furnizimeve nëse BE-ja merr një hap të tillë.

SHIKONI EDHE: Si mund ta ndalë Evropa rritjen e çmimeve të energjisë?