"Lule kundër luftës": Refugjatja ukrainase hap ekspozitë në Prishtinë

Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës - QKRMT organizoi ekspozitën "Lule kundër luftës" me punimet e Liudmyla Makeit. 

Liudmyla Makei është një gazetare ukrainase e strehuar në Kosovë, e cila gjithashtu merret edhe me pikturë. Ndërsa qëllimi i ekspozitës është sensibilizimi i opinionit  për qëndrueshmërinë dhe forcën e refugjatëve në mbarë botën, si dhe për të nderuar guximin dhe motivimin e tyre për të ecur përpara.

Ekspozita është hapur në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

E pranishme në hapje të ekspozitës ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se populli i Kosovës e di më së miri se si është të jesh refugjat.   

"Refugjatët nuk janë thjesht numra, por njerëz me aspirata. Ekspozita e sotme është pikërisht një dëshmi e saj. Askush nuk zgjedh të jetë refugjat, por cilido mund të bëhet refugjat. Duke i ndihmuar refugjatët, kontribuojmë në një botë me të drejtë, më humane”, tha presidentja Osmani.

Luidmyla Makei me profesion gazetare dhe piktore nga Ukraina, tha se Prishtina i është bërë shtëpi e dytë.

Ekspozita është përmbledhje e pikturave të autores të punuara gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, përmes së cilave ajo përçon mesazhin e shpresës larg vendit të saj, Ukrainës.

Luidmyla Makei, gjithashtu, i falënderoi të gjithë për mikpritjen e mbështetjen.

“Prishtina është shtëpia ime e dytë", tha ndër tjerash Luidmyla Makei.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se kjo ngjarje "na rikthen në vitin 1999 kur shumë kosovarë lanë shtëpitë e tyre".

"Është detyrë morale e të gjithëve që ta hapim zemrën dhe t’u ofrojmë ndihmë refugjatëve të këtyre ditëve", tha Rushiti. 

Duke e falënderuar Kosovën për ndihmën, autorja Luidmyla Makei tha se pikturat e ekspozuara do të shiten dhe paratë do të dërgohen në Asociacionin e Gazetarëve të Ukrainës.
 

Vizitor duke shikuar pikturat e prezantuara në ekspozitë.

“Lule kundër luftës" titullohet ekspozita e hapur në Prishtinë e autores Liudmyla Makei, gazetare ukrainase e strehuar në Kosovë. Ekspozita u organizua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe u hap në Ditën Botërore të Refugjatëve që shënohet më 20 Qershor.