Ecja e ngadaltë e Kosovës me agjendën evropiane

Bruksel

Institucionet e Kosovës janë duke u vonuar me miratimin e pakos së ligjeve që dalin si nevojë për përmbushjen e kritereve në procesin e integrimeve evropiane, thonë zyrtarë të Qeverisë dhe ata të shoqërisë civile.

Funksionimi i ngadalshëm i Kuvendit të Kosovës, shihet si një prej pengesave më të mëdha në këtë drejtim.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet po vonojnë me miratimin e ligjeve që ndërlidhen me agjendën për reformë evropiane.

"Ne jemi vonë me agjendën për reformë evropiane, prandaj duhet të procedojmë sa me shpejt me miratimin e këtyre ligjeve në Kuvendin e Kosovës. Po e shohim një ngecje apo vonesë, që po shkaktohet, e që besoj se ndoshta me një bashkëpunim më të mirë, qoftë të Qeverisë, qoftë Kuvendit, së bashku të gjithë ta gjejmë një formulë që do të funksionojë dhe të shtyhet përpara agjenda e integrimit evropian", thotë Hoxha.

Ministrja Hoxha pranon se edhe Qeverisë së Kosovës i duhet një dinamikë më e madhe në këtë drejtim:

"Edhe ne, si Qeveri, e kemi një pjesë të fajit, sepse edhe ne duhet të jemi më bashkëpunues me Kuvendin e Kosovës, por besoj se këtu duhet të punojmë që ta gjejmë një formulë që funksionon".

Kuvendi i Kosovës, aktualisht, ka më shumë se tridhjetë ligje që është duke i shqyrtuar, e të cilat kanë të bëjnë me integrimin evropian. Kuvendi i Kosovës para pak kohe ka miratuar nëntë projektligje që ndërlidhen me agjendën për reformë evropiane.

Pakoja e ligjeve që ndërlidhen me integrimin evropian, është e madhe dhe në të bëjnë pjesë ligje nga sektorë të ndryshëm, si ai për sistemin e drejtësisë, pakoja e ligjeve anti- korrupsion, ajo e reformave në administratën publike, për arsimin e të tjera.

Në rast të mosmiratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me proceset integruese, sipas ministres Hoxha, Kosova si shtet, do të mbetet edhe më shumë mbrapa në këtë proces.

"Pra, nëse ne nuk arrijmë ta ndërtojmë një momentum që po ecim përpara, që jemi të përgatitur, institucionet po i marrin me përgjegjësi të plotë obligimet që na dalin nga procesi i integrimit evropian, atëherë ne vetëm mund të aplikojmë, por nëse nuk ka progres, mund të shkojnë me vite dhe nuk do ta marrim statusin e kandidatit. Procesi i liberalizimit të vizave ka treguar që institucionet e Bashkimit Evropian janë institucione, të cilat kanë kritere dhe standarde dhe pa plotësimin e tyre, nuk lëvizin para", sqaron Hoxha.

Legjislatura aktuale e Kosovës deri më tash është karakterizuar me planifikim të dobët të punës, kanë vlerësuar organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se puna e Kuvendit dhe efekti i vendimeve të saj është duke u dëmtuar jashtëzakonisht shumë. Ai thotë se jo vetëm ligjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian, por edhe ligjet e tjera Kuvendi nuk po arrin që t’i miratojë.

"Kuvendi, thjesht, nuk po arrin që ta përfundojë siç duhet ose nuk po mund ta përmbushë rolin e vet legjislativ. Kjo vlen në masë të madhe për numrin për të gjitha ligjet, e këtu hyjnë edhe ligjet që kanë të bëjnë me reformën evropiane".

"Pra, nëse Kuvendi nuk do ta rrisë ritmin e vet të punës, është vështirë e besueshme se mund të qëndrojmë në hap me zhvillimet e nevojshme, të cilat kërkojnë pastaj edhe nga ne intervenim, qoftë ndryshim të ligjeve, apo miratim të ligjeve të reja. Kuvendi duhet të jetë shumë më aktiv dhe deputetët shumë më të përgjegjshëm për punën që janë duke bërë", vlerëson Murati.

Analistët thonë se fajin për jo-efikasitet në miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës, duhet ta mbajnë edhe partitë politike të përfaqësuara në legjislativ, si ato në opozitë, ashtu edhe ato në pushtet.

Mospajtimet dhe përplasjet e shpeshta ndërmjet deputetëve të partive politike, kanë bllokuar miratimin e shumë ligjeve dhe çështjeve të tjera.