Reagimet për fotografinë
Gjatë një pushimi nga punimet e seancës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, prezantoi para medieve një fotografi me pamje të rënda grafike të, siç u shpreh, dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e të cilën Radio Evropa e Lirë nuk e publikon.
Publikimi i fotografisë nxiti reagime në Kuvend dhe jashtë tij.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, tha në foltoren e Kuvendit se kishte një kërkesë nga familjarët e viktimës që fotografia të hiqej.
“Kisha kërkuar që të hiqen fotografitë, familjarët janë të shqetësuar, janë tepër të shqetësuar me pamjet”, tha Bogujevci, e cila është e mbijetuar e njërës prej masakrave të luftës në Kosovë.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka reaguar në lidhje me këtë fotografi duke tërhequr vërejtjen se “publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë - pa censurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe më tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës”.
Edhe ish-presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ka reaguar, duke thënë se "publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre".
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërkaq, ka njoftuar se “me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që, sipas saj, dëshmon dhunimin e një gruaje 35- vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hapë hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën, për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera”.
Prokuroria Speciale, njofton që vetëm pas publikimit të fotos nga deputetja Brovina e ka kuptuar për ekzistencën e kësaj dëshmie, pasi që deri me tani për një fotografi të tillë nuk kemi pasur informata, as nga deputetja Brovina e as nga dikush tjetër, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.
Për hartimin e kësaj Rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të Rezolutës.
Rezoluta u miratua me 79 vota për.
Para se të hidhej në votim, drafti i Rezolutës është diskutuar dhe në fund është harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare.
Në rezolutë, pos tjerash, përmendet të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Aty kërkohet që kryerësit e krimit të njerëzimit, krimit të luftës dhe gjenocidit e dhunës, të dalin para drejtësisë.
Po ashtu, aty përmenden edhe dëmet materiale, shkatërrimi i objekteve të ndryshme fetare e kulturore.
Debati në Kuvend gjatë ditës
Debati në lidhje me draft-rezolutën kishte filluar gjatë orëve të pasdites.
Bilall Sherifi nga partia Nisma Socialdemokrate, në emër te grupeve parlamentare, i cili prezantoi një pjesë të propozim-rezolutës për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”, tha se për 20 vjet, në vend që Serbia të dënohet për krimet, ajo po synon t'i amnistojë kriminelët.
Prandaj, siç tha deputeti Sherifi, përmes kësaj rezolute, do të mundohen dhe do të kërkohet që kriminelët të dalin para drejtësisë.
“Rezoluta do t’i obligojë institucionet e Kosovës që të kërkojnë drejtësi, Parlamentin, Presidencën, Qeverinë e institucionet e drejtësisë. Kriminelët që janë gjallë, do të përpiqemi t’i vëmë para drejtësisë dhe shteti i Serbisë do të jetë aty dhe do të vihet para drejtësisë. Ai shtet do të mbajë përgjegjësi për gjenocidin në Kosovë, ne do të jemi këtu dhe nuk do të heqim dorë nga kërkimi i drejtësisë”, tha Sherifi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku tha se Serbia ka pasur për synim zhdukjen e popullit të Kosovës dhe spastrimin etnik. Sipas tij, shteti serb po vazhdon të fsheh gjurmët e krimeve të kryera dhe do të tentojë “të shlyejë kujtesën” e shqiptarëve.
“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha Lushtaku.
Ndërkaq, deputeti partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, poohoi se partia e tij e mbështet në mënyrë unanime rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
"Ajo çka na ka bashkuar këtu është për të kryer një obligim, të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur qe 20 vjet ta sjellin një rezolutë të tillë”, tha Zemaj.
Ai shtoi se një ndër objektivat e Serbisë është edhe shpërbërja e institucioneve politike e sociale.
“Sado pak të jetë një thirrje për të gjithë që keqpërdorin, minimizojnë krimet e kryera në vitet e 90-ta dhe duhet sa më pak fjalë, e sa më shumë vepra, dënimin e te gjithëve atyre që kanë kryer këto krime”, tha Zemaj.
Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se rezoluta u referohet të gjitha dokumenteve evropiane e më gjerë, që kanë të bëjnë më krimet kundër njerëzimit, gjenocidit, e të tjera.
"Nuk ka asgjë perfekte, por teksti i rezolutës ka marrë të gjithë shembujt e dokumenteve ndërkombëtare", tha deputeti Kurteshi.
Gjatë zhvillimit të debatit për propozim- rezolutën, deputetët e partive politike në opozitë dhe atyre në pushtet, kanë drejtuar akuza dhe kundër-akuza për atë se nuk janë mbledhur shifra zyrtare e të sakta për vrasjet, masakrat dhe krimet e ndryshme që janë bërë nga forcat serbe në vitet 1998-99.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij tha se në gjithë Kosovën në secilën lagje në çdo fshat e qytet, ka fakte, dokumente, e dëshmitarë për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë.
Ai tha se të gjithë qytetarët e Kosovës presin drejtësi.
"Ende nuk ka kërkim-falje dhe ato gjykime që janë bërë në Serbi janë bërë për t'i fshehur faktet", theksoi Veseli.
Veseli tha se qytetarët me të drejtë pyesin se a do të ketë drejtësi për ta. Ai theksoi se për shumë vite Kosova dhe qytetarët, i kanë besuar drejtësisë ndërkombëtare, por, siç tha ai, 'sot ndihemi të zhgënjyer nga puna e saj'.
"Njeri pas tjetrit kanë dështuar në gjykimin e krimit, UNMIK-u edhe EULEX-i, e bashkë me to edhe institucionet e Kosovës. Janë dhënë 189 vjet burgim për shqiptarët dhe vetëm 20 vjet burgim për serbët. Të dënuar në Kosovë janë: 34 shqiptarë, 4 serbë, 1 rom. Të dënuar në Serbi: 15 serbë, 1 shqiptar dhe qindra të tjerë shqiptarë me aktakuza të shtetit serb. Të dënuar në Hagë: 6 serbë, 2 shqiptarë. Plus, ne e kemi edhe Gjykatën Speciale".
SHIKONI EDHE: Të dënuar për krime lufte në Kosovë, 34 shqiptarë dhe 4 serbë"Në anën tjetër, Gjykata e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi e ka lënë në gjysmë drejtësinë për krimet kundër njerëzimit, të kryera nga shteti serb në Kosovë. Edhe në rastet e përfunduara, ka ndodhur që krerët e gjenocidit kanë marrë dënime shumë minimale. Disa prej tyre tanimë janë liruar dhe ditët e fundit i kemi parë duke marrë pjesë në paradat ushtarake, të cilat Serbia i organizon për të kërcënuar rajonin", tha Veseli.
Veseli përmendi se nga lufta e fundit në Kosovë, shteti serb gjatë luftës, ka vrarë e ka masakruar dhe si pasojë janë vrarë më shumë se 13.500 veta, kurse janë dhunuar më shumë se 20 mijë gra e burra.
Kuvendi në agjendë ka edhe formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për, siç thuhet, gjenocidin serb në Kosovë, pastaj marrjen e vendimit për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishtinës dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit.
SHIKONI EDHE: Nismat “e vonuara” për trajtimin e krimeve të Serbisë në KosovëSipas Veselit, lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë, do të punojë drejtësia vendore, por edhe ajo ndërkombëtare, duke theksuar synimin për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë.
“Tribunali ndërkombëtar do të marrë kohë. Nuk do të ndodhë ditën e enjte, Mund të marrë kohë shumë. Për vet faktin që Komisioni shtetëror, pasi që të krijohet, i ka një varg masash dhe hapash, të cilat duhet t’i kryejë. Pastaj, duhet të shkojmë në fund të asaj e që do të jenë aktakuzat. Aktakuzat do të ngrihen nga vet Prokuroria dhe gjyqësia jonë”, theksoi Veseli.
Po ashtu, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë mbështetje nismës së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se thënë se “është mirë që më në fund, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur që në mënyrë të bashkuar të lëvizet përpara me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve tjera pasuese, ku dënohet qartë gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë dhe kërkohet drejtësi nga të gjitha instancat ndërkombëtare”.
Kuvendi i Kosovës, në mesin e muajit prill, ka formuar një komision të veçantë 'ad hoc' për dënimin e, siç është thënë, krimeve të luftës, gjenocidit dhe agresionit të regjimit të Serbisë, i cili ka punuar për hartimin e rezolutës në lidhje me këtë çështje.
SHIKONI EDHE: Mohimi i krimeve gjatë luftës shihet si fyerje ndaj viktimaveQëllimi përfundimtar, siç kanë thënë më parë zyrtarët e Kuvendit të Kosovës, është hapja e Tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Të pagjetur ende konsiderohen më shumë se 1,600 persona.