Kriza e pandemisë së koronavirusit, në masë të theksuar ka ndryshuar shprehitë e blerjes së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut pasi që COVID-19 ka nxitur transformimin e shitblerjeve tradicionale në shitblerje përmes internetit.
Qytetarët, produktin e dëshiruar arrijnë ta marrin në adresë të shtëpisë brenda javës, përkatësisht dy apo tri ditë pune.
Por, tregtia në formë elektronike ka rritur dhe ekonominë joformale pasi pjesa më e madhe e korrierëve nuk japin kuponë fiskal, por e bëjnë pagesën me para të gatshme në dorë në derë për shitjen e produkteve të caktuara.
SHIKONI EDHE: Koronavirusi fuqizon tregtinë onlineFeim Osmani thotë se disa herë ka blerë produkte nëpërmjet internetit, por edhe pse ka insistuar që pagesën ta bëjë në formë elektronike, i është thënë se pagesën do ta bëjë me para të gatshme pasi ta marrë produktin e caktuar nga korrierët e kompanisë në derë të shtëpisë.
“Insistova që pagesën ta bëj me kartelë pagesore, më thanë se s’kanë mundësi pasi nuk kanë marrë aparat me vete. Për produktet e blera, disa herë nga kompani të ndryshme asnjëherë s’kam marrë kupon fiskal”, thotë Osmani.
SHIKONI EDHE: Pandemia përshpejton procesin e digjitalizimit të kompaniveEdhe Ivana Krsteva, e cila ka blerë libra online nga një librari e njohur në Shkup, thotë se është detyruar që pagesën ta bëjë me para në dorë dhe për të nuk ka marrë kupon fiskal.
“Porosita libra, dhe kur kërkova llogarinë rrjedhëse, më thanë se pagesa mund të bëhet vetëm me para të gatshme. Edhe në rastin e dytë kur bëra porosi nga një librari tjetër, për blerjen e letrave dhe gjësendeve të tjera që më nevojiteshin për punë nga shtëpia, nuk m’u dha kuponi fiskal edhe pse për këtë gjë insistova, sepse më duhej si dëshmi për harxhimet që kam bërë për kompaninë ku punoj”, thotë Kërsteva.
Nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve bëjnë të ditur se më shumë ankesa kanë marrë nga konsumatorët, të cilët blerjet i kanë bërë përmes rrjetit social Facebook, pasi, siç thonë, bëhet fjalë për tregti të pakontrolluar, e cila nuk është e rregulluar me ligj.
“Deri te ne për çdo ditë arrijnë shumë ankesa për tregti, të cilat bëhen në rrjetin social Facebook. Qytetarët ankohen për shitjet nga kompanitë e paregjistruar dhe si dhe për cilësinë e dobët të produkteve të blera”, thonë nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ndërsa bëjnë të ditur se parashtresat e qytetarëve i kanë adresuar dhe në Inspektoratin Shtetëror të Tregtisë.
Nga Drejtoria e të hyrave publike thonë se ndaj shitësve të cilët reklamohen në internet e që nuk janë fare të regjistruar, kërkohet përgjegjësi në bazë të Ligjit për ndalim të realizimit të veprimtarisë së paregjistruar.
SHIKONI EDHE: Koronavirusi rrit interesimin e qytetarëve për pagesat onlineAfaristët, nga ana vjetër, u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore për të vepruar sa më parë në drejtim të sanksionimit të ekonomisë joformale.
Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se ekonomia joformale, e cila po merr hov me shitjet online, i dëmton në masë të theksuar bizneset legale, por edhe ekonominë në përgjithësi.
“Kjo periudhë e pandemisë vërtetoi një faktor tjetër të ekonomisë - atë se ne akoma nuk kemi një sistem të konsoliduar juridik, i cili do të jetë në gjendje të ndjekë dhe sigurisht edhe të sanksionojë të gjithë personat, të cilët paraqiten si shkelës të ekonomisë së tregut, përkatësisht ekonomisë formale.
S’do mend se të gjithë, përfshirë këtu dhe veten, kemi bërë blerje online dhe fatkeqësisht pagesa e të gjitha këtyre blerjeve online është bërë kesh, pra me para të gatshme, mjete këto që i ka dorëzuar korrieri te kompania që ka bërë dërgesën e mallit. Por, kjo vë në një pikëpyetje të madhe se sa këto mjete financiare të paguara jo në formë elektronike online, duke marrë kupon fiskal ose llogarive bankare, formalizohen”.
Dhe, çështja qëndron në atë se kompanitë që operojnë online, sa janë biznese të formalizuara”, thotë Halili.
Ndërkohë, nga Drejtoria e të ardhurave publike thonë se për parandalimin e dukurisë së shfaqjes së ekonomisë joformale gjatë shitblerjeve online aktivitetin e tyre duhet ta bashkërendisin më shumë institucione të shtetit.