Energjia e gjelbër nga kodrat e Kamenicës
Mbi 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit në termocentralet e Obiliqit.
Viteve të fundit në Kosovë është rritur përpjekja për të rritur burimet e energjisë së ripërtërishme.
Një nga projektet që është në funksion është edhe parku i erës Kitka në komunën e Kamenicës.
Më 2 shkurt, një petk i hollë bore qëndronte ende në tokën nën turbinat e larta që prodhojnë energji elektrike në Parkun e Erës Kitka.
Kitka është një prej parqeve të para të erës në Kosovë dhe ka kapacitet 32megavat.
Ky park nisi prodhimin e energjisë elektrike në vitin 2018.
Ndër projektet që gjenerojnë energji të ripërtërishme në Kosovë, është një park i erës në Bajgorë të Mitrovicës së Jugut - që është një bashkëpunim firmash nga Kosova, Gjermania dhe Izraeli - si dhe një tjetër i ngjashëm në Kitkë të Kamenicës, investim nga kompania turke “Guirish”.
Parku i Bajgorës, filloi prodhimin në fund të vitit 2021 dhe ka rreth 30 turbina, prodhim i kompanisë General Electric.
Në një përpjekje për të rritur prodhimin e energjisë përmes burimeve të ripërtrishme në Kosovë, Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar një ankand për investitorë të mundshëm në këtë fushë dhe fituesi i këtij ankandi pritet të shpallet në javët në vazhdim.
Kosova vazhdimisht ka thënë se po bën përpjekje për ta shtyrë tranzicionin energjetik të vendit, ku shumica e energjisë elektrike ende prodhohet nga qymyri.
Rreth 82 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e qymyrit, ndërsa pjesa tjetër nga burimet e ripërtërishme të energjisë, ku përfshihen: hidrocentralet, centralet e erës dhe panelet diellore.
Për dallim prej projekteve tjera në fushën e energjisë së ripërtërishme, projektet e hidrocentraleve janë kundërshtuar nga banorët lokalë që jetojnë pranë lumenjve. Kjo çoi në ndërmarrjen e masave nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në parandalimin e ndërtimit të hidrocentraleve të reja.
Kosova hapi ankandin e parë për energji solare në maj të vitit 2023, ku synohet realizimi i një parku solar (energji diellore), me kapacitet prodhimi prej 100 megavatesh në orë.
Kosova në ankand ofron tokën publike me qira për 30 vjet, qasje të lehtë për automjete dhe pajisje, marrëveshje të garantuar për blerje të energjisë diellore për 15 vjet dhe lidhje të siguruar në rrjetin e transmisionit.
Kuvendi i Kosovës miratoi Strategjinë për Energji 2022-2031 në mars të këtij viti. Në bazë të saj, Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji, t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme.
Bashkimi Evropian ku Kosova ka synim të integrohet - ka caktuar disa afate për mbylljen graduale të termocentraleve me thëngjill, meqë djegia e tij ndikon negativisht edhe në ngrohjen globale.
Me anë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Samitit të Sofjes, Kosova është zotuar se deri në vitin 2050 do të dekarbonizohet apo do të zvogëlojë varësinë nga thëngjilli.
Të dhënat lidhur me emetimin e gazrave serrë në Kosovë janë të mangëta, mirëpo Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) raporton se ndotësi kryesor është sektori i energjisë, i cili ishte përgjegjës për mbi 85% të dyoksidit të karbonit të emetuar në atmosferë.
Sipas njohësve të fushës së energjetikës, Kosova mund t’i arrijë synimet për dekarbonizim duke u përqendruar në projekte për reduktimin e energjisë së humbur shkaku i rrjetit të vjetër, si dhe në instalimin e centraleve diellore dhe të erës.