Ekonomia shqiptare me lajme të mira, por çmime të larta

Një kafene në një plazh në Shqipëri. Fotografi nga arkivi.

Qeveria shqiptare ka deklaruar se ekonomia e vendit po hyn në një fazë të re zhvillimi.

Duke bërë një bilanc të ekonomisë së Shqipërisë për vitin 2023, ministri i Financave, Ervin Mete, tha se vendi pati një vit të jashtëzakonshëm turistik, nivele të larta të investimeve të huaja direkte, performancë të mirë të të ardhurave, si dhe shifra në ulje të papunësisë.

Edhe për Bankën e Shqipërisë, ekonomia përgjatë vitit 2023 ka shënuar ecuri pozitive në treguesit kryesorë.

Institucionet shqiptare kanë theksuar se turizmi ishte një ndër motorët e rritjes ekonomike më 2023.

SHIKONI EDHE: Bumi turistik në Shqipëri: “Njerëzit janë shumë miqësorë”

Ekspertët e ekonomisë janë të ndarë në mendimet e tyre sa u përket arritjeve ekonomike. Për ekspertin Fatos Çoçoli, ekonomia shqiptare gjatë vitit 2023 ishte e qëndrueshme.

"Kemi një ekonomi rezistente dhe këtë e kanë theksuar raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar [Ndërkombëtar, FMN] apo Banka Botërore. Nuk duhet t’i harrojmë efektet që ende ndihen nga tërmeti i vitit 2019, goditjen nga pandemia, inflacioni i lartë për shkak të luftës në Ukrainë, kështu që ishte e pritshme që gjatë këtij viti të kishim një ekonomi që shkëlqen, pa ngrohur", thotë Çoçoli.

Ndërsa, eksperti Vjoldi Danaj, thotë se ekonomia gjatë këtij viti nuk shënoi regres, por shtron pyetjen nëse ajo rritje ishte e shëndetshme.

"Shifrat e institucioneve ndërkombëtare dhe shqiptare flasin për rritje, por mos harroni, duhet të bëjmë disa llogari të thjeshta. Sa para kanë në xhep qytetarët, a ju mjaftojnë pensionistëve dhe pjesës më të madhe të qytetarëve për të mbyllur shpenzimet e muajit? Nga janari në dhjetor pjesa më e madhe nuk kanë arritur të heqin mënjanë disa kursime, qoftë edhe për festat e fundvitit, për shkak të çmimeve të larta. Pra, në ekonominë bazë të familjes ne nuk jemi të qëndrueshëm. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e biznesit u godit, kryesisht eksportuesit, për shkak të rënies së euros", thekson Danaj.

SHIKONI EDHE: “Perimet nuk i blej më me kilogramë”

Rritja e pagave përballë rritjes së çmimeve

Çmimet gjatë vitit 2023 janë rritur për 4.7 për qind krahasuar me vitin 2022. Në raportin e 10 janarit të Institutit të Statistikave për inflacionin, theksohet se rritje më të madhe të çmimeve kanë pësuar produktet ushqimore, të cilat janë shtrenjtuar për 9.4 për qind përgjatë vitit 2023.

Viti 2023 u mbyll me një inflacion 4.5 për qind, ku rritjen më të madhe e kanë shënuar çmimet e produkteve bazë.

Nga ana tjetër, Qeveria shqiptare vendosi t’i ngritë pagat për të punësuarit në sektorin publik, për disa kategori si mjekët, infermierët, mësimdhënësit, punonjësit e policisë, ata të mbrojtjes dhe punonjësit e administratës.

Efektet e këtij vendimi do të ndihen më 2024, përgjatë të cilit Qeveria synon të arrijë qëllimin që paga mesatare në sektorin publik të shkojë nga 720 në 900 euro dhe të nxisë edhe rritjen e pagave në sektorin privat.

Fatos Çoçoli thotë se 2024-ta do të jetë viti i pagave.

“Pati rritje të ndjeshme të pagave në sektorin publik dhe kjo solli një rritje edhe në atë privat. Paga mesatare u rrit 22 për qind dhe të mos harrojmë se në sektorin shtetëror punojnë 182 mijë veta. Viti 2024 po ashtu është viti i pagave, sepse do të rriten sërish për ata që kanë pagë mesatare. Dhe, kjo do të shkojë në rritje të konsumit”, thotë Çoçoli.

Ndërsa për ekspertin Vjoldi Danaj, kjo politikë nuk sjell ndonjë ndikim sepse çmimet u rritën në mënyrë joproporcionale krahasuar me pagat.

“Është e vërtetë që pagat po rriten nga viti në vit, por kemi një hendikep, sepse çmimet po rriten në mënyrë joproporcionale. Paga mesatare është më e ulët se kostoja, për të pasur jetë të dinjitetshme. Ndërsa, një pjesë e mirë e popullsisë mbetet në kufijtë e mbijetesës. Kemi një problem pse pagat e rritura nuk përkthehen në të ardhura në buxhet, kjo lidhet me evazionin, dhe kjo ndodh kur shteti ka presion fiskal të lartë, e sheh biznesin jo si aleat për zhvillimin ekonomik, por si mjet për ta vjelë”, vlerëson Danaj.

Ai thotë se fakti që rritja ekonomike prej 3.7 për qind është më e ulët se një vit më pare, kur shënoi 4.2 për qind, kjo tregon se ekonomia nuk ka performuar mirë.

Turizmi, mes shifrave të larta dhe frikës së kthimit në bumerang

Gjatë vitit 2023, Shqipërinë e kanë vizituar 10 milionë turistë. Për ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, kjo ishte një arritje e madhe. Ajo më 6 janar tha se ky vit do të jetë “prova e zjarrit” që të mos kthehet në bumerang.

Institucionet në Shqipëri kanë pranuar se shifrat e turistëve nuk u reflektuan te të ardhurat në arkën e shtetit, për shkak të joformalitetit në këtë sektor.

Vjoldi Danaj thotë se pos joformalitetit, problemi qëndron edhe te mungesa e politikave të duhura për këtë sektor. Ai vlerëson se rritja e numrit të turistëve ishte për shkak të kuriozitetit pas një fushate promovimi që iu bë Shqipërisë në mediat e huaja.

"Ka pasur rritje të madhe, sigurisht, por ishte e nxitur nga kurioziteti për të parë çfarë ofron Shqipëria e cilësuar si ‘Maldivet e Evropës’. Por, mendoj se një pjesë e mirë e tyre u zhgënjye dhe do të na kthehet në bumerang. Synimi ynë duhet të jetë si t’i mbajmë, por edhe si të krijojmë turizmin elitar, ta ndajmë vendin tonë në zona specifike, ku ka turizëm elitar, turizëm familjar apo turizëm rinor. Ta shohim në 360 gradë, që nga infrastruktura, shërbimi etj. Duhet strategji konkrete, që të shfrytëzohet turizmi për të zhvilluar sektorë të tjerë si bujqësia, transporti apo të tjerë", konsideron Danaj.

SHIKONI EDHE: Shumë turistë e pak punëtorë

Edhe Fatos Çoçoli e përmend joformalitetin e lartë në turizëm, si një ndër problemet kryesore, por thotë se të ardhurat që gjeneroi ky sektor thuajse u dyfishuan.

"Më 2022 këto të ardhura i kishim në vlerën 2.8 miliardë euro, ndërsa më 2023 kanë arritur në afro 4 miliardë euro, rritje gati 40 për qind. Jam dakord që kanë qenë më të shumtë turistët me ‘çantë shpine’, pra nuk kanë shpenzuar shumë apo kanë qëndruar pak. Janë 28 mijë familje shqiptare që rezultojnë që kanë dhënë me qira dhoma apo banesa për turistët. Por, nuk jam dakord që do të na kthehet në bumerang - ata që erdhën do të sjellin edhe të tjerë. Prenotimet (rezervimet) edhe tani në dimër janë tregues se ky trend do të vazhdojë dhe turizmi do të mbetet sektor me prioritet edhe më 2024", thekson ai.

Parashikimi për ekonominë shqiptare për vitin 2024

Institucionet financiare në Shqipëri presin që të ruhet rritja ekonomike gjatë vitit 2024. Si Ministria e Financave, ashtu edhe Banka e Shqipërisë deklarojnë se sfidë mbetet synimi që inflacioni të zbresë në 3 për qind brenda këtij viti, nga mbi 4 për qind që ishte më 2023.

SHIKONI EDHE: Importi i produkteve shqiptare në Kosovë rritet për dhjetëra miliona euro

Por, përkundrejt të gjitha pritjeve për ulje të inflacionit gjatë këtij viti, të gjithë sektorët presin rritje të çmimeve në tre muajt e parë të këtij vitit, sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë të publikuar më 5 janar.

Për Fatos Çoçolin, do të vazhdojë trendi rritës, pasi investimet e huaja direkte kanë shënuar nivel rekord prej 1.1 miliard eurosh, dërgesat e emigrantëve gjithashtu janë rritur, e po ashtu edhe pesha e eksporteve, pavarësisht goditjes që pësuan nga rënia e euros.

Ndërsa, Vjoldi Danaj e sheh ndryshe situatën dhe thotë se parashikon se do të ketë rënie të ekonomisë.

Një raport i fundit i Komisionit Evropian, thekson se ekonomia shqiptare pritet të ngadalësohet më 2024, ndikuar nga ngadalësimi i konsumit si rrjedhojë e çmimeve të larta, frenimit të punësimit dhe efekti negativ që po jep forcimi i lekut në konkurrencën e eksporteve.