Në Kosovë më 5 mars ka nisur shënimi i manifestimit treditor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa krerët shtetërorë nderuan rezistencën e familjes Jashari nga Prekazi.
Krerët shtetërorë nderuan lartë pjesëmarrësit dhe të rënët në luftën e fundit dhe Adem Jasharin, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së dhe familjes së tij.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se liria mban vulën e familjes Jashari.
“Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të 3.000 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh. Ata janë mishërim i trimërisë dhe nderit”, tha Osmani.
Ajo tha se Kosova do të jetë “shtet i pavarur përjetësisht” dhe se ky shtet është amaneti i dëshmorëve.
“Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjendarë, Prekazin historik, dhe të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, marrim frymëzimin dhe energjinë e pashtershme për të marshuar para në rrugëtimi ne pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë, ruajtjen e mbrojtjen e integritetit territorial e sovranitetit të vendit të pavarur”, tha Osmani gjatë ceremonisë së organizuar në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë.
SHIKONI EDHE: “E vërteta mësohet në Prekaz”Osmani, që është komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se së bashku me aleatët, kjo forcë do të vazhdojë të kontribuojë përmes misioneve humanitare për të mbrojtur paqen, lirinë dhe demokracinë në botë.
FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri të Kosovës. Procesi ka nisur më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ushtria e Kosovës ka fillesat në fundin e viteve ’80, “atëherë kur Ademi [Jashari] nisi të fliste me shokët për nevojën që kishte Kosova për të pasur ushtri”.
“Andaj sot, ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me armatime moderne dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Nis zyrtarisht procesi i transformimit të FSK-së në ushtriMë 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.