Ndërlidhjet

Rusia akuzon Ukrainën për shpërthimin në urën e Krimesë


Një pjesë e dëmtuar e urës së Krimesë.

Dy persona u vranë dhe një fëmijë u plagos rëndë në atë që Moska pretendoi se ishte një sulm nga Ukraina në një urë kryesore hekurudhore dhe rrugore që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, të cilin ajo aneksoi ilegalisht në vitin 2014.

Kievi tha se incidenti mund të jetë një provokim që vjen në ditën kur përfundon marrëveshja që lejon eksportet e grurit në Detin e Zi.

Guvernatori i rajonit, Sergei Aksyonov, i emëruar nga Rusia, tha se qarkullimi i veturave në urën që lidh Rusinë dhe gadishullin e Krimesë, u ndal për shkak të një "emergjence".

Videot dhe fotot që qarkullojnë në rrjetet sociale raportohen të jenë bërë në urën e ndërtuar kohët e fundit, një projekt që presidenti rus Vladimir Putin e ka prezantuar personalisht, shfaqën një pjesë të rrugës të shkatërruar.

"Kishte një emergjencë në zonën e shtyllës 145 nga Territori i Krasnodarit (në anën ruse të urës). Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të gjitha shërbimet përgjegjëse janë duke punuar", shkroi Aksyonov në Telegram.

Sipas zyrtarëve të transportit të territorit të Krasnodarit të Rusisë, bllokimi i trafikut në hyrje të urës së Krimesë shtrihej për rreth 3 kilometra.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori i rajonit Belgorod të Rusisë, tha në Telegram se një çift u vra në urë dhe vajza e tyre u plagos, pa dhënë detaje mbi shkakun e vdekjeve.

Raportet, të cilat nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur, u përshkruan nga një zëdhënëse ushtarake ukrainase si një provokim i mundshëm nga Rusia.

Ura e dëmtuar nga shpërthimi i 17 korrikut.
Ura e dëmtuar nga shpërthimi i 17 korrikut.

Komiteti Kombëtar kundër Terrorizmit i Rusisë tha se ura u sulmua mëngjesin e 17 korrikut nga dy dronë ukrainas, ndërsa Komiteti Hetues tha se kishte hapur një çështje penale për "një akt terrorizmi".

Pretendimet ruse, të cilat nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur, u përshkruan nga një zëdhënëse e ushtrisë ukrainase si një provokim i mundshëm nga Rusia, megjithëse disa agjenci të mediave lokale cituan burime të paidentifikuara të thonë se Ukraina qëndron pas incidentit.

“Provokime të tilla, të cilat pushtuesit e Krimesë nxitojnë t'i raportojnë me zë të lartë, janë një mënyrë tipike për zgjidhjen e problemeve nga autoritetet e Krimesë dhe shteti agresor”, tha Nataliya Humenyuk për mediat ukrainase.

Në një deklaratë të veçantë për Radion Evropa e Lirë, Humenyuk tha se raportet duhet të trajtohen me skepticizëm pasi autoritetet pushtuese kanë forcuar kohët e fundit sigurinë e urës dhe shtoi se situata mund të përdoret nga Rusia si një mjet pazari në marrëveshjen që lejon kalimin e sigurt të grurit rus dhe ukrainas.

"[Rusët] përqendruan përpjekjet e tyre sa më shumë që të ishte e mundur në të gjitha llojet e mbrojtjes së këtij objektivi," tha Humenyuk.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja, që lejon eksportin e sigurt të grurit ukrainas në Detin e Zi do të skadojë në mesnatën e 17 korrikut nëse Rusia refuzon ta zgjasë atë.

Anija e fundit, sipas marrëveshjes, u largua nga porti ukrainas i Odesës në Detin e Zi më 16 korrik.

Pas incidentit, Sergei Mironov, një ligjvënës i lartë rus, tha në Telegram se Moska nuk duhet ta zgjasë marrëveshjen.

"Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje gruri pas një sulmi tjetër terrorist", shkroi Mironov.

Ura rrugore dhe hekurudhore prej 19 kilometrash u hap në vitin 2018 dhe është një rrugë e rëndësishme transporti midis Rusisë dhe rajonit të Krimesë, të cilën Moska e aneksoi ilegalisht në 2014.

Ura u mbyll pjesërisht pasi një shpërthim i madh në tetor të vitit të kaluar dëmtoi strukturën e saj në atë që Moska pretendoi se ishte një akt terrorist.

Në fillim të këtij muaji, përmes një postimi në rrjete sociale që përkujtonte 500 ditët e luftës, zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Malyar dukej se pranonte përfshirjen e Ukrainës në sulmin e mëparshëm të urës.

Ajo përmendi se "273 ditë më parë, [ne] filluam goditjen e parë në urën e Krimesë për të prishur logjistikën ruse."

Pas këtij incidenti, Rusia rindërtoi urën. Presidenti Putin drejtoi një makinë nëpër strukturën e restauruar më 5 dhjetor, pasi u kryen riparime të shumta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG