Ekstremistët fetarë gjejnë alternativa për propagandë

ilustrim

Ndikimi i rrjeteve sociale dhe e ashtuquajtura propaganda “online” është një prej faktorëve më kryesor në periudhën e deritashme, për përhapjen e ideologjive ekstremiste dhe indoktrinimin e të rinjve me ideologjitë e tilla, vlerësojnë njohësit e aspekteve të sigurisë në Kosovë.

Të paktën, kështu flasin matjet e Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë.

Drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky ndikim dhe kjo mënyrë e të propaganduarit të ideve ekstremiste, kryesisht me bazë fetare, është mjaft e vështirë që të luftohet.

Përfshirja e rrjeteve sociale dhe e internetit në përgjithësi, është jashtëzakonisht e madhe në Kosovë, ashtu sikurse edhe në vendet tjera. Si e tillë, është e vështirë që të vendoset nën kontroll. Por, unë besoj që qasja më e mirë është ndërtimi i kundër- narracionit në rrjetet sociale dhe po ashtu edhe në platformën ‘online’, në mënyrë që të ballafaqohet argumentimi i vërtetë i interpretimit të saktë dhe të themi, më liberal të çështjeve fetare”, tha Ramadani.

Valon Canhasi, ekspert vendor i rrjeteve sociale, duke folur për Radion Evropa e lirë, shpjegon që platformat dhe mediat sociale, sidomos ato që janë “në kohë reale”, sikurse Twitter, fillimisht kanë qenë të përdorura mjaft prej grupeve dhe organizatave të ndryshme, për të shpërndarë përmbajtjen e aktiviteteve të tyre nga e ashtuquajtura “vija e parë e frontit”, në vendet ku zhvillohej konflikti. Por, sipas tij, vetë këto platforma, të cilat kanë numër të madh të përdoruesve, kanë ndërmarrë masat për të penguar propagandimin e ideve ekstremiste dhe radiale, që çojnë në terrorizëm.

Ajo çfarë kam parë tek këto platformat, sikurse Facebook dhe Twitter, është se ato e kanë parë që kanë filluar të kenë ndikim, për shkak së shpërndarja e përmbajtjes ka qenë shumë e shpejtë dhe e madhe, në të njëjtën kohë. Kanë filluar t’i censurojnë. Për shembull, këto platforma kanë bërë një lloj koalicioni, që të mund t’i bllokojnë këto llogari. Ajo çfarë kanë bërë tash është që i kanë bllokuar me mijëra llogari të këtyre organizatave dhe e kanë censuruar përmbajtjen e tyre për shpërndarje, të cilën e kanë krijuar. Tash, në këtë kohë, nuk janë duke u përdorur”, tha Canhasi.

Por, Ramadani thekson se rrjetet sociale dhe platformat ‘online’, në përgjithësi, kanë mjaft hapësira, të cilat mund të shfrytëzohen për indoktrinim, dhe është vështirë që përmes mbylljes apo restrikcioneve të caktuara, të zhvlerësohen apo mbyllen këto hapësira. Sipas tij, edhe qasja në këto rrjete dhe platforma ka evoluuar.

Evoluimi i qasjes ‘online’ i këtyre rrjeteve, respektivisht, të lëvizjeve ekstremiste, është në vazhdimësi e sipër. Gjatë tërë kohës ka ndryshuar. Dhe kryesisht ka pasur jo vetëm mesazhe agresive, por kryesisht ka pasur mesazhe promovuese për lëvizjet ekstremiste. Dhe kjo është ide, e cila duhet të luftohet në mënyrë të prerë”, tha Ramadani.

Edhe Canhasi, vlerëson se qasja e grupeve, organizatave apo individëve me ide ekstremiste në platforma “online”, ka evoluuar.

Ata kanë filluar të përdorin aplikacione, të cilat janë më shumë ‘një për një’, sikur ‘Viber’, ‘WhatsApp’ dhe platforma të ngjashme, që krijojnë grupe të njerëzve, të cilët mund të shprehin interesim, por që janë të mbyllura për publikun”, theksoi Canhasi.

Ramadani thekson se dëmet nga e ashtuquajtura propaganda ‘online’, sipas vlerësimeve të qendrës që drejton, llogariten të barabarta sikurse propaganda e drejtpërdrejtë nga interpretuesit ekstremist të fesë.

Ndërkaq, Canhasi ka thënë se raporti zyrtar i rrjetit social Facebook, tregon se gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka bërë 14 deri në 17 kërkesa për qasje në llogari të disa individëve, por pa shpjeguar arsyet e kërkesave. Ky numër është relativ për faktin se për persona të caktuar kërkesa është përsëritur.