“Më lër brenda, më lër jashtë” - thirrja për personat me aftësi të kufizuara

“Fillimi ishte sikur të hysh në një pallat të errët që ti nuk e njeh... ku duhet të hapësh shumë dyer dhe nuk e di se çfarë të pret pas asaj dere”.

Kështu i përshkruan Fjolla Muhaxhiri-Augusholli nga Prishtina ditët e para kur humbi shikimin si pasojë e një sëmundjeje.

Ishte 20 vjeçe dhe fillimisht u mbështet te familja, ndërsa më vonë te bashkëshorti, për të përballuar errësirën në të cilën i ishte shndërruar jeta.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas, falënderimin për ta e shpreh në librin e saj me poezi: “Mbretëresha e Natës”.

“Me shkrime jam marrë qysh e vogël. E kam pasur pasion, e kam pasur dashuri. Ishte një kohë, një pauzë... kur shkrimi më mbeti vetëm si ëndërr e fjetur në shpirt”, rrëfen Fjolla për Radion Evropa e Lirë.

Fjolla Muhaxhiri- Augusholli, autore e librit “Mbretëresha e Natës”

Autorja promovoi librin këtë vit dhe së bashku me të u bë pjesë e ekspozitës “Më lër brenda, më lër jashtë”, dedikuar personave me aftësi të kufizuara dhe shembujve kur këta persona shënuan suksese, përkundër vështirësive.

Ekspozita u hap më 17 nëntor në hapësirat e hotelit “Grand” në Prishtinë. Ajo u ideua nga poeti Arbër Selmani, me ndihmën e artistes Arlinda Hajrullahu.

Ekspozita sjell histori të individëve të ndryshëm me aftësi të kufizuara, që kanë realizuar ëndrrat e tyre në fusha të ndryshme - nga arti e sporti deri tek avokimi publik.

“Këta njerëz [personat me aftësi të kufizuara] janë shumë të fuqishëm. Ata bëjnë një jetë si të gjithë ne, megjithatë mundësitë i kanë më të vogla se ne. Ata kanë nevojë që t’iu krijohet një infrastrukturë e mirë”, thotë Selmani për Radon Evropa e Lirë.

Arbër Selmani, kurator i ekspozitës, “Më lër brenda, më lër jashtë”

Emërtimi i ekspozitës “Më lër brenda, më lër jashtë”, sipas tij, është “thirrje e këtyre personave që të hyjnë brenda nesh, të jenë pjesë e jona, e sistemit”.

“Dhe, në anën tjetër, është edhe një thirrje që këta njerëz të nxirren jashtë. Janë të izoluar disa prej tyre”, thotë ai.

Motivin për të bërë diçka të tillë për këtë kategori të shoqërisë, Selmani thotë se e gjeti te motra e tij, po ashtu me aftësi të kufizuara.

Në muret e hapësirës së “Grand”-it është vendosur edhe një fustan dhe fotografi nga fëmijëria e motrës së Selmanit, e cila përdor karrocën.

Vizitorë të ekspozitës “Më lër brenda, më lër jashtë”

E buzëqeshur dhe e lumtur nga grumbullimi i njerëzve në ekspozitë dukej Medina Surdulli, një notare 27-vjeçare nga Kosova, e lindur me sindromën Down.

Ajo tregon se ujin e deshi që nga vegjëlia. Në vitin 2012 ka fituar vendin e tretë në Kampionatin Botëror të Notit për personat me sindromën Down.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e ekspozitës. E falënderoj Arbërin që ka bërë mund të madh [për ekspozimin] e sukseseve të mia”, thotë Medina, teksa shikon fotografitë e saj të ekspozuara.

Medina Surdulli, notare 27- vjeçare me Sindromën Down.

Qeveria e Kosovës e shpalli vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara, që, sipas saj, nënkupton mobilizim të të gjitha institucioneve për përmirësimin e kushteve për këtë kategori të shoqërisë.

Ndonjë vlerësim zyrtar për arritjet në këtë drejtim nuk ka, por Afrim Maliqi, drejtor i shoqatës “Handikos” që merret me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, thotë se nga institucionet nuk u bë shumë as gjatë këtij viti.

“Edhe personat me aftësi të kufizuara dinë, munden dhe ia dalin. Atyre duhet t’iu krijohen mundësi që t’i tregojnë talentet apo aftësitë e tyre”, thotë Maliqi.

Afrim Maliqi, drejtor i shoqatës “Handikos”, dedikuar personave me aftësi të kufizuara.

Për dy javë sa pritet të jetë e hapur ekspozita, vizitorët do të mund të shohin edhe rrëfime të tjera të sfidave e sukseseve.

Përshkrimet e instilacioneve nxjerrin në pah edhe mundin dhe mbështetjen e familjarëve për t’i fuqizuar e integruar në jetën e përditshme personat me aftësi të kufizuara.

Sebahate- Hajdini Beqiri nga shoqata “Down Syndrome Kosova” së bashku me djalin e saj Gencin.

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 15 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në botë.

Ndërsa në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2011, jetojnë rreth 77 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Kosova ka ligj për integrimin e personave me aftësi të kufizuara, por disa raporte, si ai i Avokatit të Popullit, thonë se infrastruktura për ta mungon.

Instalacion në ekspozitën “Më lër brenda, më lër jashtë”.

Ekspozita “Më lër brenda, më lër jashtë” gjendet në katin e tretë të hotelit “Grand”. Ideatori i saj, Arbër Selmani, thotë se janë siguruar kushtet që edhe personat që përdorin karrocën, të kenë qasje atje.

Në fund të muajit tetor, Radio Evropa e Lirë ka publikuar një seri shkrimesh për sfidat me të cilat përballen personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë, të cilat mund t’i lexoni në këtë link.