Ndërlidhjet

Si mund ta ndalë Evropa rritjen e çmimeve të energjisë?


Linja të energjisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Linja të energjisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Reuters

Bashkimi Evropian është duke përgatitur plane emergjente për të kufizuar rritjen e çmimeve të energjisë.

Blloku evropian është duke analizuar edhe mundësinë e ndarjes së çmimeve të energjisë nga çmimet në rritje të gazit, por edhe reforma tjera afatgjata, me qëllim të sigurimit që çmimet e energjisë reflektojnë energji të ripërtërishme më të lirë.

Ministrat e Energjisë nga vendet e BE-së, do të takohen më 9 shtator për të diskutuar si të menaxhojnë situatën me çmimet në rritje të energjisë.

Çmimet e energjisë në Evropë janë rritur prej vitit të kaluar, por rritja më e madhe është vërejtur pas luftës së Rusisë në Ukrainë, periudhë kur Rusia ka kufizuar furnizimet me gaz në kontinent.

Qeveritë evropiane kanë akuzuar Moskën se po përdor energjinë për të shantazhuar Perëndimin, i cili ka sanksionuar Rusinë, pas nisjes së luftës.

Gjiganti rus, Gazprom ka thënë se ndërprerja e furnizimit është pasojë e sanksioneve të Perëndimit dhe çështjeve tjera teknike.

Ndryshimi i sistemit të energjisë brenda BE-së mund të jetë proces kompleks dhe i gjatë, pasi tregtimi i energjisë brenda kufijve të bllokut ka marrë dy dekada kohë për të marrë formën e vet.

Megjithatë, ligjvënësit janë duke garuar për të gjetur një zgjidhje afatshkurtër.

Pse lidhet çmimi i rrymës me gazin?

Në sistemin e energjisë brenda BE-së, çmimi me shumicë i energjisë elektrike përcaktohet kur termocentrali i fundit të plotësojë kërkesën e përgjithshme.

Centralet me erë, ato bërthamore, të thëngjillit dhe gazit, por edhe gjeneratorë tjerë janë pjesë e këtij tregu.

Sistemet që krijojnë energji me burimet më të lira janë të parat në listë, të përcjella nga burime më të kushtueshme sikurse gazi.

Centralet me gaz shpesh e përcaktojnë çmimin në këtë sistem.

Ideja e këtij sistemi është që, meqë të gjithë gjeneratorët e shesin energjinë në të njëjtën kohë, gjeneratorët që prodhojnë energji të ripërtërishme përfundojnë me fitim më të madh.

Kështu, Evropa synon të nxisë më shumë investime në këtë lloj të energjisë, edhe për shkak të përmbushjes së synimeve për luftim të ndryshimeve klimatike.

Shtetet sikurse Spanja, kanë thënë se sisteme të tilla janë të padrejta.

Çmimet e gazit janë rritur pasi Rusia ka zvogëluar furnizimet drejt Evropës, por edhe për faktin se bota është në garë për mospërdorim të gazit rus.

Kjo situatë ka rezultuar me rritje të çmimeve të energjisë që kanë burim gazin dhe si përfundim janë rritur faturat e konsumatorëve.

Kontrata standarde energjisë në Gjermani për vitin 2023 është rritur në nivel rekord, përkatësisht në 1.050 euro për megavat në orë.

Kjo shifër është 14 herë më e madhe sesa një vit më parë.

Faktorë tjerë që kanë ndikuar në rritje të çmimeve të energjisë përfshijnë problemet me centralet bërthamore franceze dhe thatësinë në Evropë.

Si mund të ndryshojë BE-ja çmimet e energjisë?

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja duhet të ndajë në kategori çmimet e gazit dhe energjisë, por pa ofruar hollësi tjera.

Sipas një dokumenti të Komisionit, të cilin e ka parë agjencia e lajmeve, Reuters, në mesin e propozimeve përfshihet edhe vendosja e një kufiri në çmim për gjeneratorët që nuk punojnë me gaz.

Republika Çeke, e cila aktualisht është në krye të Presidencës së BE-së, ka ofruar propozimet e veta për ministrat e Energjisë, të cilat pritet të diskutohen në takimin e së premtes.

Në to përfshihet një kufi çmimi për gazin e importuar nga vende të caktuara, një kufi çmimi për gazin e përdorur për prodhimin e energjisë elektrike, ose heqjen e përkohshme të termocentraleve me gaz nga sistemi aktual i BE-së për përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike.

Ideja e vendosjes së një kufiri në çmimet e gazit është mbështetur nga Spanja, Belgjika dhe vendet tjera, ndonëse e njëjta është parë me dilema në Austri dhe Gjermani.

Franca është në mesin e shteteve që pëlqen idenë e ndarjes së çmimeve të gazit dhe atyre të energjisë.

Një mundësi, e propozuar nga kryeministri italian, Mario Draghi, është që shtetet e BE-së të pajtohen për një kufi në çmimin e gazit të importuar nga Rusia.

Kritikët besojnë se një ide e tillë mund ta shtyjë Rusinë që të ndalë plotësisht gazin në Evropë.

Një tjetër mundësi që është përmendur parasheh që qeveritë të vendosin kufirin e çmimit të gazit dhe t'u paguajnë kompanive të gazit diferencën midis çmimit të kufizuar dhe çmimit më të lartë të tregut.

Shtetet sikurse Gjermania dhe Holanda kanë hedhur poshtë diçka të tillë, me arsyetimin se fonde të tilla më parë i shpenzojnë për prodhim të energjisë më të pastër dhe më të lirë.

Cilat janë mangësitë potenciale?

Çmimet e larta të gazit mund të nxisin industritë dhe familjet që të zvogëlojnë përdorimin e gazit – diçka që qeveritë po e inkurajojnë, për t’u siguruar se do të ketë gaz të mjaftueshëm për dimër.

Një vendosje e kufirit në çmim mund të nxisë ekonomitë familjare që të mos e kursejnë energjinë.

Disa analistë besojnë se mbështetja financiare për familjet me të ardhura të ulëta, dhe bizneset e goditura më së shumti nga rritja e çmimeve, do të ishte një alternativë më e mirë sesa një rregullim i nxituar i tregut.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG