“Bekim për sukses në Paris”: Ekipi olimpik i Kosovës pranon flamurin shtetëror
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar ceremoninë e dorëzimit të flamurit për ekipin olimpik të Kosovës si “bekim për sukses në Paris”.
“Lojërat Olimpike i kapërcejnë kufijtë e sportit. Ato mishërojnë parimet e unitetit, të paqes dhe respektit të ndërsjellë. Lojërat Olimpike nxjerrin në pah të përbashkëtat tona”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka thënë se pjesëmarrja në këto Lojëra nënkupton “kulmimin e një pune të palodhur dhe vendosmërinë e pashoq të sportistëve dhe trajnerëve”.
“Ndërsa dilni në skenën globale, mbani mend se në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Zemra e secilit qytetar do të rrahë bashkë me tuajën”.
Në ekipin olimpik të Kosovës për Lojërat Parisi 2024, janë gjashtë sportistë të kualifikuar - në sportet e xhudos dhe boksit - dhe tre sportistë me ftesë të universalitetit - nga sportet e notit dhe atletikës.
Listës së atletëve të Kosovës i prijnë xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, pastaj tre xhudistët tjerë, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka.
Donjeta Krasniqi përfaqëson Kosovën në boks derisa në atletikë, Gresa Bakraqi.
Adell Saboviq dhe Hana Beiqi do të përfaqësojnë Kosovën në not.
Adell Shaboviq është njëri nga dy notarët që është përzgjedhur të garojë me ftesë të universalitetit.
Lojërat Olimpike Parisi 2024, nisin më 26 korrik dhe përfundojnë më 11 gusht.
Në këto gara do të marrin pjesë mbi 10 mijë atletë që garojnë në disiplina të ndryshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë ekipit se përfaqësimi i shtetit nënkupton përgjegjësi dhe përqendrim profesional.
“Rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por e kemi dëshmuar se kur jemi bashkë, jemi të gatshëm të përballojmë çdo sfidë që na del përpara”, ka thënë Kurti.
“E gjithë Kosova është me ju. Çdo fitore që arrini, është fitore për të gjithë ne”.
Kosova deri më tash ka tri medalje olimpike të fituara nga xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova.
Medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën e fitoi Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Medalje të arta olimpike për Kosovën fituan xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova në Lojërat Olimpike Verore Tokio 2021.
Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi do ta përfaqësojnë Kosovën në Paris në not.
Nora Gjakova do ta mbajë flamurin në emër të ekipit.
Kjo është hera e tretë që Kosova është pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike. Në foto: trajnerë të sportistëve dhe të ftuar tjerë në organizim.
Nora Gjakova është zotuar që secili lojtar do të luftojë deri në momentin e fundit.
“Unë jam shumë e lumtur që do ta përjetoj këtë kujtim që do të shkruhet në historinë e Kosovës”.