Ekspozita që pasqyron vuajtjet e romëve gjatë Holokaustit
Të mërkurën në Muzeun e Kosovës në Prishtinë është hapur Ekspozita e Holokaustit ndaj romëve.
Organizatore e ekspozitës është Organizata joqeveritare "Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve”.
Sipas organizatorëve, kjo ekspozitë është dedikim për qindra mijëra romë të ekzekutuar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
“Ekspozita prezantohet për herë të parë në Kosovë, ku paraqiten dokumente dhe rrëfime të ndryshme me domethënie të jashtëzakonshme të njerëzve, të cilët e kanë përjetuar Holokaustin gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore”, tha për Radion Evropa e Lirë organizatori Denis Avdiu.
Avdiu bëri të ditur se rrëfimet dhe dokumentet kanë të bëjnë me komunitetin rom, ndërsa shtoi se qëllimi është që qytetarët dhe institucionet të njohin më mirë atë se me çfarë është ballafaquar ky komunitet.
“Vizitorët do të ndajnë solidaritetin e tyre ndaj viktimave, për shkak se qindra mijëra romë gjatë kësaj periudhe janë vrarë dhe ne po konsiderojmë që kjo ngjarje duhet të njihet në nivel të Kosovës dhe më gjerë”, theksoi Avdiu.
Sipas Avdiut, ky do të jetë një shans shumë i mirë që edhe institucionet e Kosovës të njoftohen më shumë me këtë ngjarje.
Shfaqje e interpretuar gjatë hapjes së ekspozitës.
Holokausti është vrasja masive e rreth 6 milionë hebrenjve
Vrasja masive e rreth 6 milionë hebrenjve ishte organizuar nga partia naziste e liderit gjerman, Adolf Hitler, nga viti 1933 deri më 1945.
Gati 7 nga çdo 10 hebrenj që ka jetuar në Evropë është vrarë gjatë kësaj kohe.
Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne.
Fotografi e shënime të shfaqura në ekspozitë.
Vizitorët e ekspozitës...
Dy gra duke shikuar ekspozitën ku janë prezantuar objekte, fotografi dhe elemente që pasqyrojnë Holokaustin ndaj romëve.