Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë në mëngjesin e 18 korrikut në Ukrainën jugore, duke dëmtuar infrastrukturën në portin e Detit të Zi të Odesës, raportuan zyrtarët rajonalë dhe ushtria, pasi Moska tha se zmbrapsi një sulm ukrainas me dronë në rajonin e aneksuar ilegalisht të Krimesë.
Serhiy Bratchuk, një zëdhënës i administratës ushtarake të rajonit të Odesës, tha më 18 korrik se mbrojtja ajrore e Ukrainës zmbrapsi një sulm ajror rus në këtë qytet.
Ukraina tha më vonë në një deklaratë se "mbetjet nga raketat e shkatërruara dhe vala e shpërthimit nga rrëzimi dëmtuan objektet e infrastrukturës së portit".
Sulmet në Odesa, qytet vendimtar për eksportet e grurit të Ukrainës, erdhi një ditë pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja për të lejuar eksportin e sigurt të drithërave, duke refuzuar ta zgjasë marrëveshjen pasi ajo skadoi më 17 korrik.
SHIKONI EDHE: Zelensky kërkon vazhdimin e marrëveshjes për drithërat pa pjesëmarrjen ruseRusia gjatë natës gjithashtu nisi një sulm në rajonin e Mikolaiv, duke përdorur dronë të prodhuar nga Irani që shkaktuan një zjarr, tha në Telegram guvernatori rajonal Vitaliy Kim.
"Po shuajmë zjarrin. Nuk ka viktima", ka shkruar Kim.
Kryetari i qytetit të Mikolaiv, Oleksandr Sienkovych, tha se zjarri shpërtheu në një nga objektet e qytetit dhe se ishte "mjaft serioz".
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe kryetari i Krimesë i vendosur nga Moska, Sergei Aksyonov, thanë më 18 korrik se forcat ruse kishin zmbrapsur një sulm nga 28 dronë ukrainas në pjesën lindore të rajonit.
Ministria tha në një deklaratë se 17 dronë u shkatërruan dhe se 11 u çaktivizuan me mjete elektronike. Si ministria ashtu edhe Aksyonov thanë se sulmi nuk shkaktoi viktima apo dëme.
SHIKONI EDHE: “Si në mesjetë”: Ushtarët rusë mbahen në bodrume pas refuzimit për të luftuar në UkrainëRaporti, i cili nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë, erdhi një ditë pas një sulmi në urën që lidh Krimenë me Rusinë që vrau dy persona dhe shkaktoi dëme të mëdha dhe një ndërprerje në trafik. Rusia ka fajësuar Ukrainën për sulmin.
Kievi nuk mori përgjegjësinë, por mediat ukrainase raportuan se shërbimet e sigurisë kishin lëshuar dronë detarë.
Më 18 korrik, zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin tha në Telegram se trafiku rrugor ishte rihapur pjesërisht në urën e Krimesë.
Ai tha se dëmet e shkaktuara në urë do të riparohen plotësisht deri më 1 nëntor, teksa presidenti rus Vladimir Putin u zotua për një "përgjigje" ndaj sulmit.
Khusnullin tha se një pjesë e rrugës në urë u shkatërrua dhe do të duhet të rindërtohet, por se nuk ka dëmtime në shtyllat kryesore të urës.
Putin, i cili urdhëroi ndërtimin e urës pasi Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, e quajti sulmin një akt "terrorist".