Ecja për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit
Me aktivitete e ligjërata Kosova shënon muajin e luftimit kundër kancerit të gjirit. Në Prishtinë më 24 tetor me moton “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”, u mbajt ecja tradicionale me qëllim ndërgjegjësimin për rëndësinë që kanë kontrollet e shpeshta dhe zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit.
Një pamje e përgjithshme e ecjes tradicionale me moton “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”.
Në Kosovë çdo vit shënohen rreth 400 raste të reja të të prekurve me kancer të gjirit.
Radio Evropa e Lirë ka zhvilluar një bisedë me Arben Bislimin, kryetar i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës i cili ka thënë se trendi i shifrave të të prekurve më kancer të gjirit është i përafërt me atë në botë dhe në rajon. “Nga viti në vit, kemi një tendencë në rritje prej rreth 4-5 për qind dhe kjo rritje po vazhdon të identifikohet edhe në vendin tonë”.
Këtë vit nga regjistri i Klinikës së Onkologjisë, deri në fund të shtatorit janë identifikuar 350 raste të reja me kancer të gjirit. Sipas parallogaritjes, deri në fund të vitit ndoshta i afrohet shifrës prej 400 e më shumë të prekur, ka thënë Bislimi për REL-in.
Profesionistët shëndetësorë kanë përsëritur thirrjet për më shumë kontrolle dhe vizita për çdo ndryshim në trup.
Qendra kosovare për luftimin e kancerit të gjirit Jeta-Vita me mbështetje institucionale, sivjet ka bërë dorëzimin e 400 pakove onkologjike (paruke, proteza e gjoksore) për të gjitha pacientet e reja, të prekura gjatë këtij viti si një ndihmë psikosociale dhe materiale, në mënyrë që kjo sëmundje të kalohet sa më lehtë.
Disa gra gjatë ecjes tradicionale në Prishtinë.
Ecja në sheshin kryesor të Prishtinës u organizua nga Qendra kosovare për luftimin e kancerit të gjirit Jeta-Vita nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ecjes iu bashkua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se nga ky vit, mamografia bëhet falas në gjithë Kosovën.
Një tjetër pjesëmarrëse e ecjes së të enjtes në Prishtinë.