“I pashë miqtë e mi të shtrirë përtokë, me fytyra të nxira dhe të mbuluara me gjak… Nuk dija se si të kthehesha në shtëpi”.
Ky është rrëfimi i Blinorit, një djalë nga Kosova, i lindur në vitin 1993. Ai nuk i kishte bërë ende gjashtë vjet kur nisi lufta e viteve 1998-‘99 në Kosovë.
Në prill të ’99-s ka qenë duke luajtur në një fushë, kur bashkë me shokët e tij kanë hasur në një mjet shpërthyes. Blinori ka shpëtuar nga shpërthimi, por të vrarë kanë mbetur pesë fëmijë, përfshirë kushëririn e tij, Edonin, 3 vjeç.
Blinori e ka ruajtur bluzën që Edoni kishte veshur, e cila tani është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Prishtinë, në kuadër të ekspozitës udhëtuese të Muzeut të Fëmijërisë së Luftës.
Lodra, vizatime e rroba janë vetëm disa nga gjërat, që fëmijë të gjendur nëpër zona të luftës, kanë ruajtur si kujtim nga vitet e përgjakshme, e që tani janë nxjerrë në këtë ekspozitë.
Pranë secilit objekt të ekspozuar qëndron edhe një pllakë me rrëfimin e tyre.
Ekspozita, që është hapur më 19 prill në Prishtinë, ka mbledhur histori të fëmijëve nga Kosova, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Ukraina, Afganistani, Siria, Iraku dhe territoret palestineze.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës është themeluar fillimisht në Sarajevë, në vitin 2017. Që atëherë, ai është pasuruar me rrëfime nga luftërat nëpër vende të ndryshme dhe duke organizuar ekspozita udhëtuese nga vendi në vend - përfshirë tani edhe Kosovën.
Drejtoresha e Muzeut, Amina Kravavac, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë munduar t’i japin hapësirë perspektivës së fëmijëve, pasi shpesh, sipas saj, atyre nuk u jepet platformë për të shprehur nevojat dhe ndjenjat e tyre nga koha e luftës.
“Ideja ka qenë që të mblidhen të gjitha përvojat dhe të tregojmë që fëmijëria e prekur nga lufta, është një fenomen social shumë kompleks. Ne, gjithashtu, mundohemi të theksojmë fuqinë e fëmijëve”, thotë Kravavac.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës ka mbledhur më së shumti rrëfime dhe objekte nga fëmijët që kanë përjetuar luftën në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë viteve 1992-‘95.
Kravavac thotë se rrëfimet e fëmijëve nga zona të ndryshme në botë kanë kontekste të ndryshme kulturore, politike e kohore, por, sipas saj, kanë edhe të përbashkëta.
“Në përgjithësi, nëse na duhet një emërues i përbashkët, ne shohim se si fëmijët me të vërtetë arrijnë të krijojnë faktorë mbrojtës dhe mekanizma për të përballuar situatat”, thotë ajo.
Në nëntor të vitit 1991, Martina, atëbotë rreth 3 vjeçe, është goditur nga një granatë në Vinkovci, gjatë luftës në Kroaci.
Bluza e përgjakur e saj është ruajtur nga Muzeu i Fëmijërisë së Luftës.
Në rrëfimin e saj, Martina ka treguar se nga ai shpërthim është plagosur në kokë edhe vëllai i saj.
Përveç objekteve e fotografive, ekspozita ka mbledhur edhe video-materiale dhe incizime të bëra në kohë të ndryshme të luftërave në vendet e Ballkanit dhe më gjerë.
Renea, një vajzë nga Kosova, dëgjohet duke rrëfyer në një video të xhiruar në gusht të vitit 1999, për djegien e shtëpisë së saj.
“Do ta bëj [një shtëpi] të re. Edhe më të mirë. Me pishinë”, dëgjohet Renea në videon e xhiruar nga babai i saj. Atëbotë, ajo ka qenë 8 vjeçe.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, mbi 1,000 fëmijë janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Qëndrimi i fëmijëve ndaj luftës është një nga mënyrat më të pastra të tregimit të eksperiencave në luftë, thotë Hajrie Gashi, e cila të martën e 19 prillit vizitoi ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës në Prishtinë.
E lindur në vitin 2003, Hajria nuk e ka përjetuar luftën në Kosovë, por thotë se rrëfimet e fëmijëve e emocionuan shumë.
“Jam pa fjalë. Është thjesht e pastër mënyra se si e tregojnë ata [fëmijët], se si e kanë përjetuar [luftën] në botën e tyre, se si e kanë parë...”, thotë Hajria.
Ndonëse tema e luftës mbetet e ndjeshme edhe shumë vite pas, Kravavac thotë se ekspozitat e këtyre rrëfimeve u pranuan mirë në Sarajevë, Beograd e Prishtinë.
“Ne u ndjemë shumë të mirëseardhur dhe pamë që njerëzit ishin falënderues që dikush po merret me temën e luftës nga një perspektivë e re dhe deri diku inovative”, thotë ajo.
Naqibi, një djalë që tani jeton në Bosnje e Hercegovinë, ka qenë dëshmitar i vrasjes së prindërve të tij nga një bombë e vendosur nga talibanët në Afganistan, në vitin 2009.
Talibanët, grup militant, janë rrëzuar nga pushteti në vitin 2001. Për 20 vjet - deri në rikthimin e tyre në pushtet, më 2021 - ata kanë luftuar me forcat qeveritare.
Naqibi ka rrëfyer historinë e prindërve të tij dhe ka ruajtur tespihun e babait.
Në lindje të Ukrainës, separatistët pro-rusë luftojnë forcat qeveritare qysh në vitin 2014. Nga 24 shkurti i këtij viti, Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Në luftimet në lindje, për më shumë se tetë vjet, besohet të jenë vrarë më shumë se 13,200 njerëz.
Dmytro, një djalë i lindur në vitin 2002, i ka dhuruar Muzeut të Fëmijërisë së Luftës një qen lodër.
Në një datë që nuk është bërë e ditur në rrëfimin e Dmytros, pas fillimit të konfliktit në vitin 2014, ai ka qenë në oborrin e shtëpisë së tij kur ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Një plumb ka goditur qenin e tij lodër, duke e shpëtuar atë nga lëndimet.
“Plumbi ka shkaktuar vrima në trupin e qenit tim, por ne i qepëm shpejt dhe ai ka qenë si shoku im më i mirë që atëherë. Mund t’i besoja gjithçka, madje edhe frikën time më të madhe”, ka rrëfyer Dmytro.
Ekspozita në Prishtinë, me këto dhe rrëfime të tjera të fëmijëve, do të jetë e hapur deri më 30 prill.
Pas kësaj date, sipas drejtoreshës ekzekutive të Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, Amina Kravavac, ekspozita do të udhëtojë në vende të tjera evropiane, por nuk ka specifikuar se ku.