Ndërlidhjet

Zelensky kërkon vazhdimin e marrëveshjes për drithërat pa pjesëmarrjen ruse


Ngarkimi i drithit në një port në Izmail, Ukrainë, më 26 prill 2023.
Ngarkimi i drithit në një port në Izmail, Ukrainë, më 26 prill 2023.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes për eksportin e grurit përmes Detit të Zi, pas vendimit të Rusisë për ta pezulluar atë.

Ai tha se ka rënë dakord me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për të punuar me "shtetet përgjegjëse për të rivendosur sigurinë ushqimore dhe furnizimin me ushqime", përmes rrugëve të Detit të Zi.

Në video-mesazhin e tij të mbrëmjes, Zelensky theksoi se marrëveshja e drithërave që kalon përmes Detit të Zi, nga e cila Rusia u tërhoq të hënën, ka potencial të funksionojë në mënyrë efektive edhe pa përfshirjen e Moskës.

Ai tha se vendimi i Rusisë paraqet një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që të tregojë se "shantazhi" nuk mund të përcaktojë se kush ka ushqim të mjaftueshëm.

Më herët, përmes një zëdhënësi, u tha se Ukraina është e gatshme të vazhdojë eksportet e saj të grurit, edhe pa pjesëmarrjen ruse. Sipas tij, Ukraina ka marrë qasje nga kompanitë pronare të anijeve që shprehin gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në proces.

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, kritikoi vendimin e Rusisë pas takimeve në Nju Jork me diplomatë amerikanë dhe evropianë, duke thënë se marrëveshja ka qenë "jetike" për të parandaluar rritjen e çmimeve të ushqimeve në nivel global.

“Ukraina dhe [SHBA] nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të siguruar eksportin e drithërave ukrainase në Afrikë, Azi dhe më gjerë”, shkroi Kuleba në Twitter.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, kritikoi gjithashtu Moskën për tërheqjen nga marrëveshja dhe tha se vendimi do të "dëmtonte miliona njerëz në mbarë botën".

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me vendet e tjera për të siguruar lëvizjen e grurit nga Ukraina, por nuk po e shqyrtojnë përdorimin e aseteve ushtarake të SHBA-së për të ndihmuar në mbrojtjen e dërgesave të grurit, tha Kirby.

Ai tha, gjithashtu, se përdorimi i anijeve turke për të lehtësuar lëvizjen e grurit ukrainas nuk ishte një zgjidhje e mundshme.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se po zhvillohen diskutime me zyrtarët rusë dhe shprehu optimizëm për zgjatjen e marrëveshjes.

Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres, përcolli zhgënjimin e tij për tërheqjen e Rusisë, duke theksuar se marrëveshja kishte shërbyer si një mbështetje jetike për sigurinë globale të ushqimit dhe një simbol i “shpresës në një botë të trazuar”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, iu bashkua diplomatëve të tjerë perëndimorë në kritikimin e vendimit të Rusisë, duke e quajtur atë "të pandërgjegjshëm".

Blinken tha se Rusia po e “përdor ushqimin si armë”.

Një ditë më parë, Rusia njoftoi pezullimin e marrëveshjes që lehtësoi transportin e grurit nga Ukraina për në vendet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë, marrëveshje kjo e arritur në kohë lufte që kishte për qëllim lejimin e kalimit të sigurt të drithërave nëpër vendet në zhvillim.

Sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, 45 vende kanë nevojë për ndihmë të jashtme për ushqim.

Marrëveshja për drithërat që kalon përmes Detit të Zi ka mundësuar që nga tri porte të Ukrainës të eksportohen 32.9 milionë tonelata grurë dhe produkte të tjera ushqimore në botë, me mbi gjysmën e eksporteve që shkojnë në vendet në zhvillim, siç raportohet nga Qendra e Përbashkët Koordinuese në Stamboll.

Megjithatë, që kur marrëveshja u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia, ka pasur sfida. Rusia u tërhoq shkurtimisht nga marrëveshja në nëntor, por më vonë u ribashkua dhe zgjati pjesëmarrjen e saj.

Në mars dhe maj, Rusia ra dakord të zgjaste marrëveshjen vetëm për 60 ditë në vend të 120 ditëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG