Zyrtarët në Moskë dhe në Krimenë e pushtuar kanë qenë të shpejtë në reagimin e tyre se dëmi i shkaktuar në urën e vetme që lidh Rusinë me gadishullin nuk është serioz dhe se trafiku rrugor dhe ai hekurudhor do të rikthehen shpejt.
Zëvendëskryeministri i Jashtëm rus, Marat Khusnullin, ka dhënë garanci se shtyllat nuk janë dëmtuar dhe se ura do të riparohet plotësisht më 1 nëntor.
Megjithatë, sulmi e ka goditur rrugën kryesore logjistike, përmes së cilës furnizohen forcat ushtarake ruse, jo vetëm në Gadishullin e Krimesë, por edhe në jug të Ukrainës, ku Kievi është duke zhvilluar një kundërofensivë për të rikthyer kontrollin e territorit që e ka pushtuar Rusia, prej kur e ka nisur luftën në shkurt të vitit 2022.
“Ura e Krimesë është lidhja kryesore logjistike”, ka thënë Pavlo Lakiychuk, analist ushtarak në institutin Strategy XXI, me bazë në Kiev.
“Edhe nëse hekurudha në rrugë mbyllet për le të themi gjashtë orë, dhe furnizimet ndalen për aq orë, kjo nënkupton pauzë gjashtëorëshe për trupat tanë, pasi kundër tyre do të nisen më pak bomba. Ky është plus”.
Lakiychuk e ka hedhur poshtë pretendimin e presidentit rus Vladimir Putin se ura “nuk është përdorur që një kohë” për transport ushtarak.
“Ura ka qenë dhe mbetet një prej arterieve kryesore të furnizimit për forcat ruse që gjenden në jug të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se ura përdoret për t'i transportuar pajisje të rënda, të cilat po i përdor Rusia në luftën kundër Ukrainës.
“Vonesa në furnizim me këto pajisje për një orë, dy, tri, gjashtë, apo 12 është jetike për trupat tona ushtarake, që vazhdimisht përballen me luftime të ashpra”, ka thënë Lakiychuk.
“Kanali i furnizimeve për Rusinë është bllokuar”, ka deklaruar mes tjerash ai.
Khusnullin, zëvendëskryeministër rus, i cili është angazhuar në mbikëqyrje të punimeve për riparim, ka shkruar më 18 korrik në Telegram se një pjesë e urës është rihapur për qarkullim të makinave.
SHIKONI EDHE: Rusia thotë se ura e Krimesë është rihapur pjesërishtDëmi që i është shkaktuar urës ka pasur ndikim edhe te civilët në Krime.
Furnizimet me ushqim dhe produkte tjera – përmes urës – janë ndalur, të paktën përkohësisht dhe autoritetet pushtuese ruse kanë paralajmëruar se do të duhen disa ditë që të rikthehet trafiku.
Kamionët janë duke u bartur me tragete, por transportimi mund të rrezikohet për shkak të erërave të mëdha në atë zonë.
Këtë muaj, para sulmit, shoferët e kamionëve veçse kanë raportuar për vonesa, si pasojë e inspektimeve.
Kur shpërthimet janë dëgjuar në qytetin e Kërçit në Krime, në fund të urës, më 9 korrik, zyrtarët de facto u kanë thënë banorëve se ura nuk është shënjestruar.
“Njerëzit në Krime kanë të drejtë kur brengosen për urën e Kërçit, sepse transiti përmes territorit ukrainas të pushtuar nga Rusia, nuk është i sigurt”, ka thënë Lakiychuk.
SHIKONI EDHE: Putin zotohet për përgjigje pas sulmit në urën e KrimesëFaqja e lajmeve Kerch.fm ka raportuar në qershor se shoferët e kamionëve kanë refuzuar që të udhëtojnë nga Rusia në Krime dhe anasjelltas përmes pjesëve të pushtuara në jug të Ukrainës, për shkak të sigurisë së ulët.
Krimeja konsiderohet zonë lufte dhe gadishulli është shënjestruar nga një numër sulmesh me dron dhe sulme tjera më 2023. Autoritetet pushtuese janë në proces e sipër të ndërtimit të llogoreve dhe fortifikimeve tjera.
Megjithatë, analisti ushtarak ukrainas, Mykhaylo Prytula, kolonel i pensionuar ushtarak, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se strategjia e Kievit është që ta izolojë gadishullin sa më shumë që të jetë e mundur.
“Në një moment, Krimeja do të jetë thjesht një ishull pa ndonjë qasje në tokë, apo përmes urës së Kërçit”, ka thënë ai.
“Imagjinojeni një Krime pa ujë. Pa furnizime ushtarake… Gjithçka që do të funksionojë është aeroporti dhe ndoshta portet. Trafiku rrugor do të mbyllet, dhe njerëzit nuk do të mund t’i evakuojnë sendet e tyre”.
“Në atë pikë, zgjidhja e vetme do të jetë dorëzimi ose ikja”, ka thënë Prytula.
Ura e Krimesë, e gjatë 19 kilometra, e cila mundëson trafikun rrugor dhe atë hekurudhor, është hapur në maj të vitit 2018 dhe i ka kushtuar Rusisë 4 miliardë dollarë.
Ura është inauguruar nga vetë presidenti rus Vladimir Putin.
Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin – i dyti në këtë urë brenda 10 muajve – mirëpo mediat ukrainase kanë raportuar se shërbimet e sigurisë i kanë nisur dy dronë të marinës për ta kryer operacionin.
SHIKONI EDHE: Rusia akuzon Ukrainën për shpërthimin në urën e KrimesëLakiychuk ka thënë se diçka e tillë përbën përparim të rëndësishëm teknologjik për Kievin.
Ai ka thënë se Ukraina ka nisur t’i përdorë dronët detarë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, dhe se puna është kryer “në gjendje lufte”.
“Nëse kjo është e vërtetë, pala ruse nuk ka qenë e përgatitur për kapacitetet ushtarake ukrainase të përdorimit të dronëve”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se operacione të tilla prodhojnë informacion të vlefshëm për shërbimet ukrainase të inteligjencës, në mënyrë që operacionet në të ardhmen t’i ketë të suksesshme.
“Inteligjenca do të ketë shumë punë tash”, ka thënë Laviychuk.
Shpërthimi i 17 korrikut pason një shpërthim të madh në tetor të vitit 2022, që e ka bllokuar me muaj urën.
Lakiychuk ka thënë se fakti që ura është dëmtuar në të dyja rastet, nënkupton se themelet e saj janë të cenueshme.
SHIKONI EDHE: Putin akuzon Ukrainën për “akt terrorizmi” në Urën e KrimesëPas shpërthimit që ka ndodhur në urë, në tetor të vitit 2022, Rusia është detyruar t’i rrisë kontrollet në të dyja drejtimet, ka thënë Refat Chubarov, president i Kongresit Botëror të krimeo-tatarëve, me bazë në Kiev, më 30 qershor, para se të ndodhte shpërthimi i fundit.
“Këto masa do të vazhdojnë të aplikohen sa të ekzistojë ura, derisa të shkatërrohet një ditë nga raketat ukrainase. Mendoj që do të ndodhë shpejt”, ka thënë ai.